TIRANE - Sot do të zbresin në fushë tre ekipet shqiptare për të luajtur sfidat e tyre të para në Evropa League për këtë edicion. Kukësi, Teuta dhe Laci do të masin forcat me kundërshtarët e tyre, të cilët janë relativisht në të njëjtën gjatësi vale me ekipet shqiptare. Madje shorti është pritur pozitivisht, pasi shikohet si i kalueshëm.

Nga tre ekipet shqiptare, sfidën e parë do ta zhvillojë jashtë fushe vetëm ekipi i Kukësit që ka udhëtuar në Estoni për t’u ndeshur me Flora Talin. Sfida konsiderohet e vështirë nga Kukësi, pasi nuk e njohin shumë kundërshtarin, megjithatë trajneri Cungu shprehet optimist për një rezultat pozitiv, me qëllim që kualifikimi të vendoset në Shqipëri një javë më pas në ndeshjen e kthimit.

Ndeshja tjetër është mes fituesve të Kupës së Shqipërisë, Lacit dhe Differdang 03, e cila zhvillohet në 19:00 në ‘Qemal Stafa’. Stadiumi pritet të jetë i mbushur në mbështetje të lacianëve, pasi duhet me cdo kusht një rezultat pozitiv për të shpresuar te kualifikimi në kthim.

Presidenti Laska ka vendosur edhe një superpremio 20 mijë euro në rast se do të kalohet turi i parë. Kundërshtari është cilësuar si modest nga Laci dhe mund të jetë formalitet, por fantazisti Vucaj deklaron se nuk duhet nënvlerësuar askush për asnjë minutë në fushë para vërshëllimës së arbitirt duke kërkuar maksimumin për të realizuar ëndrrën e kalimit të një turi në Evropë.

Ekipi i tretë që do të luajë në Evropa League është Teuta e Durrësit. Ndeshja me  Dacia Chisinau-n do të zhvillohet në Durrës në orën 20:00. Trajneri Magani ka kërkuar nga ekipi që të ulë euforinë në prag të sfidës duke kërkuar përqendrim maksimal për të marrë një rezultat pozitiv me qëllim që në ndeshjen e dytë t’iu duhet vetëm të mbrojnë rezultatin, pasi kundërshtari në fushën e tij do të kërkojë kualifikimin. Presidenti Hasanbelliu ka vendosur edhe një premio të majme në rast të kalimit të turit të parë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)