Huta e llojit (buteo buteo) e familjes së shqiponjës që ngordhi pasi ishte varur në një gardh në fshatin Bual të Përmetit, është shpend i rrallë dhe i mbrojtur me ligj që prej vitit 2006 në Shqipëri. Ajo hyn në speciet e rrezikuara kryesisht nga gjuetia, pasi është i lehtë për t’u kapur.

“Ndonëse mund ta ngatërrojmë me Shqiponjën, ajo është Hutë, dhe mund ta shohim shpesh nëpër fusha të ndryshme duke flutuar në lartësi të ulët duke kontrolluar për minj të fushës të ndryshëm. Është lehtësisht e kapshme nga njeriu, mund të jetë kapur me çark ose nga duart e njeriut dhe pastaj i janë thyer këmbët. Ka pasur një ulje dhe duhet mbrojtur, është një lloj që duhet mbrojtur sepse kjo popullatë mund të shkojë dhe në ulje”.- Xhemal Xherri, aktivist PPNEA.

Për keqtrajtimin e kafshëve shtëpiake ligji parashikon gjobë deri në gjashtë muaj heqje lirie, ndërsa për speciet në mbrojtje si pjesë e florës dhe faunës së egër, ligji është më i ashpër.

“Kur bëhet fjalë që janë lloje të mbrojtura me ligj, siç është edhe rasti i Hutës me status vulnerabël, kemi të bëjmë me raste dënimi jo vetëm me gjobë, por edhe me dënim nga 3 deri në 7 vite burgim”.- u shpreh Xhemal Xherri, aktivist i PPNEA.

Pak orë pas publikimit të ngjarjes, Policia e Përmetit arrestoi autorin 42-vjeçar, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën dy sorkadhe, për të cilat ai pretendoi se i kishte vrarë me armë gjahu, ndërsa për rastin e Hutës së egër, e cila u bë edhe publike, ai nuk ka dhënë shpjegime.