Tiranë- Biznesmeni Gentjan Sula ka ankimuar në GJKKO sekuestron e një apartamenti pranë Gardës së Republikës në Tiranë, i cili u bllokua nga SPAK në kuadër të hetimeve për ish-kryebashkiakun Jorgo Goro. 

Seanca, e cila pritej të zhvillohej mëngjesin sotëm, u shty për shkak të mungesës së prokurorit Ols Dado.

Sula, i cili pak javë më parë u mor në pyetje nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, pretendon se apartamenti që u vendos në sekuestro me vendim gjykate, është i tij dhe jo i ish-kryebashkiakut, teksa mbrojtja e tij ligjore thotë se ia kishte lënë Goros në përdorim, për shkak të miqësisë që kane pasur me njëri-tjetrin. 

Hetimet për çështjen e dytë të Jorgo Goros u mbyllën pak ditë më parë, teksa SPAK ka bërë kërkesë për kalimin e dosjes për gjykim.Ndërsa për çështjen e parë, ku Goro u kallëzua nga ish-kryebashkiaku tjetër i Himarës, procesi është në fazën e leximit të konkluzioneve nga ana e prokurorisë.