TIRANE- Në Shqipëri ekzistojnë 31 pika me rrëzikshmëri të lartë jetese të cilat quhen ndryshe edhe “ hot spote”.  Rama njoftoi ekzistencën e tyre, kur iu përgjigj negativisht kërkesës së SHBA për asgjësimin e armëve kimike të Sirisë në vendin tonë. 31 “hot spotet” e listës janë të shtrira në të gjithë Shqipërinë. Ato do të pastroheshin në rast se Shqipëria do të merrte në konsideratë armët e regjimit të ASSADIT, çka do të thote se vazhdojnë të përbëjnë një rrezik të madh për banorët pranë këtyre zonave. Dhjetë prej tyre sipas ministrisë se Mjedisit, paraqesin rrezikshmëri të lartë si “Albafilm” Tirana, ish-ndërmarrja “Dajti” , ish-Uzina e Autotraktorëve dhe reparti për rigjenerimin e vajrave. Për rehabilitimin e 10 “hotspoteve” nevojitet një investim kapital prej 70 mln euro, ndërsa kërkohet edhe mirëmbajtja dhe monitorimi vit për vit i situatës.

Nga viti 2000-2011 është ndërhyrë vetëm në 7 pika të cilat nuk paraqesin më rrezikshmëri.
Ndërkaq, viti 2020 është afati kohor për zhdukjen totale të këtyre zonave nëse do të gjenden donatorët financues apo nëse investohet nga shteti.
Në të gjitha këto zona dodhen aktualisht të depozituara, ose  të hedhura me kalimin e viteve, një sasi e madhe substancash të rrezikshme, kimikate, mbetje industriale helmuese, inerte, mbetje minerare etj. Në këto zona me rrezikshmëri të lartë jetojnë një numër i madh personash të cilët janë pothuajse gjatë gjithë kohës të rrezikuar nga sasitë helmuse që janë grumbulluar aty ndër vite.

Përveç kësaj, këto mbetje përbëjnë një burim të vazhdueshëm ndotjeje edhe për ujrat në vendin tonë, pasi një pjesë e mirë e këtyr lëndëve kimike dhe helmuese përfundojnë në lumenj dhe liqene. Më të ndoturit janë pikërisht lumi Fan dhe lumi Mat për shkak se aty përfundojnë një pjesë e mirë  mbetjesh  dhe kimikatesh të akumuluara ndër vite nga minierat e krommit dhe bakrit. Po ashtu, liqeni i Ohrit është ndotur për shkak  të minierave që për vite me rrallë kanë ushtruar aktivitetet e tyre në Pogradec dhe në Gurin e Kuq, duke dëmtuar përveç të tjerash edhe florën dhe faunën e liqenit. Ndërsa në Shqipëri numërohen 31 zona me rrëzikshmëri të lartë ose siç quhen ndryshe zona të nxehta, vetëm Tirana numëron 5 të tilla, të cilat kërkojnë një kosto të lartë për rehabilitimin e këtyre zonave.

Shkrimi u publikua sot (19.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)