TIRANE- Orët e fundit, në shtete si Anglia, Italia dhe SHBA-ja, janë sekuestruar disa sasi të mëdha droge, ku poseduesit kanë qenë shqiptarë. Policitë e këtyre vendeve kanë bllokuar kokainë, hashash dhe heroinë, ndërsa janë arrestuar ose lënë në burg protagonistët shqiptarë të këtyre episodeve.Në dhjetra episode droge, janë implikuar disa shqiptarë, orët e fundit, në Angli, Itali dhe SHBA, ku “menysë” së tregtimit nuk i mungonte asgjë, kokainë, hashash dhe heroinë.
KOKAINA E LONDRES
Dy shqiptarët Bledar dhe Eduart Duka, respektivisht 23 e 31 vjeç, janë dënuar me 11 vjet burg, për trafik droge të klasit A, kokainë, me një vlerë prej 1.27 milionë stërlina. Bledari u dënua edhe për akuzën e mbajtjes së armës, kurse Eduarti u dënua edhe sepse mbante një dokument të rremë. Gjykata e Kurorës Mbretërore në Northampton, në veri të Londrës tha se në momentin e arrestimit, i’u gjetën edhe mbi 3.500 stërlina.

Dënimi i tyre pason një proces të ngjashëm në muajin shtator kur shqiptari Shpend Duka është dënuar, po për drogë. Shefja e Agjencisë së Luftës kundër Krimit të Organizuar, Emma Nealon tha se kjo sasi e konsiderushme droge nuk do mund të tregtohet më nëpër rrugët e qytetit anglez. Kohët e fundit vihet re një shtim i dukshëm i aktivitetit kriminal nga grupet shqiptare në qytete të ndryshme angleze. Policia fton qytetarët që kanë dijeni për furnizimin e drogës, të kontaktojnë në “Crimestoppers”, në nr 0800 555111.


shqiptare te arrestuar ne itali
(Foto: Shqiptarët e arrestuar)


DROGE SHQIPTARESH NE ITALI
“Time out” është operacioni i karabinierëve, të cilët kanë shkatërruar një bandë shqiptarësh dhe hungarezësh, të akuzuar për trafikimin e kokainës në Merano, ku kishin 100 klientë. I katërti është shqiptari Alson Skarra, pjesë e organizatës, i kapur në një makinë në Bolzano. Përfundojnë në burg "vëllezërit e drogës”, mes armëve e kërcënimeve pafund. Për shkak se borxhet ishin rritur, atëherë kërcënimet ishin përqëndruar te paratë e drogës. Gjatë hetimeve u janë sekuestruar 20 kg marihuanë e kokainë e trafikuar nga qendra historike jashtë krahinës, midis Pordenones e Saciles. Ibrahim Gjordumi erdhi nga Shqipëria në tetor, me një vizë të vlefshme, të dhënë nga ambasada italiane. Me të mbërritur atje, nxorri në treg 1.5 kg heroinë, me vlerë 45 mijë euro.

500 MILIONE NE SHBA
Brent Sapergia ka shpenzuar mjaft kohë në rreptësi gjatë karrierës në hokej, në Amerikën e Veriut. Ish-traineri 50-vjeçar i hokejt, u dënua muajin e kaluar me 2 vjet provë, në këmbim të deklarimit fajtor, në Nju Jork, se ka ndihmuar padashur organizatorët shqiptarë të tregtisë së drogës. Sapergia pranoi transportimin e parave nga shkurti deri në dhjetor 2010, me një firmë amerikane transporti. Por ai tha se nuk kishte pasur asnjë ide se paketat që ai dërgonte kapnin miliona dollarë, që kishin ardhur nga shitja e drogës nga karteli shqiptar. Akuzat flasin për një konspiracion të gjerë, mes 1999-ës dhe 2011-ës, ku prokurorët thonë se karteli shqiptar transportoi rreth 500 milionë dollarë.
 
Shkrimi u publikua sot (10.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)