Shuteriqi/ Rrëfimet e pazakonta mbi
kërkimet e dokumenteve të mesjetës

Shuteriqi/ Rrëfimet e pazakonta mbi<br />kërkimet e dokumenteve të mesjetës
Pjesa e dytë e kujtimeve mbi takimet me Shuteriqin
(Vijon nga numri i 13 gushtit 2017)
Një mbrëmje tetori të vitit ’95, para se të niste një veprimtari, megjithëse rrethohej shpesh nga njerëz që dëshironin ta takonin e të shkëmbenin dy fjalë, unë gjeta rastin e iu afrova. Shfrytëzoja çdo mundësi për të përfituar nga ato që mund të thoshte. Pastaj çdo bisedë me të ishte lumturi. I dhashë dorën disi e druajtur, sepse në ato çaste e përfytyrova veten si notariusi që shkruante çfarë i diktonte Montagne-i. Pas një pushimi të shkurtër në muajt e verës, ne kishim filluar sërish bisedat, por më rrallë. Tani thuajse i kishim dhënë fund lëndës kryesore, asaj që përbën kujtimet e gjalla dhe që janë kulluar në atë moshë. Mbeteshin çështje të tjera, që megjithëse ishin cekur, duhej  të ritrajtoheshin më gjerë dhe ato ishin përsëri shumë, si : pleniumi IV, kompromisi i heshtur që pranoi, sepse iu ”dhimbs vepra, ajo që i kushtohet kulturës, rrënjëve të qytetërimit shqiptar” e që përbën sekretin, por edhe madhështinë e tij, vdekja klinike etj. Duke e përshëndetur, u përpoqa të gjeja fjalët e duhura për idetë dhe atmosferën e re që kishin sjellë kujtimet e tij në projektin tim, por nuk më erdhi në mendje asgjë e veçantë. Në raste të tilla, sidomos pranë një njeriu të shquar si Shuteriqi, fjalët e bjerrin vlerën. I thashë varfërisht se isha magjepsur nga jeta e tij e pasur dhe nga vullneti që ia kishte zbukuruar ditët. Unë, tani, në të vërtetë, isha njeriu që mbase dija më shumë se gjithë të tjerët për jetën e tij. Një çast pasoi një heshtje e plotë. Ai ishte i mbështetur mbi bastun, i kërrusur, i mpakur. Ndoshta edhe m’u duk ashtu nga ideja fatale që të shoqëron kur je pranë njerëzve, mosha e të cilëve të dikton se edhe mund të mos i shohësh më. Duke vështruar muzgun që binte i dendur, ai me një zë që ishte i ndryshëm nga herët e tjera tha : « Të kam falur zemrën time ! ». Unë u përpoqa të flisja, por nuk formulova dot as edhe një mendim. Vetëm ia drejtova vështrimin me mirënjohje e dhembshuri të thellë, duke mërmëritur një pasthirrmë tepër shpirtërore. Ajo që kishte ndodhur, ishte aq e mrekullishme sa nuk shprehej dot me fjalë. Një fat që nuk i takon gjithkujt. E pabesueshme, por e vërtetë! Kisha në duar një thesar! Dhe si mund të flisja?! Fitorja jote, nënkupton humbje për tjetrin. Atë çast nuk kam për ta harruar kurrë. Zëri i tij kishte nostalgji dhe brengë për diçka të shenjtë që nuk e ke më vetëm për vete. Unë isha zotëruese e thesarit të tij.
 
***
Shuteriqi ishte një punëtor i madh i shkrimtarisë, i cili mishëronte vlera të shumëfishta. Të futesh në universin e punës së tij shkrimore, e kupton se ai nuk është marrë thjesht me një letërsi modeste: pak faqe, pak rreshta, pak lexues, pak jehonë kritike, por i është futur me themel punës intelektuale, duke e ndier mungesën e dritës së dijes si plagë shekullore. Ajo që ka shkruar, dallohet nga fryma e zjarrtë, nga urgjenca historike dhe kuptimësia kohore. Vepra e tij të fton të ndërtosh një sërë kufijsh të pandarë jetë-vepër, duke shqyrtuar me çudi sesi ngrihej ajo, ndërsa ulej horizonti jetësor i shoqërisë që i përkiste. Ai ishte njeri i vërtetë i kësaj toke. Ndaj sa më shumë që shkruaja, aq më tepër më mundonte pyetja : A do arrija t’i afrohesha sadopak jetës së tij?
