Në dallim nga axhendat e njëjta në vende me peshë specifike në rendin botërore apo politikat e mëdha vendimmarrëse, axhenda shqiptare mbetet specifike, dhe vetë vizita është konfirmim pranimi në familjen e kombeve të qytetëruara, konfirmim perspektive në familjen evropiane dhe konfirmim të identitetit evropian të shqiptarëve.
Në tokën shqiptare vizita të këtij niveli numërohen me gishtat e njërës dorë përgjatë një shekulli, ndaj edhe ndikimi i saj do ketë impakt shumëplanësh jo vetëm në Tiranë, por edhe nëkryeqendrat shqiptare rajonale, në Prishtinë, Shkup e Ulqin. Duke i shtuar faktin se pak muaj më parë për vizitë në Tiranë ishte edhe kreu i Kishës Ortodokse Patriarku Ekumenik Bartolomeu i Parë, “viti i bekuar” shqiptar bëhet edhe më i plotë.
Nuk ka rëndësi përkatësia në besim e banorëve dhe as niveli ateist apo pagan, sa merr rëndësi shndërrimi i imazhit pozitiv shqiptar në lajm dite në mediat e botës, përcjellja e modelit shqiptar të bashkëjetesës fetare si vlerë e mohuar në shumë pjesë të tjera të ndryshme të botës. Përzgjedhja e Tiranës dëshmon edhe prioritet në vlerësim, prioritet në promovim, prioritet në axhendën e të ardhmes së Selisë së Shenjtë, - një shans i çmuar për shqiptarët.
Natyrisht që vizita të tilla meritojnë dhe marrin shumë vlerësime politike dhe protokollare. Jehona e saj ka kohë që ka nisur dhe do jetë shumë më e gjatë sesa 21 shtatori. Tej leximit festiv dhe protokollar, vizita të tilla janë raste analize dhe reflektimi, për të testuar problematikat e deritanishme dhe për të projektuar një bashkëpunim afatgjatë, efektiv dhe tëqëndrueshëm midis Shqipërisë, shqiptarëve dhe Selisë së Shenjtë.
Në raportin midis dy shteteve nuk ka probleme të hapura, në raport edhe me shtetin e Kosovës, ka pritshmëri për njohje edhe formale të pavarësisë. Vatikani ka qenë promovues dhe mbështetës i besueshëm dhe i suksesshëm i kauzës politike, identitare, shtetërore dhe humanitare të shqiptarëve të Kosovës. Një dëshmitar aktiv dhe i dokumentuar ishte Presidenti Rugova dhe referimet e tij direkt dhe permanente ndaj këtij kontributi. Njohja formale e shtetit është produkt gjeopolitik dhe nuk besoj se përbën një temë shqetësuese në raportet dy ose tri-palëshe shtetërore.
Në aspektin e partneritetit aktiv Vatikani pret me të drejtë një sjellje edhe më serioze dhe vizionare të shtetit shqiptar. Duke filluar nga nevoja për caktimin e një ambasadori fuqiplotë në Vatikan. Ironikisht, vizita në Tiranëështë vizita e vetme ku kreu i Selisë së Shenjtë shkon në një vend që ende nuk ka ambasador në detyrë pranë vetë Papës. Alibitë e sherreve në politikën e brendshme nuk kanë sens dhe as vlerë. Sa më parë dhe sa më me dinjitet Shqipëria duhet të ketë ambasador në Selinë e Shenjtë, siç edhe institucionet parlamentare, diplomatike, etj, në Tiranë e Prishtinë duhet të krijojnë raporte bashkëpunimi institucional me institucionet vendimmarrëse dhe lobuese brenda Selisë së Shenjtë.
Në aspektin e besimit Kisha Katolike, megjithë progresin e dukshëm, ringjalljen dhe ri-ngritjen e institucioneve të besimit, zgjidhjen e problemeve të marrëveshjeve me komunitetet, me statutin dhe me problematikat legale dhe protokollare, ende ekzistojnë hapësira dhe mjete për një standard më të lartë bashkëpunimi dhe klime besimi. Vendi me persekutimin më të ashpër fetar nuk ka ende një muze nderimi dhe përkujtimi, shumë prej figurave martire ende nuk kanë varr, figura jonë simbol Nënë Tereza ende nuk ka as muze dhe as vend të denjë nderimi, procesi i ushtrimit të lirisë së besimit ende ndesh me problematika që lidhen me interesa ditore politike ose praktika burokratike veprimi, ende ekzistojnë zëra kritikë ndaj modelit të bashkëjetesës dhe identitetit kombëtar.
Më 1993 shqiptarët parën Kardinalin e tyre, Mikel Koliçin. Pas ndarjes së tij nga jeta shqiptarët nuk kanë ende një kardinal, megjithëse kanë tashmë institucione fetare të sprovuara dhe funksionale. Selia e Shenjtë mund ti japë mbështetje nëse Tirana e Prishtina janë në unison në lobingun e tyre për të pasur një kardinal shqiptar, - një nivel më i lartë përfaqësimi nëhierarkinë e Kishës Katolike. Në dallim nga vende të tjera rajonale pretenduese, përfshirë edhe Slloveninë, Shqipëria ofron model unik bashkëjetese, model unik referimi për të kaluarën dhe sfidat e të ardhmes, ndaj përzgjedhja e një kardinali nga bota shqiptare do ishte lajm inkurajues, vlerësues dhe avancues në marrëdhëniet e besimit dhe përfaqësimit.
