Në momentin kur dara në sistemin e drejtësisë sa vjen e shtrëngohet dhe kur nesër pritet që KPK-ja të shpallë vendimin e parë për një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese dhe kur një ish-drejtor i Përgjithshëm i LSI-së në sektorin e infrastrukturës ndodhet në burg dhe po hetohet për shpërdorim detyre, ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e LSI Ylli Manjani ka reaguar ashpër ndaj ambasadës amerikane në Tiranë, përkrahëses dhe kontribueses kryesore të reformës në drejtësi në vendin tonë.

Politikani i ka bërë thirrje të rinjve që të bojkotojnë aktivitetet e ambasadorit Donald Lu dhe stafit të tij në Tiranë, pasi sipas Manjanit ata u mësojnë të rinjve “pisllëqe”.

Sipas ish-ministrit që i është rikthyer detyrës së avokatit, të rinjtë bëjnë më mirë të qëndrojnë në kafe se sa të dëgjojnë t’u flitet për çështje si martesat gay.

Ja çfarë shkruan Manjani në Facebook:

Martesat Gay; Eutanasia; legalizimi i drogave e pisllëqe të tjera si këto, po ju mësohen të rinjve!!!

Ambasada Amerikane dhe Fondacioni Soros janë organizatorët e këtyre debateve tek të rinjtë.

Ky lajm u pëçua dje.

Megjithë respektin që kam për organizatorët, nuk më duket aspak edukuese kjo gjë!

Të rinjtë kanë nevojë të edukohen duke vajtë në shkollë për të mësuar normalen, ose atë që është e rregullta dhe e ligjshmja!

Pra kanë më shumë nevojë të mbushin mendjen me dije e jo b.....!

Po të më dëgjonin mua, ata të rinj që ftohen të marrin pjesë në mesimin e pisllëqeve, duhet të refuzojnë pjesmarrjen!

Ta refuzojnë, duke i falenderuar organizatorët për këtë “kontribut” të pa kërkuar!

Më mirë të rrinë në kafene!

Statusi i Ylli Manjanit në Facebook