Pyetjet e mia gjithmonë tejkaloheshin me përgjigjet e tij, erdhi një moment kur dialogu ynë filloi t’i përngjasonte një bashkëbisedimi: « Njëditëzaj në rrugë takova një shok fëmijërie. Kënduam së bashku një këngë kishëtare », dhe ai këngëzoi një refren të panjohur për mua, por tepër melodioz. Megjithëse i ndarë gati një jetë të tërë prej këtyre këngëve, ai i kishte të shkruara në mendje fjalët dhe ritmin. Ky ishte rasti më i mirë për të kërkuar sërish e sërish në jetën e tij. Pas lutjes për ta kënduar atë litani të dikurshme, Shuteriqi nuk priti që t’i bëhej një kërkesë e dytë. I përhumbur në një të kaluar, që kishte lënë gjurmë të forta në shpirtin e tij, si një bariton i vërtetë, ai e këndoi këngën deri në fund. Po e thurte legjendën para syve të mi dhe po shndërrohej dalëngadalë në një personazh të vetes. Me një aparat regjistrues, do ta kishim edhe atë zë të paharrueshëm dhe do të hidhnim pak dritë edhe në një faqe tjetër pak të njohur, në një pasion tjetër të madh tij, që ishte muzika. Por varfëria jonë ka qenë proverbiale.
Vend të rëndësishëm zinte në rrëfimet e tij edhe gjetja e objekteve shkrimore të shtetit të parë të Arbrit në shekullin XI dhe XII, zbulimi, sistemimi dhe interpretimi i dokumenteve të shkruara të kohës së Skënderbeut për shekullin XV; letërsia shqipe në shekullin XVI; fryma e humanizmit letrar që u zhvillua jashtë brigjeve shqiptare në shekullin XVII; lëvizja e madhe për alfabetin shqip në shekullin XVIII si dhe studimet e thelluara për revolucionin e madh letrar, atdhetar, të quajtur Rilindja Kombëtare në shekullin XIX që i japin një frymë identitare veprës së tij. Janë studime të hollësishme që argumentohen me dokumente të rralla që ai i ka qëmtuar me durim dhe pasion nëpër arkiva e biblioteka që nga Venecia, Parisi e Barcelona, me korrespondencë të rregullt si një lexues i përkushtuar ose edhe vetë, kur i binte rasti të udhëtonte me ndonjë delegacion, i ngarkuar  për punë të tjera.
