TIRANË, 5 Dhjetor/ATSH/- Administrata Tatimore shumë shpejt do të vërë në funksionim sistemin e i ri informatik tatimor. "Ky është një sistem modern, bashkëkohor, i avancuar dhe shumë praktik në përdorim, që do të sigurojë ofrimin e një shërbimi më të mirë për tatimpaguesit dhe qytetarët", bënë të ditur burimet zyrtare të Ministrisë së Financave.
Sipas tyre, sistemi i deklarimit elektronik, si pjesë e këtij sistemi, do të ofrojë risi në mënyrën dhe formën e deklarimit të detyrimeve tatimore, të trajtimit të deklaratave tatimore, përfshirjen e disa lloje të reja tatimesh, të cilat më parë nuk deklaroheshin në mënyrë elektronike, njohjen me situatën financiare të tatimpaguesve në sistemin tatimor, mënyrë të re të administrimit të faqes, etj. "Zëvendësimi i sistemit ekzistues me sistemin e ri është një zhvillim historik shumë i rëndësishëm për Administratën Tatimore dhe marrëdhëniet e saj me tatimpaguesit", thanë burimet. Duke filuar nga sot, Administrata Tatimore ka vënë në dispozicion video informuese mbi mënyrën e përdorimit të sistemit të deklarimit elektronik E-Filing në faqen e saj zyrtare. Këto video do të përditësohen sa herë që do të ketë zhvillime të reja./a.gjonaj//m.m/









