6 vatra aktive! Zjarret djegin 38 shtëpi të pabanueshme, në Selenicë e Malësi të Madhe! Shpërthejnë municione në Dushkarak, dëmtohen tubacionet e ujit

TIRANË- Zjarret kanë shkaktuar situatë problematike në vendin tonë pasi deri tani janë djegur 38 banesa të pabanuara, 35 në Malësi të Madhe dhe 3 në Selenicë të Vlorës. 

Ndërhyrja e zjarrfikësve është tepër e vështirë për shkak të terrenit të vështirë ndërsa vetëm në Selenicë ka nisur ndërhyrja nga ajri.

Sipas raportimit të Ministrisë së Mbrojtjes në orën 18:30, në total në vendin tonë, aktualisht janë 5 vatra zjarri aktive, në fshatin Dushkarak në bashkinë Selenicë,  në fshatin Mal Bardhë, në Kurbin nga ku po ndërhyhet nga ajri, si edhe në fshatin Vilzë e Bërdicë të Shkodrës, apo edhe në Lam i madh, Bashkia Mat ku po punohet për shuarjen e flakëve nga efektivë të Forcave të armatosura. Situata më e rëndë paraqitet në fshatin Dushkarak, ku flakët e zjarrit kanë djegur tubacionet e furnizimit me ujë të pijshmë për fshatin. Ministria e Mbrojtjes u bëjnë thirrje banorëve që janë pranë vatrave të zjarrit të evakuohen në rast se kjo u kërkohet nga autoritetet. Po ashtu, raportohet dhe për një vatër zjarri në Plashnik të Beratit, në pyllin me shkurre dhe pisha në zonën e Shpiragut.

Problematike mbetet edhe vatra në Bërdicë ku rrezikohen nga 15 deri në 20 banesa, të cilat ndodhen afër vatrës së zjarrit. Banesa e djegur është e pabanuar ndërsa pronarët jetojnë jashtë vendit. Aktualisht në vendngjarje ndodhet 1 mjet zjarrfikës. Kushtet atmosferike, era e fortë në disa raste po vështirësojnë punën e forcave operacioneve në terren, në përballje me zjarret.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:38
Zjarr në Grudë–Fushë në Malësi të Madhe, digjen 35 shtëpi të pabanueshme

 

Zjarr në Grudë–Fushë në Malësi të Madhe, digjen 35 shtëpi të pabanueshme. Zjarrfikësit kanë arritur të shpëtojnë nga flakët vetëm 5 shtëpi të banueshme. Nuk ka njerëz të lënduar, flakët janë izoluar

Ora 20:24
Situata e zjarreve në Shkodër, ministrja Bilali: Bashkia e ka mendjen te furgonat që duhen  mbushur për mitingun! S’ka non grata që ju mban me këtë mungesë vëmendje

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen Edona Bilali ka akuzuar Bashkinë se nuk po menaxhon situatën e zjarreve në Shkodër dhe se ajo qëllimisht po lejon që të vazhdojnë duke mos i ardhur në ndihmë qytetarëve.

“Shkodra ka në këto momente disa vatra aktive dhe këtë herë vështirë që të dalin pa dëme materiale por Bashkia sigurisht e ka mendjen tek furgonat që duhen mbushur për mitingun. Ska non grata që ju mban me këtë mungesë vëmendje ndaj situatës së zjarreve! Kjo është zgjedhje për të lejuar dëmet me shpresën që revolta të vijojë. Është cu i madh e i vogël me ba punë që si kemi tagër as kemi eksperiencë, me kërku ndihmë nga të katër anët sepse qëllimisht po lejohet situata të vijojë. Po merremi sepse njerëzit janë të parët pavarësisht se ndokujt i intereson skenari fatkeq i provokuar nga dora e ndonjë tifozi nongrata me shpirt kallkani! Vija e parë e frontit të zjarrëfikësve janë në terren dhe i përulem me mirënjohje për çfarë po bëjnë por mungesa e koordinimit lart është e pafalshme! Qytetarët nga taksat e të cilëve paguheni do tju mallkojnë, nuk lihen njerëzit as pronat e tyre për karriget tuaja!!!”, shkruan Ministrja Bilali në reagimin e saj në Facebook.

