Shqiptari "braktis" Hollivudin
për të investuar në Kosovë

Shqiptari për të investuar në Kosovë">
Besi Zeka ka realizuar ëndrrën e tij hollivudiane. I riu nga Peja ka treguar për suplementin Drejt Punës se dëshira e hershme për artin në përgjithësi dhe ajo për filmat e animuar në veçanti e bëri që të linte Kosovën për të vrapuar drejt ëndrrës. Talenti dhe puna këmbëngulëse bënë që dyert në industrinë e Hollivudit të hapen për një nga shqiptarët e paktë që kanë arritur kaq shumë.
 
Besi e ka nisur punën fillimisht me reklama si Nike, Alfa Romeo, Infiniti, TMZ, Muppets etj, dhe pas suksesit të arritur është zhvendosur në botën e filmit ku një prej tyre ishte Transformers 4. Hellitosis, Ara, I Survived a Zombie Holocaust, Last Ditch Therapy, Alone, Candybar, janë disa nga filmat e tjerë ku ai ka punuar si supervizor i efekteve vizuale.

Pasi përfundoi gjimnazin në Prishtinë, Zeka u largua në Amerikë ku dhe është diplomuar për 3D Animacion dhe Efekte Vizuale. Dashuria për filmat dhe ambicia nuk ishin e vetmja arsye që Besi iku aq larg, në vendlindje ishte e pamundur të ndiqte këtë degë pasi nuk ekziston një e tillë.

Kalvari i gjatë i përpjekjeve të Besit, falë tij nuk do të jetë më fati i të gjithë atyre që në pamundësi për të frekuentuar shkollat jashtë Kosovës, duan të studiojnë këtë fushë të veçantë. "LAFILM School" është ëndrra e konkretizuar e 30-vjeçarit. Një shkollë për të gjithë të rinjtë e talentuar që aspirojnë edhe Hollivudin.

Prej dy vitesh Zeka trajnon dhe punëson studentë të kësaj shkolle ndërsa frytet e punës së tij kanë dhënë efektet e para, 4 prej studentëve të tij kanë punuar në një projekt filmik Hollivudian.

Zeka këshillon të gjithë ëndërrimtarët të mos ndalen. “Është shumë rrugë e gjatë por vetëm durimi dhe puna sjellin sukses, pas çdo dështimi ka një mundësi”, shprehet ai.
 
Historiku i shkollës që ke ndjekur nga Kosova në kontinentin e largët?
Unë kam lindur në Pejë ku dhe fillova mësimet e para në shkollën fillore "Ramiz Sadiku" dhe pastaj në vitin 1999 së bashku me familjen u shpërngulëm në Prishtinë ku vijova në shkollën "Xhevdet Doda". Pas përfundimit të shkollës së mesme mora vendimin të iki në Amerikë, në Hollivud. Atje përfundova shkollimin për 3D Animacion dhe Efekte Vizuale. 

Besi Zeka
Besi Zeka

Kur ju lindi dëshira për botën e artit?

Gjithmonë kam qenë i interesuar për filmat vizatimor dhe isha shumë kurioz të dija si bëheshin filmat e animuar dhe në përgjithësi filmat. Kjo ka ardhur edhe nga fakti që njëri nga prindërit e mi ishte me profesion në botën e teknologjisë edhe kjo me ndihmoi shumë që të kem më shumë njohuri rreth saj.

Je nga shqiptarët e paktë që ka punuar në Hollivud, si nisi kjo eksperiencë?

E doja shumë këtë drejtim, diçka më flinte brenda në shpirt, një ëndërr që doja ta prekja një dite. Realizimi filloi kur vendosa të ndjek studimet në Hollivud, pasi në Kosovë dhe askund përreth në rajon nuk kishte një shkollë të tillë. Pas përfundimit të studimeve me një sukses të jashtëzakonshëm që më ndihmoi të krijoj lidhjet e duhura mu hapën dyert për në Industrinë e Filmit e Hollivudit. 

Është e vështirë që të jesh një shqiptar i suksesshëm në Amerikë?

Është e vështirë të jesh në Amerike si një i huaj, jo vetëm si një Shqiptar. Ballafaqohesh me gjëra të reja dhe me sfida të ndryshme që duhet që i përjeton dyfish duke qenë në një vend që duhet t’i përballosh i vetëm pa ndihmën e askujt. Por besoj që me punë vjen suksesi. Mbi të gjitha duhet durim, sepse me këmbëngulje një ditë mund të ja dalësh.
 
Cila është puna që ekzaktësisht bën dhe sa vite ke që e praktikon?

Unë punoj si Supervizor i Efekteve Vizuale, që do të thotë jam mbikëqyrës i punës sa i përket post produksionit. Ka rreth 6 vite që unë ushtroj profesionin në këtë drejtim.
 
Ti nuk je mjaftuar me shkollimin tënd, por ke hapur edhe një shkollë për të gjithë ata që duan këtë degë, na trego diçka mbi këtë projekt.
 
