ATHINE - Policia greke ka deklaruar ditën e shtunë se për të përbën çështje nderi kapja e tetë të arratisurve nga burgu i Trikalas dhe sidomos i dy kriminelëve, të cilët vranë me kallashnikov një 25-vjeçare greke përpara disa ditësh gjatë një përleshjeje me policinë në Istmia të Korinthit.

Në hetimet për kapjen e tyre tashmë merr pjesë edhe shërbimi Antiterrorist i Greqisë, me ekipe dhe forca të specializuara. Sipas disa burimeve duket se policia ka vënë nën survejim të gjithë ata persona, të cilët mundet të ndihmojnë fshehjen dhe mbulimin e të arratisurve shqiptarë.

Në zonën e Peloponezit janë ngritur blloqe të shumta dhe kontrollohen të gjithë ata që konsiderohen si të dyshimtë.

Sipas policisë, kriminelët mundet të jenë strehuar në ndonjë fermë në atë zonë, ose mundet të jenë ndihmuar nga bashkëpunëtorë të tyre për t’u larguar nga zona.

Nëse rezulton e drejtë mundësia e parë, pra që ata të jenë strehuar në ndonjë fermë të zonës, atëherë konsiderohet çështje kohe arrestimi i tyre, pasi sipas policisë greke ata do të dalin nga strehimi i tyre për të ngrënë, apo për arsye të tjera.

Në rast se janë larguar nga zona, atëherë arrestimi i tyre ndoshta do të vonohet, pasi duhet të ekzistojnë informatat për lëvizet e tyre, përpara se ata të kryejnë ndonjë krim tjetër.
Policia po kërkon gjetjen e një furgoni të mbyllur, i cili është vjedhur ato ditë dhe me të cilin mendohet se janë larguar tre të arratisurit.

Në kërkimet për kapjen e tyre merr pjesë një skuadër e specializuar e komandove të policisë greke, pasi sipas tyre, dy të arratisurit konsiderohen si tepër të rrezikshëm, të armatosur mirë dhe veçanërisht të gatshëm për të bërë gjithçka për të shitur shtrenjtë lirinë e tyre.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)