Ora 19:23
Zjarri në Dushkarak të Selenicës, digjen tubacionet e furnizimit me ujë të pijshëm

Vatra e zjarrit në Dusharak të Selenicës në Vlorë vijon të jetë aktive, megjithëse autoritetet thonë se situata është nën kontroll, dhe nuk ka banesa të rrezikuara. Për shkak të flakëve të zjarrit raportohet se janë djegur tubacionet e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e fshatit.

Dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme nga banorët e zonës, megjithëse deri më tani nuk ka ende ndonjë person të arrestuar.

Ora 19:11
Spahia përpasje me Angonin për zjarret në Shkodër! Kryebashkiaku: Duhet ndërhyrje nga ajri! Prefektja: Situata kritike, por e menaxhueshme

 

Prefektja e Shkodrës Majlinda Angoni dhe kryetari i Bashkisë Bardh Spahia kanë dalë në terren për të parë nga afër situatën kritike të zjarreve. Teksa thonë se prioritet janë njerëzit dhe banesat e tyre, kanë përplasje për ndërhyrjen nga ajri pasi Angoni thotë se ende nuk ka nevojë ndërsa Spahia thotë se aty ku është e pamundur ndërhyrja e zjarrfikësve, duhet të vijnë helikopterët për të shuar flakët.

“Jemi në një situatë kritike. 60 forca të ushtrisë në terren. Shumë e vështirë ndërhyrja në Vilëz për shkak të terrenit. Prioritet është jeta e njerëzve dhe e banesave të tyre. Duhet koordinim më i mirë i Bashkisë Shkodër, sidomos në Vilëz. Flitet për situata të menaxhueshme, nuk është koha për helikopterë. Duhet të bëjmë denoncime për çdo rast të dyshimtë, duhet solidaritet në këtë situatë”, tha Angoni.

“Jemi përballur me një situatë të vështirë me disa vatra zjarri në kohë të njëjtë. Falë punës së zjarrfikësve janë dominuar këto situata. Nevojiten mjete nga ajri aty ku është e pamundur ndërhyrja. Do duhej qeveria të ishte me prezentë”, tha Spahia.

Ora 19:01
Zjarr në Plashnik të Beratit, përfshihet nga flakët pylli me pisha

 

Një zjarr ka përfshirë pyllin me shkurre dhe pisha në zonën e Shpiragut. Zjarri është shfaqur fillimisht në një sipërfaqe me shkurre ku më pas, ndikuar nga temperaturat e larta dhe era, flakët janë përhapur në pyllin me pisha. Mësohet se zjarri ka përfshirë një sipërfaqe në pyllin me pisha të Plashnik 2, pjesë e Njësisë Administrative Sinjë të Beratit.

Terreni tepër i vështirë po pengon mjetet zjarrfikëse të ndërhyjnë në zonë e përfshirë nga flakët. Reparti MZSh së vijon punën për shuarjen e kësaj vatre zjarri. Burime nga ky repart bëjnë me dije se zjarret janë të qëllimshme. Dyshohet për hapje kullotash.

Vijon puna për vënien në kontroll të zjarrit, ndërsa mësohet se disa hektarë pyll janë shkrumbuar.

Ora 18:30
Ministria e Mbrojtjes: 5 vatra zjarri aktive në vend! Banorë, evakuohuni nëse është e nevojshme

Ministria e Mbrojtjes raporton se deri më tani janë 5 vatra zjarri aktive në vend, konkretisht në: fshatin Dusharak të Selenicë; fshatin Mali i Bardhë të Kurbinit; fshatrat Vilzë e Bërdicë të Shkodrës si dhe në fshatin Lami i Madh i Matit.

Situata më problematike paraqitet në fshatin Dusharak të Selenicës, ku aktualisht po ndërhyhet nga ajri me një helikopter të Forcave Ajrore.

"Kushtet atmosferike, era e fortë në disa raste po vështirësojnë punën e forcave operacioneve në terren, në përballje me zjarret. Problematike është situata në fshatin Dushkarak në bashkinë Selenicë, ku po ndërhyn nga ajri helikopteri i Forcës Ajrore. U bëjmë thirrje banorëve që janë pranë vatrave të zjarrit të evakuohen në rast se kjo u kërkohet nga autoritetet. Nga toka dhe nga ajri po punohet edhe në fshatin Mal Bardhë, në Kurbin. Efektivë të FA janë angazhuar për shuarjen e flakëve në fshatin Vilzë e Bërdicë të Shkodrës, apo edhe në Lam i madh, Bashkia Mat", thuhet në njoftim.

Ora 18:11
Lezhë/ Izolohen dy vatra zjarri, në Bukmirë dhe Shpërdhazë, 1 ende aktive, nuk ka rrezik për banesat 

 

Janë izoluar 2 vatrat e zjarrit, në Bukmirë dhe Shpërdhaze. Deri më tani raportohet vetëm  për një vatër aktive në Qafëvorres, ku për shkak të terrenit të vështirë me pyllësi të dendur, dërhyrja me mjete zjarrfikëse është e pamundur..

Ora 17:59
Situatë problematike nga zjarri në Bërdicë të Shkodrës, 15 deri në 20 banesa rrezikohen nga flakët

Situata e zjarrit në Njësinë Administrative të Bërdicës në Shkodër paraqitet problematike, ku deri më tani raportohet se është djegur 1 shtëpi e pa banuar, ndërsa 15 deri në 20 banesa të tjera aktualisht  rrezikohen nga flakë, pasi ndodhen shumë afër vatrës së zjarrit. 

Ora 17:58
Situata problematike në Selenicë të Vlorës, nis ndërhyrja nga ajri! Prefekti: Situata në kontroll! Qytetari: Dëm i madh

Në Selenicë të Vlorës janë djegur 3 banesa të pabanuara për shkak të situatës së zjarreve që vijon të jetë aktive prej disa orësh. Atje ka nisur ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve. Prefekti Flamur Mamaj tregon se situata është në kontroll pas ndërhyrjes nga ajri. 

“Situata është në kontroll pas ndërhyrje së zjarrfikësve të 5 bashkive, dhe me ndërhyrjen e Helikopterit, kemi bërë të mundur neutralizimin dhe ndërprerjen e zjarrin, drejt lagjes tjetër. Erërat kanë krijuar problem në zonë. 3 banesa të pabanuara në flakë”, tha prefekti.

Qytetari tregon se dëmi i shkaktuar është i madh. 

“Ka qenë edhe zjarrfikësja, po era e frynte në anë të kundërt, janë bërë dëme të mëdha, janë ndjekur shtëpi e ullinj pa hesap”, tregon një qytetar. 

Ora 17:19
Zjarri në Dushkarak të Selenicës, digjen 3 shtëpi të pabanuara

Që prej mbrëmjes së djeshme vatra e zjarrit në fshatin Dushkarak të Bashkisë Selenicë vijon të jetë aktive. Zjarri është përhapur me shpejtësi i favorizuar dhe nga era, ku si pasojë janë djegur 3 shtëpi të pabanuara.

Ora 17:01
Zjarri në Bërdicë të Shkodrës, digjet një banesë, zjarrfikësit në vendin e ngjarjes

 

Vijon zjarri në Bërdicë të Shkodrës, ku si pasojë është përfshirë nga flakët një banesë. Raportohet se zjarrfikësit ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për shuarjen e zjarrit.

Ora 16:47
Lezhë/ Situatë problematike e zjarri në Kaçinar, terreni i vështirë vështirëson ndërhyrjen

Situata e zjarrit në fshatin Shpërdhazë në Njësinë Administrativë Kaçinar vijon të jetë problematike.

Në terren ndodhen 3 zjarrfikëse dhe forcat e ushtrisë, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve, por për shkak terrenit të vështirë po vështirësohet ndërhyrja. Operacioni në këtë zonë po drejtohet nga prefekti i Lezhës Gjergj Prendi në bashkëpunim me strukturat e Bashkisë Mirditë. Po ashtu, edhe në Malësinë e Kurbinit zjarri vijon të jetë aktiv, por aktualisht nuk përbën rrezik për zonën e banuar, pasi sot ka pasur dhe ndërhyrje nga ajri.

