/ATSH/.- Zgjidhja e problemeve mes shqiptarëve dhe serbëve duhet të bëhet dhe kjo nuk ka rrugë tjetër. Madje, zgjidhja e problemeve bëhet përmes zgjidhjes së problemit të territorit. Serbia gjithashtu duhet të pranoj terrorin, dhunën, krimet që ka bërë ndaj shqiptarëve, sepse vetëm atëherë realiteti do të jetë ndryshe.
Sipas KosovaPress, këto janë konkluzionet e tryezës shkencore "Nga shqiptarët dhe serbët, tek shqiptarët dhe serbët", të organizuar nga Universiteti Publik "Haxhi Zeka" i Gjilanit, i cili mblodhi shumë politikanë, analistë, profesorë universitarë e shumë pjesëmarrës të tjerë.

Në hapjen e kësaj tryeze shkencore, Rektori i Universitetit Publik "Haxhi Zeka" të Gjilanit, Arben Dërmaku tha se shqiptarët dhe serbët duhet ta respektojnë njëri tjetrin, por pa pretenduar se duhet ta duan njëri-tjetrin.

"Qëllimi i kësaj tryeze shkencore duhet të prekë pikat tona të përbashkëta dhe ato që na ndajnë. Pa pretendimin se ne duhet të duhemi me serbët, por me pretendimin se ne duhet të respektohemi dhe vlerësojmë njëri-tjetrin në premisa ballkanike dhe evropiane", tha Dërmaku.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se për problemet mes shqiptarëve dhe serbëve, bota organizoi tri procese të mëdha. Atë të Rambujesë për ndaljen e luftës, atë të Vjenës për shpalljen e pavarësisë dhe tani dialogun e Brukselit, i cili po korrigjon lëshimet e Rambujesë, Vjenës e lëshimet e tjera gjatë historisë.

Por, Haziri vazhdon të mendoj se zgjidhja e problemeve mes shqiptarëve dhe serbëve, është zgjidhja e problemit të territorit, pasi sipas tij, edhe lufta është zhvilluar për territore.
Analisti serb, Dushan Janjic, tha se dialogu i Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, ishte shumë i rëndësishëm për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.
Por, ai tha se vizita e Edi Ramës në Beograd dhe zhurma që u bë, ishte shenjë për Serbinë që nuk ka rrugë tjetër veç bashkëpunimit.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe përfaqësuesit e Luginës së Preshevës. Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi tha se distanca e shqiptarëve me serbët është më shumë retorike, ndërsa e serbëve është shumë më shumë praktike.

Por, i ashpër ishte kryetari i Këshillit Nacional Shqiptarë të Luginës, njëherësh kryetar i Bujanocit, Jonuz Musliu i cili tha se Serbia medoemos duhet t'i pranoj shqiptarët si fqinj kështu siç janë dhe duhet të kuptoj dhunën, terrorin dhe krimin që ka bërë ndaj shqiptarëve, në mënyrë që të jetë një realitet krejt tjetër.

Në tryezë morën pjesë edhe shumë personalitete të tjera, të cilët thanë se raportet mes shqiptarëve dhe serbëve duhet të përmirësohen sepse të dyja palët kanë synim integrimin në BE.