Kombëtarja shqiptare e futbollit do luajë kundër Çekisë të enjtë më 12 tetor, duke nisur nga ora 20:45. Sfida e "Air Albania" vlen për grupin E të Euro 2024, teksa stadiumi do jetë me 21.500 tifozë shqiptarë.
Të gjitha biletat tanimë janë shitur, ndërsa do jenë vetëm 600 tifozë miq. Në bazë të marrëveshjes me UEFA-n, në Tiranë do duhet të ishin afro 2 mijë tifozë miq. Interesi nga çekët ka qenë i ulët, me Federatën Çeke që ka marrë vetëm 600 biletat. Kësisoj, vetëm ngjyrat kuqezi do valviten në Tiranë, për ndeshjen që mund të dërgojë tanët më pranë "Gjermani 24".
Pas pesë ndeshjeve në grupin E kualifikues të Euro 2024, Shqipëria mban vendin e parë në grup me 10 pikë, dy më shumë se Çekia që ka edhe një ndeshje më pak. Më pas Moldavia me tetë pikë, Polonia me gjashtë dhe mbyllin klasifikimin Ishujt Faroe me një pikë.