Shqipja pa gjuhë standarde
Kryeministria: Ka 2 dialekte

Shqipja pa gjuhë standarde<br />Kryeministria: Ka 2 dialekte
Në faqen zyrtare të Kryeministrisë, Gjuha Standarde Shqipe është hequr nga qarkullimi. Madje nuk përmendet fare. Ja si e prezanton Kryeministria Gjuhën Zyrtare: "Gjeografi grek, Ptholemeous ka dëshmuar ekzistencën e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe që në shekullin e dytë të erës sonë." Më tej shkruhet: "Dokumenti i parë i shkruar i gjuhës bashkëkohore shqipe i përket vitit 1462. Vepra e parë letrare "Meshari" (Gjon Buzuku) u botua më 1555 dhe që nga ajo kohë gjuha shqipe është zhvilluar në dy dialekte kryesore, veçanërisht gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare:
"Gegërisht", d.m.th gjuha e folur në Veri të Shqipërisë dhe "Toskërisht", d.m.th gjuha e folur në Jug të Shqipërisë". Kaq. Nuk shkruhet asgjë tjetër.
Duke lexuar me vëmendje këtë faqe zyrtare, duket se sipas Kryeministrit të vendit dhe atyre që drejtojnë sot Shqipërinë gjuha shqipe nuk ka pasur asnjë zhvillim prej me shumë se një shekulli, që nga periudha e Rilindjes Kombëtare. Madje në faqen zyrtare të Kryeministrisë ekziston vetëm viti 1908 dhe është injoruar fare data e Kongresit të Drejtshkrimit 1972, kur u unifikua gjuha shqipe, pas këtij kongresi me vendosjen e ligjit të përdorimit si gjuhë zyrtare në institucionet shtetërore, në literaturë dhe në shkolla.

Pse është fshirë çdo lloj shënimi për këtë ngjarje të madhe në zhvillimet e Gjuhës Shqipe. S'e konceptojmë dot, është bërë me qëllim apo nga injoranca e atyre që kanë përgatitur faqen zyrtare të Kryeministrisë?, thonë gjuhëtarët më të njohur. Te linku Gjuha Zyrtare nuk thuhet asgjë fjalë për ekzistencën dhe përdorimin e vet "gjuhës zyrtare".
Edhe pse gjuha e njësuar përdoret nga shqiptarët brenda vendit, në shkollat e Diasporës, etj, etj, në linkun Shqipëria, Gjuha Zyrtare, Kryeministria, pra institucioni që drejton vendin, gjuha Standarde nuk është në përdorim. Koha se kur ka ndodhur kjo nuk dihet. Së paku, me Dekret: "Të ndalohet Gjuha Standarde" nga Kryeministri i vendit nuk është shpallur ende, por revanshi i përdorimit të dialekteve në foltoren e Kuvendit ka vite që është shfaqur si nga Kryeministri i vendit, zoti Sali Berisha, edhe nga kryetarja e Kuvendit, zonja Topalli.
berisha gjuha
(Foto:Prenzantimi i gjuhës shqipe në faqe zyrtare të kryeministrisë)

Ministria e Kulturës: Faqja zyrtare, nuk përmendet Standardi
Edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Turizmit e Kulturës, e vetmja që informon të huajt për gjuhën që përdoret në vendin tonë ishte i njëjti model i "gjuhës zyrtare" me atë të Kryeministrisë. Në të dyja rastet nuk thuhet asgjë që Shqipëria pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe Gjuhës Letrare Shqipe të vitit 1972 përdori si gjuhë zyrtare gjuhën e njësuar. Përkundrazi, në faqet zyrtare të institucioneve kryesore të vendit si Gjuhë Zyrtare shfaqen dy dialektet njëri gegë dhe tjetri toskë. Kjo është e verifikueshme, sepse pas përmendjes së dy dialekteve nuk vijon të zihet në gojë asnjë alternativë tjetër gjuhe, por më poshtë përmendet vetëm fakti se këto dy dialekte shkruhen me një alfabet të vetëm, që është "Alfabeti i gjuhës letrare shqipe, ka 36 shkronja dhe përdoret alfabeti latin, i aprovuar nga Kongresi Kombëtar i Manastirit, më 1908." Nëse e marrim seriozisht faqen zyrtare të Kryeministrisë do të kuptojmë se që nga 1908-a nuk ka pasur më asnjë zhvillim në gjuhësor. Pra, mendësia kryeministrore e përfundon informimin për "Gjuhën Zyrtare me frazën "Gjuha shqipe (e folur dhe e shkruar) përdoret dhe në disa pjesë të populluara nga shqiptarë, si Kosovë, Mali i Zi, Serbi dhe Maqedoni. Informimi për gjuhën në faqen e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve thuhet se është "Marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme". Por, ndërsa të huajt "nuk e marrin lehtë këtë informacion" sepse janë shumë më të informuar nga enciklopedia shkencore, së cilës i referohet edhe Wikipedia në anglisht, ku shkruhet në mënyrën më korrekte informacioni për themelimin dhe përdorimin e Standardit të Shqipes Zyrtare. "Shqipja standarde është mbështetur në dialektin tosk", shkruhet në enciklopedinë shkencore. Më tej tregohet gjithë evoluimi i gjuhës shqipe, ku shkruhet gjithçka ka ndodhur me zhvillimet e saj që nga krijimi i fjalorit të parë të gjuhës shqipe të K. Kristoforithit, deri tek fjalori akademik i gjuhës në '54-n, kalon te drejtshkrimi i 72-shit, te Vendimi për përdorimin e Gjuhën Standarde si gjuhë zyrtare, etj. Gjuhëtarët më të njohur kanë reaguar mjaft të shqetësuar për poshtërimin që i është bërë gjuhës "që bashkon kombin dhe kulturën shqiptare", siç shprehen ata.
Shkrimi u publikua në Shqiptarja.com 26 gusht 2012

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë