Një shqiptare ulet për herë të parë në Parlamentin Europian. Ajo është Arba Kokalari, që jeton prej vitesh në Suedi. 32-vjeçarja shqiptare mori mbështetjen e suedezëve në zgjedhjet për parlamentin Europian që u zhvilluan ditën e diel. Kokalari është pjesë e partisë së Moderuar të Suedisë (Moderatna).

Unë kam hyrë në parlamentin evropian! Faleminderit për të gjithë ata që kanë luftuar për mua!” shkruante deputetja më e re e PE, Arba Kokalari në Facebook pas daljes së rezultateve. Partia ku bën pjesë edhe shqiptarja fitoi 17.6 % të votave të përkthyera në 4 deputetë në PE.

Por kush është ajo? Arba Kokalari lindi në Tiranë më 27 nëntor 1986 dhe është mbesa e Musine Kokalarit së diplomuar në "La Sapienza" të Romës në vitin 1941, por që u dënua dhe internua më vonë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në Shqipëri dhe vdiq në 1983. 


Arba Kokalari që 16-vjeçe nisi të merrej për herë të parë me politikë, ndërsa vitet e fundit ishte mjaft aktive në partinë e saj ku udhëhoqi rininë dhe departamentin e Kulturës në qytetin e Stokholmit, po ashtu edhe zëvendëse e kryetarit të shoqatës së EPP-së YEPP në maj 2015.

Pas fitores së arritur 32-vjeçarja shqiptare ka marrë shumë urime nga shqiptarët në mbarë botën, por edhe politikanët në Tiranë dhe Prishtina. Pati disa kandidatë shqiptarë në zgjedhjet europiane në Belgjikë, Greqi, Itali dhe Suedi, por vetëm Kokalari arriti që të fitonte.