Shtohen rreziqet për një tjetër rritje të çmimeve të ushqimeve e naftës, BSH: Rritëm normën e interesit për të mbajtur në kontroll inflacionin

Edhe pse ekonomia e vendit është në trend rritës, pasiguritë për të ardhmen janë në rritje, si dhe rreziqet ndaj inflacionit janë shtuar.

“Informacioni i ri i disponuar tregon se rreziqet për inflacionin janë rritur, në prani të tensioneve të reja gjeopolitike. Në veçanti, presionet e reja për rritje të çmimeve të naftës dhe të ushqimeve prezantojnë rreziqe të reja potenciale për një inflacion global më të lartë, por edhe për lindjen e efekteve të raundit të dytë në formën e rritjes së pritjeve inflacioniste, veçanërisht të familjeve që kanë ndjeshmëri më të lartë ndaj këtyre çmimeve”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Në raportin e tremujorit të tretë të vitit të Politikës Monetare Banka e Shqipërisë gjykon se trendi i uljes së inflacionit është ngadalësuar, për këtë arsye nuk përjashtohet mundësia për një tjetër rritje të normës bazë të interesit.

“Raporti tremujor konstaton se pasiguritë për të ardhmen janë shtuar dhe rreziqet ndaj inflacionit janë rritur. Në këtë mjedis, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të orientohen nga të dhënat e reja dhe nga përmbushja e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve”, thuhet në raport.

Rritja e inflacionit që është më e prekshme tek produktet e shportës, ndikon direkt tek qytetarët por edhe tek bizneset pasi gërryen fuqinë blerëse.

“Banka e Shqipërisë gjykon se vendosja e një raporti më të balancuar midis kërkesës dhe ofertës është e nevojshme për të mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv. Inflacioni i lartë është i dëmshëm për familjet dhe bizneset, sepse ai gërryen fuqinë blerëse të të ardhurave, zhvlerëson kursimet, vështirëson planifikimin e të ardhmes dhe rrezikon të shoqërohet me një shpërndarje joefektive të burimeve prodhuese dhe financiare të ekonomisë”, vijon më tej raporti.

Drejtori i Politikës Monetare në BSH, Erald Themeli thotë se inflacioni në korrik-shtator është ulur më pak nga sa pritej, për këtë shkak u vendos që të rritej norma bazë e interesit për ta çuar në 3.25%.

“Trendi i uljes së inflacionit ka ardhur në ngadalësim. Rënia e inflacionit në tremujorin e tretë të vitit ka qenë më e ulët se ajo që prisnim ne. Arsyeja kryesore që u mor ky vendim (rritja e normës bazë të interesit) ishte se në gjykimin tonë kërkesa agregate në ekonomia, pra kërkesa për mallra dhe shërbime mbetet e lartë, dhe është burim presionesh inflacioniste. Ky vendim synon një balancim më të mirë të kërkesës dhe ofertës për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Kërkesa e fortë për mallra dhe shërbime po shoqërohet me rritje të pagave dhe të fitimeve të bizneseve shqiptare”, pohon Themeli.

Kjo rritje e normës bazë është shoqëruar edhe me rritje të interesave të kredive, edhe pse sipas Themelit janë më të ulëta se në vendet partnere.

“Kemi pasur një rritje të përgjithshme të normave të interesit, por për faktin se rritja e normës nga Banka e Shqipërisë ka qenë më e ngadaltë se partnerët tanë, rritja në tregjet tona ka qenë më e ulët”, shprehet drejtori i Politikës Monetare.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka