Në përvjetorin e 27-të të Masakrës së Reçakut, ish-komandanti i UÇK-së Isen Berisha i ftuar në emisionin “Studio Live” në Report TV, nënvizoi rëndësinë historike dhe politike të kësaj ngjarjeje për shtetin e Kosovës, duke shprehur keqardhje që akoma nuk ka drejtësi për këtë ngjarje. 

“Në çdo përvjetor, nderimi për ato viktima është i pamjaftueshëm. Është detyrim ta mbajmë gjallë të vërtetën dhe të kërkojmë drejtësi pa kompromis, e të mos lejojmë që historia të shkruhet nga ata që e mohojnë krimin,” u shpreh Berisha.

Ai theksoi se liria e Kosovës nuk erdhi si dhuratë, por si përgjigje ndaj krimeve të kryera ndaj popullit të saj në Reçak.

“Liria e Kosovës erdhi si përgjigje ndaj krimit që po ushtrohej ndaj saj. Reçaku është prova më e mirë se sado që drejtësia të vonojë, e vërteta nuk mund të fshihet, Kjo nuk ishte vetëm një tragjedi për Kosovën, por një moment politik që ndryshoi balancën e forcave dhe e nxori Kosovën nga izolimi diplomatik. Reçaku e zhveshi Serbinë dhe përshpejtoi procesin e Kosovës, duke e kthyer nga një konflikt i brendshëm në një çështje sigurie ndërkombëtare,”, tha ai.

Sipas Berishës, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Kosovë nëse nuk ka përgjegjësi të plotë për krimet e luftës, ballafaqim me të kaluarën apo mos njohje të genocidit nga ana e Serbisë 

“Ishte genocid i pastër. Pa pasur një drejtësi të plotë për luftën dhe pa përgjegjësi shtetërore, çdo paqe që mund të vendoset në Kosovë do të jetë e brishtë,” theksoi ish-komandanti i UÇK-së.

Sa i përket drejtësisë, Berisha theksoi se ajo për Reçakun mbetet ende e papërfunduar për sa kohë autorët e zinxhirit komandues nuk janë ndëshkuar.

"Jo vetëm që nuk kanë kërkuar falje, por e mohojnë dhe e deformojnë të vërtetën. Kjo është një dhunë e dytë ndaj viktimave. Pa drejtësi, nuk mund të ketë paqe afatgjatë” deklaroi ai.

 

Sa i përket rolit diplomatik të Kosovës dhe Shqipërisë, Berisha u shpreh se nuk mjaftojnë homazhet dhe deklaratat simbolike.

“Nuk mjaftojnë vetëm homazhet dhe deklaratat. Duhet të veprojmë me mekanizmat që vendosin drejtësi. Nëse Kosova është e izoluar, Shqipëria e ka mandatin kushtetues për të vepruar për kombin jashtë kufijve. Kryeministri i Shqipërisë e ka mandatin të veprojë mbi temat që lidhen me kombin jashtë kufinjve” tha ai.

Sipas tij, përfaqësuesit e Shqipërisë duhet ta kenë çështjen e drejtësisë për Reçakun si prioritet në çdo marrëdhënie ndërkombëtare.


“Nuk janë të mjaftueshme fjalimet emocionale në forume ndërkombëtare. Kjo duhet të jetë tema ABC në çdo raport dhe marrëdhënie që ndërtohet me shtetet fqinje apo më larg. Shqipëria e ka mandatin dhe fuqinë e ndikimit për të kërkuar një drejtësi që përcakton paqen,” përfundoi Berisha.