Në Evropë ardhja e festave të fundvitit shoqërohet me hapjen e shumë tregjeve ku shiten dhurata e ëmbëlsira kryesisht për të mbledhur para për qëllime bamirësie. Në një të tillë mora pjesë dhe vetë para dy ditësh dhe më erdhi shumë mirë që arritëm të mblidhnim një ndihmë modeste për refugjatët.
 
Shpesh herë lexoj lajme në shtypin shqiptar ku kërkohet ndihmë për raste të ndryshme emergjence. E nuk e di nëse shqiptarët janë më të predispozuar për të ofruar ndihmë vullnetare ose ndihmë financiare. Në 2002 kur në programin tim të atëhershëm në një Radio apelova për të mbledhur një ndihmë modeste për përmbytjet e atëhershme në mozambik më mbytën me kritika të tipit: ne kemi kaq halle sa ajo na duhet, të ndihmojmë dhe të tjerët
 
Duke qenë se në atë kohë ne shqiptarët i kishim akoma te freskëta kujtimet e ndihmës që na u ofrua përgjatë periudhës së tranzicionit si dhe për të përballuar fluksin e refugjatëve kosovarë gjatë luftës në ish Jugosllavi prisja një përgjigje më humane nga publiku im i atëhershëm. Por ndoshta ishte shumë herët e nuk ishim akoma gati të ofronim vullnetarizëm me dëshirë dhe jo sepse na detyrojnë, sepse komunizmi e keqpërdoroi punën vullnetare.
 
Dje paradite më erdhën në mendje mendimet e mësipërme teksa vizitoja stendën e Shqipërisë në Tregun e Krishtlindjeve këtu në Pragë ku përfaqësi diplomatike u ofronin produkte vendase vizitorëve të shumtë. Për herë të parë këtë vit mori pjesë dhe Shqipëria në këtë treg bamirësie. Sic mësova ishte iniciativa e gruas së ambasadorit tonë në Pragë zj.Ilda Poda e cila me sharmin e saj arriti të bindte dhe autoren e këtij artikulli që të merrte pjesë në shitjen e produkteve shqiptare. Kishte aty raki rushi, caj mali, sherebelë, kadaif të bërë nga Drita e bakllava nga Moza. Sa mirë më erdhi. Disa zonja shqiptare kishin përveshur mëngët e kishin gatuar ushqime shqiptare me deshirën për të prezantuar vendin e tyre e për të ndihmuar edhe pse në mënyrë modeste.
 
Nuk mungoi as muzika e bukur shqiptare. Hotel Hilton u mbush me tingujt e këngës Luleborë që u këndua nga dy studentet shqiptare Paola Rapaj dhe Merjola Skëndaj. U shoqëruan nga tingujt e tastierës nga pianisti Egli Prifti. Shqipëria zyrtare dhe ajo e diasporës qënkërka bërë më humane, shpresoj se dhe shqiptarët në Shqipëri të jenë bërë të tillë. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)