TIRANE - Një 41-vjeçar shqiptar nuk ka mundur të shijojë ëndrrën amerikane, edhe pse fitoi lotarinë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Agron Selmani, u arrestua ditën e djeshme nga forcat "Shqiponja" në Tiranë, kur sapo doli nga ambasada amerikane në kryeqytet ku ishte paraqitur për intervistën për të marrë vizën.

Ishte Shërbimi Diplomatik i Sigurisë DSS që zbuloi se mes dokumenteve që kishte dorëzuar për të marrë vizën përmes lotarisë, Selmani kishte edhe një diplomë të shkollës së mesme "Jordan Misja" në Shkodër. Diploma rezultoi të ishte false, pasi 41-vjeçari nuk kishte qenë asnjëherë në këtë shkollë.

Gjatë marrjes në pyetje ai ka pranuar se dëftesën e pjekurisë të shkollës së mesme e ka të falsifikuar pasi nuk ka përfunduar arsimin e mesëm.

Shërbimi Diplomatik i Sigurisë është degë policore e Departamentit Amerikan dhe është përgjegjës për hetimin e të gjitha aplikimeve për pasaporta e viza. Falsifikimi e mashtrimi me vizat konsiderohet një krim i rëndë në SHBA, dhe që parashikohet gjithashtu si vepër penale edhe në Kodin Penal shqiptar.

41-vjeçari rrezikon dënimin deri në tre vjet burgim për veprat penale të "Mashtrimit" dhe "Falsifikimit të dokumenteve shkollore".