TIRANE- Për periudhën janar-nëntor 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, arkëtimet për konsumin e energjisë elektrike janë rritur me 8.2 miliardë lekë, afro 60 milionë euro ose 23.5% më shumë. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ka pohuar dje, në një deklaratë për mediat, se masat e marra për të rimëkëmbur sektorin energjetik po fillojnë të japin efektet e dukshme pozitive tek të gjithë aktorët e sistemit. “Përmirësimi i performancës së kompanisë së shpërndarjes, përmes rritjes së arkëtimeve dhe uljes së humbjeve, po shoqërohet me shtimin e likujditetit në sektor duke zhbllokuar situatën e krijuar”, tha ai.