Institucioni i besimit merr një dimension të ri në Shqipëri. Ai nuk lidhet me numrin e atyre qëbëjnë vizita për foto në ceremoni fetare, as me fjalimet patetike në rrjete sociale ose në media,si dhe as me ndjekësit e rregullt të praktikave fetare. Lidhet me nevojën jetike, mëse jetike, që shoqëria shqiptare ti rikthehet besimit në Zot. Modeli i “njeriut të ri”, që vendos partinë mbi zotin, udhëheqësin politik mbi familjen, propagandën mbi sistemin edukues, etj, rezultoi tragjik për shqiptarët.
Niveli ende i lartë i krimeve në familje, i konflikteve në bashkësi, i ikjes nga përgjegjësia publike, i zgjedhjes së rrugëve më të shkurtra abuzive për promovim e fitim, - janë shqetësim thelbësor për identitetin institucional të shoqërisë dhe shtetit shqiptar. Promovimi i nevojës për rikthimin e besimit në Zot, promovimi i vlerave perëndimore të besimit, promovimi i standardeve më të larta të demokracisë dhe shoqërisë së hapur, - me siguri do jenë pjesë thelbësore e vizitës së Atit të Shenjtë në Tiranë.
Përzgjedhja prej tij e një vizite në periferi, aty ku nisma humane ka arritur të krijojë një ishull solidariteti dhe ndihme ndaj disa qindra fëmijëve në nevojë, vjen si mesazh edhe për nevojën jetike që ka shoqëria shqiptare dhe ndofta edhe rajoni, - për një rend të ri social e shoqëror, për politikë më qytetare, me humane, më institucionale, më ligjore dhe më demokratike. Hendeku i madh që ekziston midis shumicës që mbijeton dhe një pakice që përbën oligarkinë sunduese, i ka privuar shoqërisë shqiptare shtresën e mesme, dhe për pasojë, bazën për një qeverisje, ekonomi dhe sistem të qëndrueshëm.
Së fundi, Tiranë nuk është vetëm ish kryeqyteti i (vet)izoluar në mes të Evropës, por edhe një shoqëri në krizë besimi dhe identiteti. Entuziazmi dhe besimi për ndryshim të shpejtë në fillim të viteve 90 ka rënë dukshëm, kujtimet dramatike të vitit 1991, 1997 apo 2010 janë ende të freskëta. Në kuadrin e një krize financiare rajonale e globale pasojat janë prezent, pasi siç Banka Botërore u shpreh, ekziston një shumicë joaktive për punë dhe inaktive në kërkesën për ndryshimin e gjendjes së tyre.
Në këto rrethana, me gjithë ekzistencën e popullsisë së dytë më të re në Evropë, shqiptarët edhe më tej mbeten spektikë për sigurinë dhe të ardhmen praktike të tyre, në familje e shoqëri. Ndryshimi nuk vjen nga projektet utopiste dhe as nga ata që i shkaktuan, por “nga punët e vogla me dashuri të madhe” siç këshillonte Nënë Tereza. Dhe për ndryshim duhet vullnet, duhet besim, duhet vizion, duhet kurajë. Ne kemi nevojë për inkurajim, kemi nevojë për të mbajtur gjallë shpresën e ndryshimit dhe ri-ngritjes morale, kemi nevojë për besimin në zot dhe natyrisht edhe për bekim.
A do jemi më të ndryshëm me 22 shtator? Në jetën tonë shtetërore e shoqërisë rrallë ndodhin mrekulli, por 1999-ta në Kosovë na mësoi se nuk jemi vetëm. Një prej shumë arsyeve, të cilat siç elitat e viteve 20-30 na mësonin, - për ta mbajtur shikimin nga perëndimi. A do ndryshojë politika, sjellja, retorika, trendi pagan apo kosmopolit? A do bëhemi më humanë, më paqësorë, më pranues dhe dëgjues për njëri tjetrin? Jo, nuk e besoj. Kjo kërkon kohë, vizion, mentalitet, brez dhe kulturë të re qytetare e shoqërore.
Por ne, prej sot dhe çdo ditë më tej, brenda nesh mund të bëjmë diçka për ndryshimin. Secili, tek vetja dhe më pas, secili në raport me Tjetrin. Filozofët na thonë se gjithçka nis nga individi: nëse ai ka integritet, pavarësi, aftësi dhe përgjegjshmëri, - realizimi i standardeve të shtetit dhe shoqërisë funksionale mbetet çështje teknike. Ky është rasti ynë, një rast që na ri-vjen si shans edhe këtë fundjavë, dhe që nuk duhet humbur. Për asnjë alibi.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Shtator 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)