Shtatë ditë pasigurie, kërcënimesh, negociatash në prapskenë. Shtatë ditë, mbi të gjitha, pritjeje të brishtë dhe lojërash dyfytyrëshe, shkruan Corriere della Sera. A do të jetë Delcy Rodríguez, e fuqishme, por jo popullore dhe as karizmatike, liderja e re e Karakasit, në gjendje të çojë përpara "momentin e ri politik," siç e ka quajtur dhe të mbijetojë përballë planit në tri faza të Trump për "të rindërtuar" Venezuelën pa shpërbërë regjimin?

Nuk ishte e sigurt që për të menaxhuar situatën pas sulmit, presidenti amerikan të mbështetej tek 56-vjeçarja, numri dy i regjimit, e arsimuar në Francë dhe Britaninë e Madhe, e cila ka mbajtur poste të ndryshme ministrorë në Komunikim, Ekonomi, Punë të Jashtme, Financa dhe Hidrokarbure, gjithmonë nën hijen e Nicolás Maduro. Një raport i CIA-s, i cili paralajmëronte për rreziqet e paqëndrueshmërisë nëse liderja e opozitës, María Corina Machado, merrte pushtetin, ishte vendimtar për Sekretarin e Shtetit, Marco Rubion, në zgjedhjen e saj si ajo që duhet të udhëhiqte Venezuelën pas kapjes së Maduro. Delcy, megjithatë, ishte një emër i njohur në Uashington dhe midis këshilltarëve të Trump. “Zonja e pamëshirshme” e naftës, që në vitin 2017, për të zbutur marrëdhëniet me SHBA, akordoi një donacion prej 500,000 dollarësh për inaugurimin e parë të presidentit Trump përmes Citgo Petroleum, atëherë një filial amerikan i PDVSA-s.

Betimi

Vetëm 48 orë pas sulmit amerikan më 3 janar dhe kapjes së Maduroa, Delcy Rodríguez bëri betimin si presidente e përkohshme në ditën e parë të punës së Asamblesë së re të Përgjithshme, të udhëhequr nga vëllai i saj, Jorge. Ishte një parlament de facto me një parti, i zgjedhur në maj 2025, me vetëm disa përfaqësues të opozitës. "Unë vij me dhimbje për vuajtjet që populli venezuelian ka kaluar pas një agresioni ushtarak të paligjshëm ndaj atdheut tonë. Vij me dhimbje për rrëmbimin e dy heronjve që mbajmë peng në Shtetet e Bashkuara", tha liderja e re "lider maxima". Por më pas shtoi: "Vij me dhimbje, por duhet të them se vij gjithashtu me nder për të bërë këtë betim."

Kështu filloi era e dyshes Rodríguez, çifti i pushtetit që për vite ka menaxhuar sektorë të mëdhenj të ekonomisë (dhe financave përkatëse) të vendit. Ajo, avokatja dhe më e forta dhe më e vendosur ndër të dy, thonë ata që janë më të informuar. Gruaja që guxoi të drejtonte gishtin kundër diplomatëve amerikanë dhe europianë për të mbrojtur represionin e vitit 2014 kundër "terroristëve", të cilët ishin kryesisht të rinj që protestonin kundër regjimit dhe që u vranë ose u arrestuan me dhjetëra. Ministrja që ndërhynte në takime ndërkombëtare ku nuk ishte e ftuar. "Taktikat e saj luftarake i shërbyen mirë ndërsa ngjitej në radhët e një qeverie të udhëhequr nga burrat." Kryesisht ushtarë ose ish-ushtarë, si ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino ose ministri i Brendshëm Diosdado Cabello, dy ruajtësit e Revolucionit që drejtojnë forcat e armatosura dhe Colectivos-in e famshëm. Të dy, më 5 janar, siguruan mbështetje për presidenten e re. Po ashtu dhe Nicolásito, djali i Maduro, që shpalli në parlament: "Atdheu është në duar të sigurta, baba."

Nata e mistereve

Pajtimi zgjati pak. Një e shtënë misterioze kundër drone-ve "miqësorë" mbi Pallatin Presidencial të Miraflores dhe "krekosjet" e Cabello-s me djemtë e tij në rrugët e Karakasit: "Besnikë gjithmonë, tradhtarë asnjëherë", bërtisnin ata në video, por shpejt zbuluan brishtësinë e epokës Rodríguez. Pasi kaluan disa orë, administrata Trump ndërhyri dhe, përmes ndërmjetësve, paralajmëroi Cabellon që të qetësonte tonet e përplasjeve brenda regjimit: "Nëse nuk bashkëpunon, do të përfundosh si Maduro." Një kërcënim i ngjashëm i ishte drejtuar edhe Delcyt. Por ajo e ka siguruar disa herë Trump: “Bën gjithçka që i themi.”

Muaji i mjaltit

Që nga ai moment, filloi periudha e "muajit të mjaltit" mes Uashingtonit dhe Karakasit. Që në mbrëmjen e së dielës, Rodríguez e ftoi Trumpin të "bashkëpunonin program bashkëveprimi, të orientuar në zhvillim të përbashkët." Më 7 janar, një njoftim nga kompania shtetërore e naftës PDVSA konfirmoi fillimin e negociatave me SHBA për furnizimet me naftë, "një transaksion tërësisht komercial, në përputhje me parimet e ligjshmërisë, transparencës dhe përfitimit të ndërsjellë." Më 9 janar, Rodríguez priti funksionarë të Departamentit të Shtetit për të diskutuar rihapjen e ambasadës amerikane në KaraKas. Nuk do të jetë një rrugë e lehtë. Sfida më komplekse për Rodríguez do të jetë menaxhimi i lidhjeve të thella të Venezuelës me Kinën, Rusinë, Iranin dhe Kubën, ndërkohë që punon edhe me Trump-in.

“Xhentëlmeni i Parë”

Ish-revolucionarja e shndërruar në teknokrate, e mbijetuar nga pastrime të panumërta dhe luftëra të fshehta brenda hierarkive të tjerë të regjimit, ka treguar tashmë aftësi të mëdha për balancimin politik. Tani ajo duhet të përmbushë kërkesat e Uashingtonit, duke shmangur një grusht shteti të brendshëm. Kështu, dje, gjatë një vizite në një komunitet në Sucre, ajo rikonfirmmoi besnikërinë e saj ndaj Maduros dhe Zonjës së Parë Cilia Flores, ("Nuk do të ndalemi për asnjë minutë deri sa t’i kemi prapë"), por vetëm disa orë më vonë konfirmoi negociatat me autoritetet amerikane për rihapjen e ambasadave përkatëse, duke e quajtur atë një mjet për "të ripërsëritur dënimin" e ndërhyrjes ushtarake amerikane.

E shtrënguar midis dëshirave të Trump, i cili kërkon të qeverisë Venezuelën "për vitet që vijnë," dhe forcave centrifugale të shumta brenda pallateve të Karakasit, ajo do të duhet të stabilizojë institucionet dhe të mbajë gjallë një ekonomi të lëkundur, duke pritur për "mrekullinë" që ka premtuar Shtëpia e Bardhë.

Delcy, megjithatë, di si të menaxhojë paratë dhe favoret. Ajo ka tërhequr investitorë të huaj dhe sipërmarrës venezuelianë. Ajo ka zbutur hiperinflacionin dhe ka rinisur rritjen ekonomike. Gjërat nuk po shkojnë keq as në familje. Partneri i saj, Yussef Abou Nassif Smaili, me origjinë libaneze, është një nga biznesmenët më të pasur të Venezuelës. "Xhentëlmeni i Parë", 36 vjeç, sipas gazetës meksikane Reporte Índigo, ka mbledhur një pasuri prej 500 milionë eurosh nën hijen e regjimit. Ndoshta Trump do ta vlerësojë edhe këtë.