Një Udhëzim i ish-ministrit të Bujqësisë Edmond Panariti i 2 shkurtit 2015 ka lejuar që në Shqipëri të importohet miell për bukë me përmbajtje proteinike 9 për qind.
“Në udhëzimin nr. 12, datë 15.7.2014, ‘Për përcaktimin e treguesve të sigurisë dhe cilësisë së miellit të grurit të parapaketuar, për t'u shitur tek konsumatori i fundit ose për prodhimin e produkteve të tjera ushqimore’, në tabelën e shtojcës II, ‘Kufiri i lejuar dhe metoda e analizimit për disa tregues të miellit të grurit’, kufiri i lejuar për proteinën (Nx5.7) mbi bazën e peshës së thatë është 12.5% dhe bëhet 9%”, thuhet në këtë Udhëzim.
Ky vendim ka bërë praktikisht, sipas ekspertëve të teknologjisë ushqimore, që shqiptarëve t’iu ofrohet produkti, të cilin e konsumojnë me shumicë - buka – me një përqindje shumë të ulët të vlerave ushqyese, me mungesa të mëdha oligoelementësh të domosdoshëm për shëndetin. Por edhe me substanca të shtuara kimike, që janë të dëmshme për shëndetin.
Në fakt, akti nënligjor në fjalë autorizon përdorimin e miellit me 9% proteinë për industrinë e biskotave dhe makaronave (produkte brumi pa maja’), ndërkohë që më parë kufiri për të gjitha llojet e miellit ishte 12.5 për qind. Por, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera në realitetin shqiptar, ky miell përdoret për prodhimin e bukës, pasi është shumë më i lirë, por, duke qenë se ajo fryhet me vështirësi, “pasurohet” me ngjyrosës e aditivë aspak të këshillueshëm për shëndetin, sidomos të fëmijëve.
Organet e kontrollit ushqimor duhej të kishin qenë që prej asaj date shumë më të vëmendshme për përdorimin e miellit me protein të pakësuara. Por një gjë e tillë nuk është bërë, çka sjell aktualisht, jo vetëm protestën e prodhuesve vendas të miellit, që po humbin bindshëm terren në treg (prodhojnë miell me 12-13 për qind proteina), por edhe të mjekëve, të cilët konstatojnë mungesa në hekur dhe jod në bukën që hamë.
Interesat
Ka qenë një presion i vazhdueshëm nga të paktën një kompani kosovare – “M. S..” – që ka “thyer” rezistencën e qeverisë shqiptare në këtë drejtim. Kjo e fundit ka zënë rreth 80 për qind të industrisë së miellit të Kosovës, por tani kontrollon edhe 50 për qind të atij shqiptar. Produkti i saj është më i lirë se ai i prodhuar në vend, por cilësia është shumë më e ulët për miellin e bukës. Në Kosovë gjendet miell edhe me 7% proteina.
Fakt është se kjo kompani e importon miellin jocilësor nga Serbia dhe e ofron për miell buke, duke sjellë në vendin tonë 100 mijë ton në vit, nga 200 mijë ton që përdoren në Shqipëri. Dogana nuk ka ngritur asnjëherë shqetësimin, të paktën publikisht, për hyrjen e një sasie kaq të madhe mielli “për biskota”. Por një gjë të tillë e kanë konstatuar në Kosovë, ku është ngritur problemi se nga Serbia importohen 10 mijë ton miell me proteina të ulta në muaj, ndërkohë që prodhimi mujor i biskotave në vend nuk i kalon 300 tonët. Po pjesa tjetër? Kuptohet që edhe këtu u ofrohet prodhuesve të bukës.
Mielli serb, direkt apo nëpërmjet Kosovës, pësoi një rritje në masën 43 për qind, sipas shifrave zyrtare të Doganës, vetëm në vitin 2016, pas Udhëzimit të ministrit të Bujqësisë. Ndërkohë, ky akt vijon të mbetet në fuqi dhe askush nuk ka ngritur zërin për të kërkuar një përmirësim të situatës, me përjashtim të prodhuesve grosistë të miellit, të cilët shohin me shqetësim uljen drastike të xhiros, që pasohet edhe me pakësimin e vendeve të punës në ndërmarrjet e tyre.
Prodhuesit shqiptarë të miellit pohojnë se tregtarët e Kosovës e importojnë lëndën e parë për blegtorinë nga Serbia me tarifa dhe taksa zero. Duke shfrytëzuar këtë lehtësim, ata importojnë grurë të standardit për blegtorinë nga Serbia, e bluajnë në fabrikat e Kosovës dhe më pas e eksportojnë në Shqipëri. Pasi u lejua hyrja edhe e miellit me 3.5% më pak proteinë në treg në vendin tonë, ky miell hyn shumë herë më lirë se importet e këtij produkti nga vendet e tjera.
Në standardet evropiane prania e proteinave në miellin e bukës kërkohet jo më pak se 14 për qind. Nuk kuptohet se si qeveria shqiptare ka ndërmarrë një akt nënligjor – dhe e mban në fuqi atë – duke qenë se përmban standard shumë më poshtë se ato të BE.
Në rast se shteti nuk i ka patur dhe as nuk i ka kapacitetet që të kontrollojë se ku shkon mielli serb, pse i hyri dhe pse e vazhdon këtë valle? Përveç goditjes së prodhimit vendas, që përdor grurin për ta bluar dhe mund të kontrollohet lehtësisht cilësia e tij, kjo ka pasoja edhe për shëndetin publik.
Administratorët e fabrikave kanë pranuar se mielli me proteina 9% nuk fryhet me sasinë e zakonshme të tharmit, ndaj furrat e bukës përdorin aditivë të tjera dhe ngjyrues për të prodhuar bukë të ardhur normalisht. Përdorimi i këtyre aditivëve nuk kontrollohet nga askush. Kështu konsumatori shqiptar është tërësisht i pambrojtur.
UNICEF vlerëson se, me gjithë shkallën relativisht të ulët të vdekshmërisë nën 5 vjeç dhe nivelit të mirë të ushqimit me gji në muajt e parë të jetës, fëmijët shqiptarë përballen me probleme të shumta të të ushqyerit, duke u shoqëruar edhe me një shkallë të konsiderueshme prapambetjeje në gjatësi dhe mbipeshë, diferenca në gjendjen shëndetësore dhe të ushqyerit, si dhe mungesa në mikroelemente (IDD – pamjaftueshmëria jodike dhe IDA – mungesa e hekurit).
Pikërisht këto dy elemente mungojnë tek mielli problematik. Mikroelementet janë vitamina dhe minerale të nevojshme për një shëndet të mirë. Në Shqipëri, 17% e fëmijëve nga 6-59 muaj vuajnë nga nivele të ndryshme të anemisë, që lidhet me mungesën e hekurit.