Çështja e Dritan Dajtit u shty sërish edhe pse u paraqit një nga avokatët e vendosur një ditë më parë për të e pikërisht Perlat Koçillari. Gjykata e Krimeve të Rënda u tërhoq dy herë për t’u shprehur me vendim e në fund vendosi shtyrjen e seancës për nesër dhe caktimin e dy avokatëve të rinj nga lista.
Vetë Dajti ka kërkuar nga gjykata kohë dhe mundësi të flasë me avokatin e caktuar nga gjykata, por trupi gjykues e ka vlerësuar si kohë të mjaftueshme afatin prej 20 minutash, afat ky i kundërshtuar nga avokati dhe vetë i pandehuri.
Seanca e radhës ndaj Dajtit do të mbahet ditën e nesërme, ndërkaq institucionet e drejtësisë nuk kanë dhënë ende një zgjidhje konkrete që seancat të vazhdojnë.
Nënkryetari i KLD-së, Cefa, tha: "Po dëmtojnë dhe po çojnë drejt dështimit një proces nga më të rëndësishmit. Theksoj që në fund është gjykata ajo që ka kompetencën të marrë vendimet dhe të vendosë për ecurinë e mëtejshme. Nga KLD-ja janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme. Ne mendojme të bëjmë edhe një takim sensibilizues me përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Kjo çështje është në gjykim dhe une sot nuk mund të ndikoj në të duke u deklaruar".
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)