Shefja e diplomacisë së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, do t’u prezantojë sot vendeve anëtare paketën e re të sanksioneve për ndëshkimin e Teheranit si shkak i protestive, konfirmojnë dy diplomatë për Euroneës.
Masat e propozuara do të përfshihen në regjimin e sanksioneve të BE-së kundër Iranit për të drejtat e njeriut dhe do t’i shtoheshin një game të gjerë ndalimesh udhëtimi dhe ngrirjesh të aseteve që janë tashmë në fuqi.
Në fillimjavë, Kallas dha sinjale se ishte e gatshme për të propozuar sanksione të reja si përgjigje ndaj shtypjes së protestuesve që prej dy javësh ka marrë me mijëra jetë duke thelluar krizën.
Të mërkurën, një grup për të drejtat e njeriut raportoi se janë vrarë rreth 2, 571 persona, edhe pse shifrat jo zyrtare thonë se mund të jenë pesëfish më shumë. Presidenti amerikan Donald Trump sinjalizoi se “vrasjet janë ndalur” dhe nuk do të kishte ekzekutime.
Rajoni po përgatitet për një ndërhyrje ushtarake nga SHBA-të pasi të hënën, Trump u bëri thirrje protestuesve që të rezistonin sepse ndihma amerikane “ishte rrugës.”
Masat e reja të BE zgjerojnë paketën e sanksioneve të deritanishme ndaj Iranit që përfshin kryesisht ndalime udhëtimi dhe ngrirje të aseteve, si reagim ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, aktiviteteve të përhapjes bërthamore dhe mbështetjes ushtarake për Rusinë, e cila përdor rregullisht dronë iranianë për të sulmuar Ukrainën.
Deri më tani, BE-ja ka sanksionuar më shumë se 230 shtetas iranianë, përfshirë ministrin e Brendshëm të vendit, Ahmad Vahidi, si dhe mbi 40 entitete të tjera dhe anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike, edhe pse kjo e fundit nuk është në listën e organizatave terroriste të BE-së, një përcaktim që po shqyrtohet, megjithëse ende nuk është marrë një vendim formal.
Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë sanksionet e propozuara në takimin e tyre të ardhshëm më 29 janar, i cili do të drejtohet nga Kaja Kallas.

Shtëpia e Bardhë thotë se Irani do të përballet me “pasoja të rënda” nëse regjimi vijon me vrasjet.
“Presidenti dhe ekipi i tij i kanë komunikuar regjimit iranian se, nëse vrasjet vazhdojnë, do të ketë pasoja të rënda,” thotë zëdhënësja Karoline Leavitt. Donald Trump është informuar nga Irani se “vrasjet dhe ekzekutimet do të ndalen”, thotë ajo. Leavitt shton se janë ndalur 800 ekzekutime iraniane të planifikuara për t’u kryer ditën e djeshme.
Një gazetar e pyet gjithashtu Leavitt për transmetimin e televizionit shtetëror iranian, që përmbante një kërcënim ndaj Trump-it. Një imazh i atentatit të dështuar ndaj Trump-it në Pensilvani ishte shoqëruar me mesazhin “këtë herë plumbi nuk do të gabojë”, tha gazetari.
“Nuk e kam parë këtë, për të qenë e sinqertë me ju,” tha Leavitt. “Do ta shqyrtojmë dhe do ta lejojmë presidentin dhe ekipin e tij të sigurisë kombëtare ta analizojnë atë pamje për të siguruar vërtetësinë e saj.”
'Në Iran, ne po shqyrtojmë shtrëngimin e sanksioneve". Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e deklaroi këtë në një konferencë për shtyp në Limasol, gjatë vizitës së Kolegjit të Komisionerëve në Presidencën Qipriote të Këshillit të BE-së.
"Sanksionet po japin efekt, ato po e dobësojnë regjimin dhe po ndihmojnë në shtytjen për fundin e tij dhe për ndryshim. Në fund të fundit, është populli iranian ai që po lufton me guxim për ndryshim. Ata kanë mbështetjen tonë të plotë politike. Ata gjithashtu po na kërkojnë të rendisim Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, si dhe të tjerë përgjegjës për mizoritë, midis atyre që janë sanksionuar. E kuptoj plotësisht, duke pasur parasysh atë që po ndodh në Iran, se kjo është e rëndësishme dhe po, ne do ta bëjmë', tha ajo.

Shtetet e Bashkuara vendosën të enjten sanksione ndaj pesë zyrtarëve iranianë, të cilët i akuzuan se qëndrojnë pas shtypjes së protestave dhe paralajmëruan se po gjurmojnë fondet e liderëve iranianë që po transferohen drejt bankave në mbarë botën, ndërsa administrata e presidentit amerikan Donald Trump rrit presionin ndaj Teheranit.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së tha në një deklaratë se vendosi sanksione ndaj Sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, si dhe ndaj komandantëve të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike dhe forcave të rendit, duke i akuzuar ata si arkitektët e shtypjes.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha në një video se mesazhi i Uashingtonit për udhëheqësit e Iranit ishte i qartë: “Thesari i SHBA-së e di se, si minjtë në një anije që po mbytet, ju po transferoni dëshpërimisht fonde të vjedhura nga familjet iraniane drejt bankave dhe institucioneve financiare në mbarë botën. Jini të sigurt, ne do t’i gjurmojmë ato dhe ju. Por ka ende kohë, nëse zgjidhni të bashkoheni me ne. Siç ka thënë presidenti Trump, ndaloni dhunën dhe qëndroni në krah të popullit të Iranit. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fuqishëm në krah të popullit iranian në thirrjen e tij për liri dhe drejtësi,” tha Bessent në deklaratë. “Thesari do të përdorë çdo mjet për të goditur ata që qëndrojnë pas shtypjes tiranike të të drejtave të njeriut nga ana e regjimit.”
Departamenti i Thesarit vendosi gjithashtu sanksione ndaj 18 personave që i akuzoi për përfshirje në pastrimin e të ardhurave nga shitjet e naftës dhe produkteve petrokimike iraniane në tregjet e huaja, si pjesë e rrjeteve të “shadow banking” të institucioneve financiare iraniane të sanksionuara.
Komente










Shtetet e bashkuara jo vetem qe nuk i intereson fare per popullin Iranian por ata duan ta shkaterrojne totalisht vendin sepse kane bere te njejten gje nga Libia , Iraku dhe ne fund Siria . Kush nga keto vende eshte zhvilluar qekur amerikanet rrezuan qeverine duke vrare Sadamin dhe Gedafin gjoja ata ishin e keqja e vendit dhe do shpetonin popullin nga diktatura , perendimoret i kane grabitur ato shtete duke i len ne kaos dhe pa identitet te njejten gje duan te bejne dhe me Iranin duke perdorur terroriste te instruktuar nga cia dhe mosadi , ky eshte realiteti dhe fytyra e pabese e amerikes
Përgjigju