Po, prej disa vitesh kam hapur një shkollë animacioni. "LAFILM School" është vendi ku të rinjtë mund të njihen me këtë fushë të re, të pa eksploruar në rajon. Përveç se jap leksione ajo që përpiqem të bëj është tu krijoj mundësi të rinjve të talentuar që të kapërcejnë kontinentin për të shkuar drejt Hollivudit. Gjithashtu dijet e mia në këtë fushë i ligjëroj edhe në një Universitet në Kosovë. 

Sa vlerësohet në Shqipëri e Kosovë puna që ti bën?

Kjo është një fushë relativisht shumë e re, jo vetëm në trojet shqiptare por në të gjithë botën. Megjithatë vlerësohet dhe krijon vende pune. Nëse dikush është i mirë në këtë fushë besoj që shumë shpejt do të arrijë të punësohet, vetëm se duhet angazhim shumë i madh. 

Ku jeton tani, je mes Kosovës dhe Amerikës?

Jam në lëvizje mes Hollivudit dhe Prishtinës. Me duhet të jetoj në të dyja anët për shkak angazhimeve në filma ndërkombëtarë. Më duhet të shkoj shpesh në Amerikë pasi kam angazhime në filma amerikanë. 

Cilat janë disa nga projektet ku ke punuar?

Unë fillimisht kam punuar shumë në reklama, disa prej tyre janë: Nike, Alfa Romeo, Infiniti, TMZ, Muppets etj, dhe pas asaj jam kyçur në botën e filmit të Hollivudit ku njëri prej filmave ka qenë Transformers 4, pastaj Hellitosis, Ara, I Survived a Zombie Holocaust, Last Ditch Therapy, Alone, etj.

Aktorë të famshëm të cilët ke mundur të takosh në Hollivood, ç’këshilla të kanë dhënë?

Kur je në këtë industri filmi, sidomos në Hollivud ke mundësi të takosh aktorë të famshëm edhe gjatë punës profesionale por nganjëherë edhe në vende të tjera, larg fushës së xhirimit. Por duke qenë se aktrimi edhe fusha animacionit dallojnë nuk mund të këshillojnë diçka fikse, gjithsesi mbizotëron: "Don't quit trying for your dream"(Mos hiq dorë nga përpjekjet për të realizuar ëndrrën tënde).

Ka pasur raste që ke punuar me emra të mëdhenj pa e ditur se për kë bëhet fjalë?
 
Isha pjesë e grupit të punës për një film të shkurtër ndërsa gjithë stafi bënte fotografi me një aktor që quhej "Lance E. Nichols". Unë nuk e kisha idenë se kush ishte. Vetëm kur erdhi momenti i premierës kuptova që bëhej fjalë për një aktor të njohur që kishte luajtur në shumë filma të famshëm si: Benjamin Button, The Mechanic, House of Card, Heist, Fantastic Four etj. Ajo çka dua të them është se në këtë industri nganjëherë punon me një person dhe nuk e ke idenë sa i suksesshëm mund të jetë, kjo për shkak të thjeshtësisë që ka.

Me aq sa keni vëzhguar çfarë nuk shkon me artin shqiptar në përgjithësi?

Artit në trojet shqiptare besoj se i duhet më shumë ekspozim sepse talentet nuk mungojnë por s’kanë mundësi ekspozimi. Duhen më shumë organizime dhe festivale për talentet e reja sepse ata janë më të përshtatshmit për të revolucionarizuar artin. E rëndësishme është që të bashkëpunojnë sa më shumë me njeri-tjetrin sepse në botën e artit pa bashkëpunime nuk ka sukses. 

Planet e tua më të afërta dhe ëndrrat më të guximshme që ke?

Për momentin plani që kam është të angazhohem me shkollën duke mësuar studentët sa më shumë rreth këtij drejtimi. Qëllimi im është t'iu jap mundësi të punojnë edhe jashtë Shqipërisë. Deri më tani 4 nga studentët e mi kanë punuar në projekte filmike Hollivudiane. Një nga ëndrrat e mia është që filmi shqiptar të ekspozohet sa më shumë në Hollivud.
 
Një këshillë për të gjithë ata që kanë “ëndrra hollivudiane”, në cilat rrugë duhet të kalojnë?

Është shumë rrugë e gjatë por vetëm durimi dhe puna mund të sjellë sukses. Mënyra më e shpejtë dhe e lehtë është të synojnë shkollat në Amerikë pasi atje mundësitë janë të mëdha. Pas çdo dështimi vjen edhe suksesi, kështu që nuk duhet të ndalen kurrë.

[gallery]19573[/gallery]

Redaksia Online
(XH.K.shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Me kokainë të fshehur në pako dhuratash, arrestohen 4 shqiptarët në Itali

Me kokainë të fshehur në pako dhuratash, arrestohen 4 shqiptarët në Itali