Gjithshka ndryshon, thoshin filozofët e lashtë. Aq sa, në të njejtat ujra të lumit nuk mund të lahesh dy herë. “Panta rei”! Lëviz, ndryshon, edhe shija kolektive e opinionit publik. Jo vetëm në Shqipëri. Globalizimi i teknologjisë më të fundit të informacionit ka sjellë zakone të reja. Të cilat një gazetë nuk mund të mos i përfillë. Celularët, tabletat, kompjuterat kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën e marrjes së informacionit, në gjithë botën.

Shqiptarja.com i paraqit nga sot lexuesit të saj një format dhe koncept të ri editorial. Për të përzgjedhur atë, ndër miliona varjantet e mundshme, redaksia u përpoq për një kohë të gjatë të mbledhë mendimet, opinionet e shtresave të ndryshme të popullsisë. Për çka organizoi edhe sondazhe, edhe fushata publicitare, me qëllim përcaktimin sa më të saktë të asaj se çfarë u intereson më shumë shqiptarëve të gjejnë në faqet tona.

Si pjesë e një grupi multi-medial, gazeta është përpjekur të spostojë më mirë drejt shijeve të reja të lexuesve formatin e saj në print, krahas atyre që preferojnë varjantin online. Gjithnjë në përpjekje për të qenë në shërbim të lexuesve të çdo moshe, jashtë e brenda vendit.

Besojmë që kjo të jetë një përpjekje e suksesshme. Dhe sigurojmë se do të jemi të vëmendshëm për të analizuar seriozisht çdo sugjerim dhe kërkesë tjetër nga lexuesit, për të arritur maksimumin në këtë botë në ndryshim kaq të shpejtë, për të realizuar gazetën siç e duan shqiptarët.    

*Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com data 14 Maj 2015

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)