Protesta e “Shqipëria Bëhet” vijon edhe ditën e sotme para Kryeministrisë. Drejtuesi i kësaj nisme Adriatik Lapaj gjatë fjalës së tij vuri theksin te skandali që përfshin zv/kryeministren Belinda Balluku, të cilin e cilësoi si provë të qartë të korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit.

Sipas tij, rasti i zv/kryeministres Balluku është prej muajsh i njohur publikisht, por institucionet kanë heshtur.

Ai theksoi se protestat e javëve të fundit kanë thyer kontrollin e debatit publik dhe kanë rikthyer reagimin qytetar. Lapaj deklaroi se ka nisur organizimi për protestën e 4 janarit, ku bëri thirrje për pjesëmarrje masive.

'Sot kemi nisur organizimin për protestën e datës 4 janar. Në orën 12:00 i madh e i vogël, nga cdo shtresë sociale, nga çdo cep i vendit, nga fermerët që janë përmbytur e nuk kanë marrë dëmshpërblimet, duhet të bashkohen masivisht për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin e klikës në pushtet. Vendi ka filluar të ngjallet nga vdekja klinike.

Sa protesta kanë ndodhur në këto 3 javë nga grupime të ndryshme, nuk ka pasur në 3 vitet e fundit. Këta e kishin kapur dhe marrë peng debatin publik. Qytetarët që po reagojnë po imponojnë një agjendë të re. Kishte muaj që dëshmohej se zv/kryeministrja ishte kapur në flagrancë duke vjedhur para e qytetarëve, por vetëm heshtje…

Janë munduar edhe ta relativizojnë duke thënë këta të korruptuar janë, ‘por ja na ikën këta kush do vijë?”. Do na vijnë njerëz të pakorruptuar, sepse nuk i kanë rrënjët që kanë këta dhe tjetra të gjithë e kanë kuptuar se edhe nëse vjedh vjen një ditë që nuk shpëtim', tha ai.