Siç edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e kishte paralajmëruar Ish kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, nuk 'është shqitur' për inceneratorët

Ajo ka publikuar një foto ku duken disa dosje të depozituara në SPAK për aferën e inceneratorëve. Sipas Kryemadhit, çdo ditë që kalon pa veprimin e drejtësisë, shteti i kapur furnizon korrupsionin e inceneratorëe.

Shqipëria, sipas Kryemadhit nuk duhet të jetë kurbani i Ramës dhe Erion Veliaj.

‘Çdo ditë që kalon, paratë që mund të shkonin për rritje pagash dhe pensionesh, shkojnë për llogari të zyrtarëve të qeverisë, përmes skemës së inceneratorëve. Çdo ditë që kalon pa veprimin e drejtësisë, shteti i kapur furnizon korrupsionin e inceneratorëve, me paratë e gjakut të shqiptarëve. E përmes kësaj vjedhje të përditshme, pushteti tenton të korruptojë, manipulojë e kontrollojë edhe çdo qelizë tjetër në vend, që të vijojë i pashqetësuar vjedhjen.

Këto në foto janë dosjet e dërguara në SPAK përpara disa javësh, ku faktohet me të dhëna nga dokumente zyrtare, se vetëm evazioni fiskal i skemës së inceneratorëve kap vlerën 30 milionë dollarë, ndërsa me skema të ngjashme si inceneratorët, llogaritet një evazion fiskal 189 milionë dollarë.

Ndërkohë, me fakte, shkresa dhe analizë profesionale, janë evidentuar më parë edhe të gjitha shkeljet proceduriale të zyrtarëve të inceneratorëve.

Shqipëria nuk mund të bëhet kurban për karrierat politike të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tyre në këtë çështje. Zbardhja e inceneratorëve duke mos mbyllur sytë ndaj fakteve, duke kryer hetime me integritet larg intimidimeve apo joshjeve, si dhe ndjekja e parasë së korrupsionit, është pikënisje e një drejtësie të vërtetë e të pavarur në Shqipëri.’- shkruan Monika Kryemadhi.

Fotoja e publikuar nga Kryemadhi 

Ka apo nuk ka lidhje me Inceneratorin e Tiranës, i mbetet Prokurorisë së Posaçme ta zbulojë, por denoncimi i bërë publik për herë të parë nga ish kryetarja e Lëvizjes Socialiste, Monika Kryemadhi, nxjerr në pah një nga skemat më të mëdha të mashtrimit financiar, bërë edhe në kurriz të disa pensionistëve shqiptarë. 24 kompani, që Kryemadhi i denoncoi me emra kanë leshuar fatura për shërbime të ndryshme, në vlera marramendëse, duke mos i paguar shtetit tatim-fitimin, TVSH dhe gjobat. Në këto kushte, janë kthyer në borxhlinj ndaj Drejtorisë së Tatimeve, 189 milionë dollarë evazion fiskal, sipas denoncimit të LSI-së.