Kushtetuta sanksionin parimin e barazisë së qytetarëve përpara ligjit. Koncepti i “barazisë përpara ligjit” vlen për qytetarët, por në modele politike si Shqipëria, bën diferencë midis qytetarëve dhe pjesës vendimmarrëse politike. Ligje quhen aktet që miratohen në parlament, dhe në parlament kanë të drejtë vote vetëm ata që përfaqësohen aty, pra deputetët. Nëse deputetët miratojnë një ligj me standard të ndryshëm nga pjesa tjetër qytetare, pavarësisht debateve dhe komenteve, ata formalisht janë korrekt me përcaktimin “përpara ligjit”. I tillë është rasti i pensionit në Shqipëri.

                Legjislacioni shqiptar parashikon moshat minimale të daljes në pension (65 burrat dhe 60 gratë), kurse Banka Botërore sugjeron që limiti i moshës të rritet, 65 për gratë dhe 70 për burrat. Në periudhën e krizës shumica e vendeve rishikuan moshat e pensionit dhe madje pati raste, si Zvicra, ku u refuzua nisma për uljen e moshës, me idenë racionale se çdo favor momental ka pasoja për të ardhmen e sistemit të politikave sociale. Referuar të dhënave zyrtare ekzistojnë disa shtete evropiane që kanë moshë më të lartë ose më të ulët të daljes në pension, midis limiteve 60 dhe 67 për burrat dhe proporcionalisht edhe për gratë. Vendet me moshën më të lartë janë edhe vendet më të zhvilluara dhe avancuara në politika sociale, - gjë që nënkupton se cilësia e punës atje ndryshon shumë me cilësinë e punës në kushtet e mbijetesës ekonomike, në një vend tradicionalisht të varfër si Shqipëria.

                Në praktikë jo çdo profesion mund të konsumojë moshën maksimale të pensionit, ndaj edhe për disa kategori ekzistojnë diferenca trajtimi. Për shembull, të tillë janë minatorët me një jetë të vështirë dhe në kushte të veçanta, janë ushtarakët, si edhe disa grupe të tjera specifike. Ka pasur dhe ka një konsensus politik (jo vetëm në Shqipëri) që kategori të tilla të kenë diferencë pozitive në përcaktimin e kufijve të moshës së pensionit.

Gjithsesi treguesi më i qartë i mungesës së konceptit dhe parimit të barazisë së qytetarëve përpara ligjit mbeten një kategori tjetër specifike, që nuk ka të bëjë me nëntokën, me vështirësitë në profesion, me jetën në gatishmëri apo me kushte të tjera të jashtëzakonshme. Ata janë politikanët dhe zyrtarët e lartë të piramidës kushtetuese. Sipas legjislacionit tonë (të propozuar dhe miratuar konsensualisht nga vetë deputetët), deputetët e parlamentit kanë të drejtë të dalin në pension të parakohshëm dhe të përfitojnë pension suplementar që në moshën 55 vjeç, pra 10 vjet më pak sesa pjesa tjetër e popullsisë. Kushti për daljen në pension të parakohshëm është qenia dy vjet deputet në parlament ose në funksion, për pjesën tjetër të zyrtarëve të lartë të institucioneve kushtetuese.

Kur thuhet “pension” suplementar bëhet fjalë për një pagesë ekstra, që shkon deri në 50-60% të pagesës referuese të zyrtarëve në detyrë. Pra, të gjithë deputetët që kanë përmbushur kriteret e pensionit suplementar trajtohen me gjysmën e rrogës së deputetit aktual, shifër që është e njëjtë me rrogën e një pedagogu në universitet dhe 2-2.5 herë më e lartë sesa masa e pensionit maksimal që marrin qytetarët dhe 2.3-3.5 herë më shumë sesa masa e pensionit minimal të qytetarëve. Kur kjo kategori del në pension duke qenë në funksion, përfitimi është gati dyfish më i lartë, gjë që shpjegon edhe kapjen e një kategorie politikanësh pas pushtetit, me çdo kusht dhe me çdo çmim. Në gjuhën e shifrave, nëse për qytetarin e thjeshtë pensioni minimal dhe maksimal vjen në moshën mesatare 65 vjeç, një deputet apo funksionar i lartë ka konsumuar ndërkohë të paktën 10 vjet pension suplementar. Nëse jetëgjatësia në Shqipëri varion nga 73-75 vjeç atëherë qytetarët e thjeshtë (shumica absolute e popullsisë) në rastin më të mirë pas 35-45 vite pune mund të përfitojë një pension minimal-maksimal vetëm 8-10 vjet, ndërkohë që për zyrtarët e lartë kushtetues dhe deputetët përfitimi i pensionit suplementar varion nga 18-20 vjet, pra dyfish më gjatë sesa shumica qytetare.

