Shtet i mjerimit!

Hiç më pak se 66 mijë qytetarë të Kosovës në pesë vitet e fundit kanë kërkuar azil në njërin nga shtetet e Evropës, por edhe më gjerë.

Dhjetëra mijëra të tjerë janë duke qëndruar aktualisht në këto shtete në mënyrë ilegale, duke mos u regjistruar askund, por duke punuar në të zezë e duke mbajtur me bukë familjen e tyre në Kosovë.

Ndërkaq, qindra të tjerë çdo ditë po bëjnë përpjektë për t’iu bashkuar “shokëve” të tyre që gjenden si azilantë në ndonjërin prej shteteve të zhvilluara evropiane, ku disa nga ta gjenden në kampe, disa nëpër parkingje nëntokësore të automjeteve, por ka të atillë që janë duke jetuar nën këmbët e një ure diku në një qytet të Francës.

Çdo ditë e më shumë, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë qytetarët e këtij vendi janë duke u dëshpëruar me realitetin e hidhur në Kosovë, ku shumica prej tyre që vendosin ta braktisin vendlindjen nuk e kanë më të voglën shprese për të siguruar kafshatën e gojës nga puna që munden për të bërë në këtë shtet. De fakto, papunësia në vend po rritet dita- ditës, pasi që në vazhdimësi si pasojë e krizës shumë punëtorë po humbasin vendet e tyre të punës, e sidomos ata që punojnë në sektorin privat.

E de jure të dhënat zyrtare të fabrikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës e flasin të kundërtën, ku sipas tyre në Kosovë në vazhdimësi kemi rënie të numrit të papunëve në vend.

Por, mungesa e mjeteve në qarkullim shtetin tonë edhe më thellë po e fut në krizë.

Sivjet pjesa dërrmuese e mjeteve që janë shpenzuar përmes proceseve të prokurimit kanë dalë jashtë Kosovës gati rreth gjysmë milioni euro.

Po ashtu, sipas të dhënave zyrtare gjatë vitit 2012, përmes tenderëve kompanitë e huaja nga buxheti i Kosovës kanë marrë hiç më pak se 325 milionë euro.

Nga kjo shumë, 235 milionë euro i ka marrë konsorciumi “Bechtel & Enka”.

Ndërkaq, 90 milionë euro i kanë marrë kompanitë tjera të huaja.

Dhënia e tenderëve kompanive të huaja, edhe më shumë e ka rritur krizën në vend, pasi që pjesa dërrmuese e bizneseve që janë futur kredi për t’i zhvilluar kompanitë e tyre nuk kanë mundësi që paratë t’ua kthejnë bankave përmes ratave.

Kohëve të fundit qindra objekte biznesi, shtëpi banimi, pronë e biznesmenëve të ndryshëm janë nxjerrë në shitje nga bankat komerciale në vend, pasi që pronarë të atyre bizneseve nuk kanë pasur mundësi ta kthejeni kredinë në bankën ku e kanë marrë.

E gjithë jeta, por ne veçanti ambienti biznesor në vend gjithnjë e më shumë po vështirësohet. Shteti po krijon dhe ndërton kompani gjigante, e në anën tjetër po shkatërron qindra e mijëra biznese të vogla, në të cilat kanë punuar një numër i konsiderueshëm i njerëzve.

Kosovës pa dyshim se i duhen autostrada, e rrugë të mira, mirëpo para së gjithash të rinjve të këtij shteti iu duhet perspektivë për të jetuar e zhvilluar.

Aktualisht ata të vetmen rruge për të gjetur shpëtim po e konsiderojmë emigrimin ilegal në ndonjë shtet të zhvilluar të Bashkimit Evropian.

Në Kosovë në vazhdimësi po tentohet të aplikohen standarde evropiane. Mirëpo, pjesa dërrmuese e popullit është duke bërë jetë afrikane.

Marrë nga "Zëri"

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Turpërimi në Superkupë, Pique dhe Iniesta provokojnë Realin me 'manita'! Ancelotti: Në finale s'luajtëm futboll

Turpërimi në Superkupë, Pique dhe Iniesta provokojnë Realin me 'manita'! Ancelotti: Në finale s'luajtëm futboll