Zonja Basha, çfarë të rejash sjell që këtë javë Shqiptarja.com?
Gazeta “Shqiptarja.com” bëhet gjithmonë e më e kërkuar në treg. Edhe pse është një gazetë që ka katër muaj që ka parë dritën e botimit, duket se ka fituar shumë shpejt lexuesit e vet që shtohen nga dita në ditë.
Ndaj kemi vendosur që duke nisur nga numri i ri i të martës, pra ditën e nesërme, në 7 shkurt, do të dalë në treg për lexuesit e saj me 24 faqe dhe me çmimin 30 lekë. Sigurisht në projektin tonë të zgjerimit, është rritur mjaft edhe stafi i gazetarëve, duke afruar pranë vetes një staf profesionistësh.
Po ndërkohë çfarë do të ketë në përmbajtje?
Ka qenë ide e hershme e ne gazetarëve themelues të këtij grupi të ri mediatik ajo e suplementeve. Sepse lexuesit tanë, duan të lexojnë lajmet e përditshme në një mënyrë ndryshe në shqiptarja.com, por kanë interes edhe për dossier të tjerë interesant. Çdo të martë e të mërkurë, dossierët do t’u kushtohen çështjeve të bujshme, edhe kriminale, apo raporteve që shkruhen në zyrat e shtetit po nuk e kanë parë ndonjëherë dritën e botimit për opinionin publik; ndërkohë që nuk do të mungojë edhe suplementi i veçantë për studentët, sidomos ata të gazetarisë. Ata që nesër do të jenë reporterët e terrenit, që në këtë moment do të jenë bashkëpunëtorët tanë.
Ditën e enjte do të ketë një suplement të veçantë për çështje të mjeksisë, një projekt që do të bëhet po nga vetë studentët e mjekësisë. Sëmundje të ndryshme, doktorët, kushtet e spitaleve, ilacet, operacionet e lehta e të vështira, këshillat e mjekëve, do të jenë në fokusin kryesor të studentëve të Almedicus në bashkëpunim me gazetarët e shqiptarja.com.
Por, secili nga ne, madje edhe pas kërkesave të veçanta që patëm nga lexuesit, planifikon fundjavat ndryshe me miqtë, shoqërinë, familjen. Çdo të premte, do të sjellim suplementin “Fundjavë” në mënyrë që t’ju japim informacion të veçantë për destinacione turistike brenda dhe jashtë vendit. T’i orientojmë për restorantet dhe ushqimet tradicionale, vendet e veçanta që duhet të shohin, e po ashtu, pse jo edhe jetën e natës. Ashtu sikurse do të ketë intervista me personazhe që mund të jenë udhërrëfyesit tuaj në destinacionet turistike. Ndërsa të shtunën, do të vijë për lexuesit tanë suplementi “Thash&Them” që do të ketë të rejat dhe kuriozitetet për VIP-at brenda dhe jashtë vendit.
Sigurisht, sikurse lexuesit tanë janë mësuar tashmë, vjen çdo të diel suplementi “Rilindasi” me shumë profesionalizëm nga kolegia Admirina Peçi. Pra siç e shihni, brenda një jave, në duart tuaja me faqet e shqiptarja.com, do të keni gjithë informacionin e nevojshëm për ditët tuaja.
Pse gjithë ky zgjerim?
Unë e përmenda, grupi ynë mediatik do të zgjerohet edhe më tej, me projekte konkurruese në fushën e medias brenda vendit. E kuptojmë se kjo mund të shkaktojë xhelozi në ambiente provinciale gazetareske në Tiranë. Por, na vjen mirë tek shohim që diskutohemi dhe rritemi dita ditës me energji të reja dhe me ide të reja. Kjo na bën të jemi profesionalë dhe të kërkuar në treg nga lexuesit, por në veçanti në web, ku numri i klikimeve rritet dita ditës duke lënë pas në klasifikim shumë media shumëvjeçare.