Gjatë bisedave, pranë nesh vinte herë pas here zonja Shuteriqi, që unë e njoha ato kohë. E ëmbël në komunikim dhe tepër e zgjuar, e mirinformuar pothuaj për të gjitha problemet që ishin pjesë e jetës së Shuteriqit, ajo ndërhynte herë pas here, për ndonjë datë, emër apo ngjarje, që e kishin jetuar së bashku. U mahnita nga shpirti i tyre i hapur e i sinqertë, nga komunikimi i tyre plot dhembshuri. Ajo i përgjigjej çdo kërkese të tij, duke e parë në sy me përgjërim. Zonja Shuteriqi ishte tamam një ëngjëll mbrojtës i tij. Ishte mësuar të kujdesej për të që herët, që në çastin kur ai i dashuruar marrëzisht pas saj, në një nga takimet e para kur zbritën nga mali në Elbasanin e lirë, i pati thënë se ndoshta dashuria e tyre do të ishte e pafat: mjekët në Francë gjatë kontrollit studentor, e kishin sinjalizuar për një problem në zemër që do të ishte me pasoja. Megjithëse paksa mosbesuese atëherë, sepse kishte përpara syve një djalosh të shëndetshëm e të hijshëm, ”princin e ëndrrave”, pas këtyre fjalëve ai iu duk i brishtë. Mos e ngarkoi fati me një mision? Normalistja e dikurshme, disi e brishtë që një natë gushti të vitit ’44, u ngjit në mal partizane me shumë të rinj e të reja elbasanas për ta vënë jetën e saj të re në altarin e lirisë, u bë jo vetëm gruaja e tij e jetës, bashkëudhëtare besnike, duke mbetur njëkohësisht mikja dhe shoqja e tij më e dashur, por edhe një bashkëpunëtore e përhershme në punën e tij. E si do të kishte lulëzuar personaliteti i Shuteriqit, po të kishte qenë ndryshe ? Ky është një rast i rrallë. Dashuria nuk i kishte shuar ende flakët e pasionit në shpirtrat e tyre as në atë moshë kur ditët dhe muajt janë të numëruar. Dhe më e rëndësishmja është që ata jetonin me dashuri në kohën kur mungesa e dashurisë është një realitet tragjik i ditëve tona. Kjo ishte gjëja më e magjishme në marrëdhëniet e tyre.
 
***
Si kulturolog i madh, vazhdimësia iliro-arbërore-shqiptare ishte për të një e vërtetë e patjetërsueshme, të cilës donte t’ia gjente amën. Shuteriqi përjetonte heshtjen domethënëse të atij që ka në dorë çelësin e enigmës. Fjala e tij karakterizohej nga sinqeriteti, vërtetësia dhe nga qëndrimi kritik ndaj së kaluarës komuniste, të cilës iu dha me besim të madh, por edhe ndaj realitetit të ri të demokracisë, që e entuziazmoi, por që nuk mënoi të shfaqej i armatosur me politikën e vjetër të hakmarrjes. Në ato situata të zymta kur në shtypin e djathtë filloi të hidhej baltë mbi shumë figura që jetuan dhe punuan në monizëm, ai i priti me një qëndresë të pashembullt gurët e mëdhenj që ranë aq shumë mbi të për ta rrëzuar. Por nuk mundën. Dhe vazhdoi i paepur udhëtimin si patriark i kulturës shqipe, për të realizuar gjer në fund vetveten.
E plotë, harmonike dhe shumëplanëshe, vepra e tij është një organizëm i gjallë.  Shumësia e formave të ligjërimit shkrimor: Kritikë letrare, ese kulturore, studime shkencore krahasuese, letërsi, përmbledhje dokumentesh burimore, publicistikë,  sjell para lexuesit tonin e veprës, stilin e Shuteriqit, por krijon edhe një dendësi të ndritshme, një ndërthurje që e lidh atë fort me epokën kur punoi. Trajektorja e tij krijuese vjen me vepra të panumërta, të realizuara pjesë-pjesë dhe njëherësh, me një punë të vazhdueshme e të frymëzuar shkencore, historike e letrare. 
Proza e tij e pasur me atmosferën, peizazhin dhe karakteret shqiptare, është në vetvete një punë sublimuese me fjalën shqipe, ajo shpalos hijeshinë e saj zanafillore. Janë pastaj edhe vizatimet, si mjet tjetër i shprehjes artistike, që përbëjnë një nga pasionet e tij dhe që e zgjerojnë së tepërmi hapësirën e tij imagjinare, duke ia theksuar përherë e më shumë  individualitetin krijues. Kështu, ai nuk mbeti një bodlerian i vetmuar i poezisë, por u bë prote i kulturës shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.
“Gjithë jetën kam shkruar duke kërkuar diçka. Idetë më vinin me shumicë. Kështu dita-ditës u formësuan veprat e mia, sidomos ato studimore, që mbase ndonjë prej tyre do t’u vlente studiuesve të rinj. Kam jetuar gjithnjë me shqetësimin për të punuar. Proza ka qenë si një moment çlodhjeje. Merrja frymë kur më mbyste shkenca.” .
