Protuesit e Rrjollit ishin më të shumtë në numër këtë të shtunë. Të revoltuar me pretendimin se botuesi dhe biznesmeni Bashkim Ulaj po u grabit pronat për të ndërtuar një resort të tijin, dhjetëra banorët të fshatit shkodran dhe jo vetëm, thyen xhamat e eskavatorëve dhe kabinave të kompanisë "Gener 2" në pronësi të Ulajt, si dhe dëmtuan makinat e kompanisë private të sigurisë, "Breçani Security", e cila prej disa ditësh është kontraktuar për ruajten e kantierit.

Në mbështetje të banorëve të Rrjollit këtë të shtunë pati edhe aktivistë.

“Kam gjithë javën që ndihem keq që nuk jam këtu. Erdha më së fundi këtu për të shprehur solidaritetin tim, me ata shqiptarë që duhet të jenë shembull për të gjithë shqiptarët. Prona mbrohet edhe me gjak, prona mbrohet. Pronën e kanë lëshuar shqiptarët, prandaj ua marrin. Nuk ua marrin se janë thjeshtë hajdutë, por kanë kuptuar që shqiptarët nuk e mbrojnë. Ky është vendi ku bëhet histori dhe ta mësojnë të gjithë shqiptarët. Këtu çdo copë tokë do të grabitet. Nuk do i ngelet kërrkujt asnjë copë tokë. Këtu njerëzit po tregojnë se janë burra dhe gra trima por që mbi të gjitha besojnë në Zot dhe besojnë në pronë. Edhe ata në Roskovec ta dëgjojnë, se edhe tyre Bashkim Ulaj po ua grabit”,- tha avokati Altin  Goxhaj.

‘Si qytetar i Durrësit po edhe si aktivist për të mbrojtur pronën e qytetarëve durrësakë, patëm arrestime. Njëri prej të arrestuarve isha unë. Kemi ardhur të mbështesim banorët e Rrjollit nga po e njëjta skemë vjedhje. Ay i vjedh shteti, ndërsa këtu Bashkim Ulaj oligarku me koalicion të gjerë politik, opozitar dhe pushtet, në të cilat shumë që duhet të reagojnë nuk reagojnë”,- tha anëtari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Orgest Berberi.

“Kemi ardhur këtu për të mbrojtur pa diskutim një të drejtë themelore siç është e drejta e pronës, e drejta për të pasur dinjitet dhe qytetarët këtu kanë shumë të drejtë të protestojnë pasi u është marrë prona e tyre dhe e drejta që ata kanë për ta trashëguar këtë pronë”,- tha Alesia Balliu

Banorët e Rrjollit zotohen për të mos hequr dorë nga prona e tyre. Disa ditë më parë, familjes Malaj i është njohur e drejta e pronësisë mbi një sipërfaqe prej 20,700 m², rreth 2.1 hektarë, në fshatin Rrjoll në Velipojë, në një zonë kufitare me vendin po ndërtohet resorti “Blue Borgo”.

Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila pranoi pjesërisht padinë e Nikollë Malajt kundër Agjencisë së Trajtimit të Pronave, një proces gjyqësor i nisur që në vitin 2018 dhe që zgjati 8 vite.

Duke qenë se beteja është fituar për 2.1 hektarë, banorët shpresojnë se do të merret një vendim pozitiv nga Gjykata edhe për zonën ku Ulaj po ndërton. Kjo pasi sipas tyre, Fatmir Shpellzaj, ish-drejtor kadastre dhe eksponent i Partisë së Lirisë, i cili pretendon se zotëron tokën ku Ulaj po ndërton, ka falsifikuar dokumentet për marrjen e saj në pronësi.

Punimet për ndërtimin e “Blu Borgo”-s në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, Bashkim Ulaj i nisi në fillim të shkurtit pasi mori lejen e ndërtimit. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”, me statusin e investitorit strategjik.

K.M/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kryetari Shkoder: 28/02/2026 17:14

    Mire do ishte Benet Beci tjepte dorheqjen ska cfare ben me shum ne Shkoder loce

    Përgjigju
  • xXx: 28/02/2026 16:01

    Vijini flaken plehrave...

    Përgjigju
  • Tekniku: 28/02/2026 13:17

    Bjerini horrave mos lejoni tu marrin pronat

    Përgjigju
  • ALB Patriot: 28/02/2026 13:10

    JU LUMTE!!!

    Përgjigju
  • Dori: 28/02/2026 11:57

    Bravo

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 28 Shkurt, 17:02

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit?