TIRANË- Kur janë shënuar 17 vite nga masakra e Gërdecit që i mori jetën 26 personave, procesi gjyqësor ende po zvarritet. Seanca në ngarkim të ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu u shtyu sërish për në datë 7 prill. Shkak u bë mungesa e tij i cili kishte një ftesë në Kongresin Amerikan nga data 24 mars deri në datën 1 prill.
Sipas avokatit Henrik Ligori, Mediu duhet të jetë vetë i pranishëm për të paraqitur komentet mbi akt ekspertimin tekniko ushtarak. Ndërkohë, avokati i familjarëve Dorian Matlia kërkoi që pretendimet të paraqiten njëherë me shkrim për ekonomi gjyqësore.
Prokurori Klodian Braho e quajti të pajustifikuar mungesën e Fatmir Mediut dhe kërkoi të vazhdonte seanca në prani të mbrojtësit të tij ligjor, gjë që u kundërshtua nga ky i fundit. Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të shtyjë seancën duke i tërhequr vëmendjen Mediut, që mungesa të kësaj natyre nuk do të konsiderohen më në seancat e ardhshme.

Në seancë ishte e pranishme edhe Zamira Durda, e cila tha që ka 17 vjet që pret drejtësi dhe procesi po zvarritet. Zamira Durda, gruaja e cila humbi djalin e vogël, vijon të endet dyerve të drejtësisë për dënimin e përgjegjësve, me vlerësimin sipas saj të një krimi shtetëror. Në një rrëfim ekskluziv për Report Tv më 15 mars kur ushënuan 17 vite nga masakra e Gërdecit, ajo tha se ndihet e pambrojtur në sallën e Gjykatës së Posaçme, pasi ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu e ka kërcënuar, dhe askush nuk ka reaguar, as SPAK e as gjyqtarja.
Çështja ndaj Mediut
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
Gjyqi ndaj Fatmir Mediut vijon prej prillit 2023. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, 'SAC' dhe 'Albademil'. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
SI.E./I.M/Shqiptarja.comKomente


Mediu e ka bo Tiran - Amerik si Tiran-Durrës!A duhet të parë nga shteti nga dalin këto parat e udhëtimit?
PërgjigjuJu si gazetarë do te benit mire ta shihni pak kete pune. Kjo nuk eshte normale. Si eshte e mundur qe nje i akuzuar per krime kaq te renda te jete ne gjendje te shtyje kaq shume seancat gjyqesore? Ky eshte sabotim i drejtesise. Drejtesia nuk duhet te pres Fatmir Mediun te vij nga pushimet per te dhene vendimin.
Përgjigju