Ora 16:19
Zjarri në Bukmirë të Mirditës ende aktiv, flakët përparojnë në fshatin Shëngjergj, rrezikohen 3 banesa

Zjarri në fshatin Bukmirë të Mirditës vijon të jetë aktiv që prej ditës së djeshme ku për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit pati ndërhyrje nga një helikopter i Forcës Ajrore. Në orët e para të mëngjesit pati një normalizim të situatës, megjithëse vatra vazhdon të jetë aktive, ku flakët janë përhapur drejt fshatit Shëngjergj.

Sikurse mund të shihet dhe nga pamjet e siguruara  nga Report Tv, si pasojë e zjarrit në fshatin Shëngjergj rrezikohen 3 banesa.

Ora 16:10
Shtohen vatrat e zjarrit në Shkodër, aktualisht 3 aktive! Rrezikon të digjet një lagje

Shkodra përfshihet nga flaket, 3 vatra aktive. Ne fshatin Bardhaj, një vatër masive zjarri e cika përhapet me shpejtësi.

Në Berdicë një lagje rrezikon të digjet, rrezikohen disa banesa në lagjen Masmalaj. 1 mjet zjarrfikës ndodhet në vendngjarje por e ka te pamundur shuarjen e flakëve.

Ndërkohë që në këto momente është shfaqur edhe një vatër tjetër në Velipojë pranë rezervatit.

Ora 15:00
Vijon zjarr në Dushkarak të Vlorës, digjen 30 hektarë tokë! Shkrumbohet nga flakët një banesë në zonë

Që prej mbrëmjes së djeshme një vatër zjarri në fshatin Dushkarak të Bashkisë Selenicë vazhdon dhe ditën e sotme, zjarri është përhapur me shpejtësi i favorizuar dhe nga era, duke djegur rreth 30 hektarë me shkurre, pemtari dhe ullinj.

Është shkrumbuar nga flakët një banesë në zonë teksa zjarri po shkon drejtë banesave të tjera.

Zjarrfikësja e Vlorës nuk ka patur ndërhyrje ndërsa ajo e Selenicës nuk ja del dot që me një mjet lundrues të shuaj flakët Nuk ka zjarrfikëse nga Vlora që të jetë e gatshme për të shkuar në vendngjarje pasi mjetet janë në vatra të tjera zjarri.

Ora 14:21
Malësia e Kurbinit prej ditësh në pushtetin e flakëve, ndërhyhet nga ajri! Disa banesa në rrezik nga përhapja e flakëve  

 

Malësia e Kurbinit prej disa ditësh ndodhet në pushtetin e zjarrit, ndërsa në ditën e sotme është bërë e mundur ndërhyrja nga ajri. Ende ndodhen plot shtatë vatra zjarri aktive në fshatrat Skuraj, Gallatë dhe Mali i Bardhe, erërat e fuqishme gjate mbrëmjes se kaluar favorizuar përhapjen e flakëve. Ne zonat e prekura nga zjarri sot kane mbërritur dhe forcat nga ushtria, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikëseve ke rezultuar e paefektshme nga terreni malor.

 Sa mësohet ndodhen disa banesa janë në rrezik nga përhapja e flakëve.

Ora 12:18
Zjarret në vend, IGJEUM: Në 10 qarqe rrezikshmëria e lartë, nuk priten reshje

 

Shqipëria paraqet rrezikshmëri të lartë për rënien e zjarreve. Përveç qarkut të Kukësit dhe Vlorës, ku niveli i rrezikut vlerësohet i moderuar, në 10 qarqet e tjera, sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, rrezikshmëria për zjarret është e lartë. IGJEUM veçon situatën me rrisk të lartë në Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Berat dhe Korçë.

Në analizën e bërë nga IGJEUM, mundësia për reshje në 24 orët e fundit rezulton e vogël dhe vlerësohet në nivelin “pa rrezikshmëri”. Ndërkohë sa u takon temperaturave, IGJEUM njofton se temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të jenë në bregdet nga 24-34 grade celcius. Në vendet e ulta, 22-36 celcius dhe vendet malora 16-29 grade celcius. Era pritet të jetë e lehtë, deri mesatare.

