Për familjen Vuka në Pllanë të Lezhës nuk ka festë. Viti i ri 2021 do t'i gjejë sërish në kontejner. Banesa e tyre dy-katëshe u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019-të dhe që prej asaj kohe asgjë nuk ka ndryshuar.

Situata për ta bëhet më e vështire, pasi kryefamiljari është i paralizuar.

"Shumë e vështirë është për ne për familjen, gruan dhe kalamajtë", shprehet kryefamiljari Valentin Vuka.

"Më e vështirë nuk ka ku shkon por kush nuk e ka në shtëpi nuk e di. Shtëpinë e kam DS4, për shembje me u bë shtëpi e re. Më keq është për të sëmurin. Të sëmurit nuk i bëhet dot shërbimi në kontejner. Duhet t’i jap forcë vetes për hir të fëmijëve. Nuk kam parë as prefekt asgjë për të ardhur për të parë gjendjen”, tha bashkëshortja Donika Vuka.

 Bashkëshortet Vuka, prindër të tre fëmijëve kërkojnë rindërtimin e shtëpisë.

" Me bë diçka se s’ka Zot që rri këtu në këtë lloj çadre, natë e ditë është ftohtë”, tha Valentin Vuka.

Ndërsa Donika Vuka bashkëshortja tha se "Apel për shtetin kam, qëkur na ka lenë pas dore ka 14 muaj sa më shpejt për të ndihmuar familjen time, me vënë dorë më shumë prej të sëmurit.

Në situatë të ngjashme janë dhjetëra familje në fshatrat e Lezhës dhe Kurbinit, ndërsa rindërtimi i  banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti ende nuk s'ka filluar.