Shqiptarët konsumojnë rreth 2 milionë litra pije alkoolike në vit. Konjaku dhe rakia janë dy pijet më të frekuentuara, prej atyre që prodhohen në vend ndërsa uiski është ai që preferohet dhe konsumohet më shumë nga vendasit. Kjo përsa u përket pijeve të forta. Sipas raportit, tregu i prodhimit  dhe importit të pijeve alkoolike për vitin 2013 ka një volum prej rreth 2 milionë litrash, ku pijet e importit zënë 55% të volumit dhe sigurojnë rreth 64% të të ardhurave nga akciza në doganë. Mesatarisht ne konsumojnë 0.7 litra pije alkoolike për frymë në vit, duke ruajtur nivele ende të ulëta kundrejt shteteve të tjera europiane. Tregu i prodhimit vendas të pijeve alkoolike zë rreth 45% të konsumit vjetor të këtyre produkteve, por akciza e mbledhur nga pijet vendase është shumë më e ulët se sasia në litra që ka prodhuar tregu vendas. Kjo ka ardhur për shkak së tregu vendas prodhon kryesisht raki dhe konjak, që paguajnë akcizë më të ulët se pijet e importuara.