TIRANE - Mund të jesh duke i dhënë makinës me 40 km në orë dhe të gjesh vdekjen. Sepse përpara korsisë së asfaltuar muaj ma parë është “harruar” shtylla e energjisë elektrike. Madje edhe në qendër të Tiranës, në rrugën që të nxjerr te ana e pasme të Muzeut Historik.Por dhe në shumë rrugë të tjera të kryeqytetit, sepse janë plot 100 shtylla, që rrezikojnë, veçanërisht natën, jetën e atyre që janë në timon. Eksperti rrugor Mitat Tola thotë se shtyllat në mes të rrugës sjellin vetëm vdekje.

“Ndofta nuk ka rëndësi të tregoj së çfarë ndodh me mjetet dhe drejtuesit e mjeteve, të cilët udhëtojnë natën në rrugët e kryeqytetit dhe kanë fatin të mos e “kenë regjistruar në kokën e tyre“ hartën e shtyllave. Me një shpejtësi deri në 40 km/orë thonë studimet e kryera me manekine në laboratorët e BE-së, një mjet i përplasur me një pengesë të ngurtë, vdekja ose plagosja e drejtuesit të mjetit dhe pasagjerëve që udhëtojnë në to është e sigurt“, shprehet Tola.

Nëse do të mund të bëjë një numërim të shtyllave elektrike të lëna në mes të rrugës ato janë mbi 100 të tilla. “Vetëm në kryeqytet ka mbi 100 shtylla elektrike në mes të korsive, shtylla absurde të një administrate joprofesionale, jokompetente, e cila ndofta i ka numëruar, por nuk ka bërë dhe nuk bën minimumin (në gjykimin tim) asgjë për të përmirësuar këtë situate paradoksale antiligjore.

Një situatë e tillë rrugore e “mbjellë“ me shtylla mund të këtë pasur një justifikim përpara vitit 2011, kur në Tiranë lufta politike midis drejtuesve të pushtetit lokal (Bashkisë) dhe pushtetit qendror ishte në kulmin e saj dhe investimet dhe përmirësimet rrugore të bashkisë Tiranë, hasnin në rezistencën “absurde“ të enteve pronare të shtyllave“ thotë eksperti rrugor” thotë eksperti Tola.

Shtyllat elektrike që pas zgjerimit të rrugëve nuk janë zhvendosur janë një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore. Edhe pse në statistikat e policisë rrugore ato nuk shënohen si një ndër shkaktaret e tyre. Eksperti Mitat Tola thotë “Është fakt se në ndodhjen e tyre një rol negativ ka luajtur dhe luan “ambienti jo i përshtatshëm rrugor”.

Dhe në këtë ambient rrugor përmend rrugë të projektuara kuturu, pa sisteme mbrojtje, pa elemente të përshtatshëm për të mbrojtur përdoruesit e dobët të rrugës, këmbësorët dhe drejtuesit e biçikletave. Tirana është një shembull klasik, natyrisht për keq. Segmente rrugore të rikonstruktuar së fundmi, shpeshherë para fushatash elektorale, me shtylla elektrike dhe shtylla telefoni të “mbjella“ në mes të tyre.

Trotuare për këmbësorët me përmasa centimetrike, dhe pjesë të tyre pa trotuare duke i lënë këmbësorët në mëshirën e fatit“, përfundon Tola. Në kryeqytet zonat ku shtyllat janë më shumë prezentë janë, të ish-fusha e Aviacionit, mbrapa Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Laprakë, rruga “Pjetër Budi“ etje. Por këto shtylla nuk mungojnë as në qendër të kryeqytetit ato i gjen edhe të rruga “Uran Pano“ dhe “Bardhok Biba“, të cilat nuk janë shumë larg nga godina e Bashkisë së Tiranës.

(b.m/shqiptarja.com)