Thirrja e ambasadës amerikane në Tiranë e ka një shkak: atë duhet ta gjejmë brenda nesh, tek apatia që na ka zënë e jo vetëm tani në këtë vapë të padurueshme qershori, por gjithë këto vite, ku kemi frikë nga reagimi publik, për shkak të frikës së reagimit personal.
Shqiptarja.com dhe A1 Report, do të bëhen që sot pjesë e kësaj nisme. “Vepro tani”, duhet të jetë moto e gjithë mediumeve tona, dhe ne do të veprojmë. Ndryshe nga sa keni lexuar, sot do të shikoni në faqet e shqiptarja.com se debatin politik shterpë, atë që nuk përcon e nuk përcjell asnjë mesazh për të mirën e përbashkët publike, do ta pasqyrojmë në faqet e fundit të gazetës. Ndokush mund të mendojë se iniciativa jonë nuk i shërben kujt. Por shu mëkush mund të kuptojë drejt se është koha për ta bërë një gjë të tillë. Në fund të fundit, të parët që duhet të reagonim do të duhet të ishim ne, pa na mësuar askush sesi duhet të ndodhë reagimi.

Shqiptarja.com do t'i lërë më shumë hapësirë sot zërit të qytetarëve, reagimit të ekspertëve dhe intelektualëve, fenomeneve shqetësuese dhe korrupsionit të përhapur në çdo aspekt të shoqërisë.

Politikanët? Do të përpiqemi t'u japim vendin që u takon. Për ato që kanë thënë e nuk kanë thënë. Me shpresën se do t'u japim edhe atyre mesazhin: Act now! Tani mesazhin e kemi marrë. E rëndësishme është që gjithsecili të veprojë. Por më shumë, të veprojë media që përpunon dhe opinionin publik.