Prof. Roland Çene, “Mjeshtër i Madh”, një nga figurat më të shquara të kulturës dhe muzikës shqiptare, i cili ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në jetën artistike të Gjirokastrës dhe të gjithë vendit është ndarë nga jeta në moshën 80 vjeçare.

Dirigjent, krijues, pedagog, muzikolog dhe publicist, Prof. Çene dha një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin e brezave të rinj dhe në ngritjen e koreve e ansambleve artistike.

Në vitin 1968 ai themeloi korin miks të Gjirokastrës, i cili funksionoi deri në Festivalin e Pestë Folklorik Kombëtar (1988), duke u shndërruar në një përfaqësues dinjitoz të interpretimeve korale me frymë popullore.

Gjatë veprimtarisë së tij, ai ngriti dhe drejtoi kore të shumta në Tiranë, Gjirokastër, Përmet e më gjerë, si dhe hodhi themelet e një ansambli orkestral që më vonë u konsolidua në orkestër simfonike. Prof. Roland Çene përfaqësoi muzikën shqiptare në shumë aktivitete brenda dhe jashtë vendit.

Për kontributin e tij të çmuar është nderuar me titujt “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh”, “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës (2006) dhe “Nderi i Qarkut” Gjirokastër (2012).

Varrimi do të bëhet sot  në orën 12.00 - Tufinë.