Ora 12:12
26 vatra zjarri në 24 orë! Rrezikohen banesat në fshatin Gjysulkanë në Tiranë

 

Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë identifikuar 26 vatra zjarri, 15 prej të cilave janë shuar. Aktualisht janë aktive vatra në 8 rrethe me të cilat po punohet për shuarjen e flakëve.

Në fshatin Gjysulkanë në Tiranë ka rënë një zjarr masiv në zonën pyjore, i cili rrezikoi edhe banesat. Vazhdon të jetë aktiv zjarri në vendin e quajtur “Bjeshka e Bregut”, në fshatin Ura e Shtrenjtë dhe fshatin Vilëz, të Shkodrës. Në në fshatin Lam i Madh në Mat vijon puna për izolimin dhe shuarjen e zjarrit. Në fshatin Shetaj në Durrës ka vazhduar puna në terren për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit. Në fshatin Zezë në Krujë është punuar për izolimin dhe shuarjen e zjarrit të rënë mbrëmjen e djeshme në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra ku janë rrezikuar dhe banesa, ndërsa operacioni vijon. Në fshatin Mal Bardhë, në Kurbin, për vënien nën kontroll dhe shuarjen e zjarri janë aktivizuar forcat zjarrfikëse, forca nga pushteti vendor, 50 efektivë të FA të mbështetura dhe nga helikopteri i FA. Në fshatin Shpërdhezë në Mirditë, në harkun kohor prej një ore janë aktivizuar mbi 10 vatra zjarri duke filluar nga fshati Shpërdhezë dhe në drejtim të fshatit Bukmirë. Zjarri ka përfshirë sipërfaqe me vreshta dhe pyll lisi. Janë aktivizuar forcat zjarrfikëse të bashkisë Mirditë, bashkia Lezhë dhe 4 zjarrfikëse të FA, forcat të pushtetit vendor të mbështetur nga ajri me helikopterin e FA. U arrit të mbrohet fshati Shpërrdhezë. Në fshatin Kusarth të Elbasanit ka rënë zjarr në një sipërfaqe kodre me ullishte. Operacioni vijon për shuarjen e flakëve.

Në operacion për shuarjen e vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 588 forca Operacionale, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare dhe janë angazhuar 49 mjete zjarrfikëse.

Ora 09:39
Zjarri përhapet me shpejtësi në Kurbin, ndërhyhet me helikopter për shkak të terrenit malor (VIDEO)

 

Në fshatin Skuraj të Kurbinit një vatër e gjerë zjarri është bërë problematike.

Flakët po përhapen shumë për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta.

Për shkak të terrenit të thyer malor, është e vështirë të ndërhyhet me zjarrfikëse.

Për këtë, ka nisur operacion me 50 zjarrfikës dhe një helikopter për ta vënë zjarrin nën kontroll.

Ora 09:23
Vatrat e zjarrit në Mirditë, normalizohet situata në Bukmirë, në Kaçinar vijon lufta me flakët

Në Mirditë duket se ka një normalizim të situatës me zjarret. Report Tv mëson se në fshatin Bukëmirë ku rrezikoheshin banesat aktualisht nuk ka rrezik riaktivizimi. Është përshkruar  rreth 250 ha pyje, ku nga zjarri janë djegur dhe sipërfaqe veshtë rrushi dhe ullishte.

Ndërsa sa i përket situatës në Kaçianr është një vatër zjarri aktive, po shikohet mundësia për të ndërhyrë me mjet zjarrfikës, terren i vështirë. Në ndërhyrje janë 3 mjete zjarrfikëse, një nga stacioni Mirditë dhe dy tjera nga forcat e armatosura, si dhe forca nga bashkia Mirditë dhe Njësia Administrative Kaçinar.

1659944512_WhatsAppImage20220808at9.27.12AM.jpeg

Pamje nga fshati i Bukëmirës

1659944536_WhatsAppImage20220808at9.27.13AM.jpeg

Pamje nga fshati i Bukëmirës
SI.E./G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Policia e Tiranës zbardh vrasjen e Eduart Reçit, i ekzekutuar me një plumb pranë Rrugës së Elbasanit

Policia e Tiranës zbardh vrasjen e Eduart Reçit, i ekzekutuar me një plumb pranë Rrugës së Elbasanit