Interi është duke menduar për të përforcuar ekipin në janar dhe Marca në Spanjë bën me dije se zikaltërit kanë si synim afrimin e Marco Verrattit, i cili aktualisht është pjesë e Al Arabit në Katar.
Ish-mesfushori i Pescaras la pak muaj më parë PSG-në pas shumë vitesh në Paris dhe zgjodhi milionat arabe, ndërsa Inter kërkon ta rikthejë në futbollin e madh. 32-vjeçari mund të luajë në një ekip të Serie A për herë të parë, megjithëse natyra e operacionit është komplekse.
E para është e natyrës ekonomike. Verratti fiton 30 milionë euro në vit dhe te Inter nuk janë të gatshëm të ofrojnë këto shifra të çmendura. Më pas vjen reparti i mesit të fushës që ka mbingjeshje. Calhanoglu, Asllani, Mkhitaryan, Barella, Fratessi apo Zielinski nuk do kishin më hapësira dhe do duhet që dikush prej tyre të lironte hapësira.
Megjithëse rrethanat të çojnë drejt "Jo-së", duket se Inter është futur në garë për të afruar mesfushorin që ka luajtur 55 ndeshje dhe ka shënuar tre gola me Italinë.