PRISHTINË, 28 Shkurt/ATSH/.- Sot bëhen 17 vite që nga fillimi i luftës në Kosovë, pas sulmit të ushtrisë serbe në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovë. Sulmi filloi më 28 shkurt të vitit 1998.
Si pasojë e betejës së zhvilluar të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe kanë mbetur të vrarë disa policë serbë dhe në shenjë hakmarrjeje forcat serbe rrethuan fshatrat Likoshan e Qirez, ku edhe u ekzekutuan 24 civilë.
Masakra që u bë aty njihet si e para ndaj civilëve shqiptarë nga forcat serbe në Kosovë.
Nga kjo luftë u dëbuan 800,000 mijë shqiptarë dhe u vranë 15,000 persona, nga të cilët 2,400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerët civilë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5,000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara.
Një ndër masakrat që tronditi botën e civilizuar dhe tmerroi botën ishte masakra në familjen Ahmeti.
Njësitë kriminale dhe artileria e rendë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale, bisnese, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj.
Kjo luftë, që filloi nga 28 shkurt 1998 e deri më 23 mars 1999, u zhvillua mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. Ndërsa nga 24 marsi 1999 e deri më 10 qershor 1999, Aleanca Veriatlantike NATO me bombardime të përditshme me përkrahjen tokësore të UÇK-së detyroi forcat serbe dhe Sllobodan Millosheviçin të nënshkruajë kapitullimin në Kumanovë./Kosovapress/k.s/