Ky raport i disbalancuar i politikës sociale që vetë elita politika ka krijuar gjen alibi në praktika të njëjta në ndonjë model perëndimor, ku funksioni i lartë kushtetues dhe mandati parlament ka një vlerë e produkt tjetër publik. Në rastin shqiptar ku deputetët janë produkte të listave të gatshme dhe vullnetit personal të kryetarëve të partive, ku shumica nuk flasin, nuk njihen, nuk bëjnë akte me dobi publike, etj, privilegji jetësor i funksionit, është privilegj i shumëfishtë dhe moralisht shumëfish i pamerituar.

Nëse një kategori sociale, siç janë mësuesit, edukatorët, punonjësit shkencorë, minatorët, etj, kërkojnë rishikim të moshës së tyre të pensionit me idenë e uljes së saj, politika vendimmarrëse në parlament tradicionalisht ka qenë refuzuese, duke vënë përballë kërkesës së tyre pamundësinë ekonomike të shtetit dhe konfliktin e interes të grupimit propozues. Kur vetë deputetët propozojnë dhe bëjnë ligje favorizuese për veten, askush nuk flet për konflikt interesi, nuk ka debat parlamentar, nuk ka grindje dhe as protesta në foltore, por kartonë të ngritur, heshtje dhe miratim të shpejtë konsensual.

Duke marrë të mirëqenë dyshimin e pretenduar në këtë rast midis debatit moral dhe praktikës së njëjtë edhe në ndonjë vend tjetër, rasti shqiptar dëshmon edhe diçka tjetër specifike: nuk ka ndodhur asnjëherë, as në kohë krize dhe as në kohë ngjarjesh tragjike, që një grup deputetësh apo gjithë parlamenti, disa zyrtarë të lartë apo ndonjë institucion kushtetues, të dëshmojnë qoftë edhe simbolikisht ndonjë akt human, duke hequr dorë nga pagesa, duke dhënë një kontribut financiar, duke iniciuar kufizimin e ndonjë privilegji apo duke kërkuar/pranuar që kriza ekonomike të prekë në nivel të njëjtë të gjithë, pushtetarët dhe qytetarët. Përkundrazi. Nëse i referohemi viteve të fundit rrallë ka pasur ndonjë zë parlamentar që ankohet për grupe qytetare kur këta të fundit janë pa rroga mujore, ndërkohë që të shumta janë rastet kur deputetët ankohen për rrogat e veta dhe madje shkojnë në gjykatë për të kërkuar rrogat, honoraret dhe pagesat e kamatë-vonesave!

Kontrasti midis pakicës që qeveris prej 23 vitesh dhe shumicës që keq-qeveriset prej dekadash, midis një pakice që ka krijuar një standard luksi për veten dhe një shumice që më shumë mbijeton sesa jeton ekonomikisht, - shpreh në vetvete kontrastin midis oligarkisë që ofron politika dhe demokracisë që presin qytetarët. Në Shqipëri hendeku është i thellë midis dy palëve edhe për shkak se të gjitha burimet kryesore ekonomike funksionojnë më shumë si monopol dhe kanë pronar apo avokat individë me pushtet (dje e sot), ndërkohë që ende mungon shtresa e mesme në një vend ku shumica prêt rrogën apo pensionin e radhës. A mund të ketë demokraci funksionale në një vend ku varfëria përbën shumicën dhe oligarkia e pakicës ka pushtetin politik dhe ekonomik? Mbetet utopi, siç mbetet utopi aspirata e dy dekadave për një Shqipëri si e gjithë Evropa, dhe premtimi permanent i çdo zgjedhjeje për fillim të ri, rilindje/ringritje, mirëqenie, zhvillim e integrim të merituar në BE.
 
 
Shkrimi u publikua sot (23.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)