Dje zyrtarisht u përkujtua 5 maji, dita e dëshmorëve. Të majtë e të djathtë u vunë në garë për të nderuar, secili sipas oreksit preferencial politik, - periudha, ngjarje dhe individë që lidhen me historinë, luftën, qëndresën dhe memorien publike. Si përherë diferenca mbetet midis perceptimit që palët kanë për Luftën e Dytë Botërore dhe të rënët e saj, dhe për rrjedhojë, me çdo ngjarje e individ që gjatë 60-80 viteve të fundit është identifikuar me palët rivale politike të asaj lufte. Disa nderojnë partizanët e rënë në luftë, disa nderojnë nacionalistët e rënë në luftë, por të gjithë e bëjnë këtë me solemnitetin më të madh, me ceremony zyrtare, përpara të njëjtës statujë dhe në të njëjtën datë. Duket se kemi të bëjmë më dy histori paralele që konkurrojnë, flasin e vazhdojnë të luftojnë edhe pas mëse shtatë-tetë dekadash me po aq zell sa në ditët dramatike të viteve ‘40. Në këtë mënyrë, Shqipëria ka ndryshuar dy sisteme politike (sistemin totalitar komunist dhe atë demokratik), dëshmitarët okularë që kanë mbijetuar nga periudha e luftës numërohen me gishtat e dorës, dhe megjithatë, ora e gjykimit ka mbetur e njëjtë, pa lëvizur, siç u përcaktua diku në Përmet apo Labinot, me të njëjtin gjykim anakronik e hakmarrës, përjashtues dhe denigrues, ..Shoqëria shqiptare e vitit 2012 ka ndryshuar shumë; kemi parti, zgjedhje, media, botime pafund, jemi anëtar në NATO dhe me një këmbë po i afrohemi BE-së, por aftësia e jonë për tu çliruar nga mitet folklorike dhe ideologjike të së kaluarës kanë mbetur aty ku nisën në vjeshtën e vitit 1943, - në ndarjen e thellë, të papajtueshme, refuzuese dhe konfliktuale midis “patriotëve” e “tradhtarëve”. Tashmë janë hapur arkivat shqiptarë e amerikanë, britanikë e gjermanë, italianë dhe rusë, - mijëra dokumente referuese për ngjarjet e një shekulli më parë janë publike, kushdo ka shans e hapësirë për të gjykuar ndryshe, - por çuditërisht as kjo nuk ka ndikuar në rishikimin e historisë dhe miteve folklorike e ideologjike të saj.
Shqipëria ka sot historianë, ka studiues të rinj, ka disa dhjetëra universitete e media, e gjithsesi as ato nuk kanë arritur të dalin jashtë kontureve zyrtare historike të krijuara pas LIIB. Koha ka mbetur aty, asgjë nuk lëviz, asgjë nuk lejohet të shihet më tej, dhe brezat më të rinj vijojnë të ushqehen me të njëjtin stereotip vlerësimi, në një ndarje të prerë të figurave e ngjarjeve historike në të mirë e të këqinj, në heronj pozitiv e negativ. Dy gjykimet përjashtojnë realpolitikën, dialektikën e individit, rolin dhe raportet e politikanëve me përgjegjësinë publike në periudha të ndryshme historike, hapësirat e tyre për veprime alternative në kohën kur jetuan, natyrën njerëzore për të qenë të gabueshëm. Demokracia, në vend që të ofronte shanse rishikimi e reflektimi mbi baza dokumentare e shkencore, çuditërisht ka bërë të kundërtën; ka betonizuar ndarjet e thella bardh e zi, duke e mbajtur historinë të izoluar, duke i refuzuar asaj frymëmarrjen e re, qëndrimet alternative apo shansin e gjykimit ndryshe. Të vetmit që kanë bërë diçka të tillë, kryesisht studiues të huaj të investuar profesionalist nga aftësia e tyre kërkimore dhe financiarisht nga shtetet respektive apo qarqe akademike, janë refuzuar e vijojnë të refuzohen në shoqërinë e re shqiptare, me argumentin banal se ata nuk na njohin siç e njohim ne veten!
Dhe sipas tezës së traditës lindore dhe orientale se “fituesi bën historinë” në mungesë të aftësisë së institucioneve akademikë e shkencore për të ndarë të vërtetat historike nga mitet dhe steriotipet folklorike, janë politikanët dhe zyrtarët qeveritarë që imponojnë vullnetet e tyre personale mbi çdo ngjarje e individ historik. Janë këta politikanë që caktojnë datën e çlirimit dhe të pavarësisë, kush duhet nderuar dhe kush jo, cilat ngjarje duhen përkujtuar dhe cilat jo, cilat fakte historike duhen konsideruar dhe cilat jo, cilat figura politike historike janë patriotë apo tradhtarë, dhe së fundi, edhe se cilat buste e monumente duhen ngritur dhe cilat duhen rrëzuar! Të rrethuar nga bollëku i përfitimeve të pushtetit politik (turma fanatike militante që i votojnë e I duartrokasin, media që I citojnë dhe bëjnë fushata publike pro tezave të tyre, historianë e zyrtarë që rendin të gjejnë detaje historike për të provuar tezat e shefave të tyre politikë),duke përfituar nga mungesa e pavarësisë dhe profesionalizmit të qarqeve akademike e universitare (që vetë I kanë zgjedhur apo emëruar), duke njohur aftësinë tonë shoqërore për t’iu përshtatur çdo regjimi që ofron propagandë në vend të programeve të debatit të lirë apo zhvillimit, duke marrë të mirëqenë edhe faktin se ndarja e jonë me të kaluarën ishte formale, (mentalitetet, sjellja politike dhe gjykimi mbi tjetrin mbeten gati të njëjta), - ata vijojnë të vetshpallen shtetarë e historianë, politikanë dhe misionarë, inxhinierë e ekonomistë - sipas nevojave politike të rastit dhe të ditës.
Kjo klimë absurde dhe parademokratike zhvleftësimi të hapësirave të demokracisë – aftësisë së saj për krijimin e standardeve cilësore të vlerësimit, gjykimit dhe krijimit të një sistemi vlerash qytetare, transparente dhe afatgjata, - ushqehet, mirëmbahet dhe përsëritet çdo vit, çdo përvjetor, në çdo ngjarje dhe sa herë të flitet për një individ historik. Politikanë që imponojnë standarde fiktive vlerash, media e individë historie që vijojnë të qëndrojnë në të njëjtën llogore ideologjike vlerësimi në përpjekje për të mbrojtur tezat e tyre steriotipe të diktuara vite më parë nga diktatura, një shoqëri në krizë identiteti kulturor e qytetarie, e paaftë të çlirohet nga mitet fiktive të së kaluarës dhe fatkeqësisht e aftë të ngrejë mite të reja fiktive në demokraci, - ishin, janë e mbeten dekori permanent i teatrit absurd me historinë, ngjarjet dhe personazhet nominale të 100 viteve të shtetit shqiptar. Natyrisht kjo është mënyra më pak dinjitoze për të festuar shekullin shtetëror dhe për të pranuar si serioze krekosjen teatrale me kostume të shtrenjta e ceremoni pompoze zyrtare të atyre palëve politike e publike që e shohin shtetin, politikën e historinë si një biznes privat, - përpara varreve të atyre që sakrifikuan dijet dhe jetën për një shtet, një politikë dhe të ardhme dinjitoze e evropiane në vendin, siç thoshte Konica, të bekuar nga perëndia e të dënuar nga politikanët!


(aq/shqiptarja.com)