 
***
Jeta dhe puna e Shuteriqit janë të pakufishme. Ai rrëfente nga një lartësi kohe romanin e jetës së vet. Dhe ishte një protagonist i pëzëvendësueshëm. Kjo më ndihmoi të ndërtoja shpejt njëlloj maketi e ta hidhja në letër. Në shënimet që kisha marrë, disa pika ndriçuese që prijnë të ecësh e sigurt në një labirint të hapur jetësor si: Fëmijëria me atmosferën dhe kujtimet e gjalla që ushqyen imagjinatën e tij; liceu, mospajtimi me varfërinë dhe prapambetjen në regjimin e mbretit dhe përfshirja në lëvizjen komuniste; Franca universitare, lidhja e tij me lëvizjen studentore antifashiste dhe me fymën e emigracionit politik përparimtar; kthimi në Shqipëri dhe përfshirja e menjëhershme në luftën partizane për çlirim; zbritja nga mali si fitimtar dhe përkushtimi ndaj arsimit dhe kulturës e që krijojnë një vijimësi në  rrugën e tij prej intelektuali atdhetar. Përballimi i frontit të vështirë si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve në epokën e një shoqërie klasore; shkarkimi dhe vazhdimi i punës krijuese e studimore me betejat e gjata në tryezën e punës, janë një pamje tjetër e personalitetit të tij. Edhe pse do ta paguante shtrenjtë me infarkt dhe vdekje klinike me 1982, ai nuk e ndali punën e nisur.
Bisedat tona u rralluan në vitet ’97 dhe ’98, por qenë vite me një peizazh historik të aksidentuar keqazi, sidomos pas rënies spektakolare të ”piramidave” më 1997, kur shoqëria shqiptare u fundos edhe njëherë në marrëzi me konfliktin e një lufte të turpshme veri-jug. Në vjeshtë të vitit 1998 dhe në pranverë të vitit 1999 erdhën muajt tragjikë të vuajtjes së shqiptarëve të Kosovës me plaçkitje, vrasje e djegie, që arritën kulmin me martirizimin e heroit Adem Jashari dhe të familjes së tij... Pastaj episodet me përmasa biblike të përndjekjes me dhunë të një populli të tërë nga trojet e tyre. Momente të tilla Shuteriqi i përjetonte rëndë.
Në vjeshtë të vitit ’99 unë shkova në Paris për të dhënë disa provime paradoktorate për letërsi dhe i nisa që andej një letër. Shuteriqi më dërgoi një përgjigje të gjatë, të daktilografuar në makinë. Ishte një letër ku nuk mungonte nostalgjia e tij për vitet e rinisë në Francë: ”[...] 60 e kusur vjet të shkuara, nga një papafingo e katit të pestë, - unë student i ri [...]dilja për herë të parë në Evropën e madhe [...] Grenoble-i vinte që nga largësitë romake. Dhe universiteti i tij, më 1936, kur unë vajta atje, festoi 600-vjetorin, duke mbajtur erën e dijeve të rrasallitura për 200 mijë ditë e më shumë.   [...] Tramvajet që përshkonin Sheshin e Universitetit, ishin bërë për mua jo shqetësuese të studimit, po gati nanuritëse, - nanuritëse hekurore! [...] Në ato fjalë nuk mungonte as brenga që jetonte ditë të vështira, të cilat nuk i kishte imagjinuar: ”[...]Mos na pyete si po e  çojmë? Si gjarpri i vrarë nëpër plisa, thotë Elbasani, - keq e mos më keq. Jetojmë këtë pjesë të historisë së Shqipërisë së sfilitur në shekujt e gjatë. Nuk mësohemi dot me të. Nuk ish i nevojshëm shkatërrimi barbar, gjer të digjen edhe shkollat e një populli të përvëluar për kulturë! ”
I shkrova përsëri një letër. Por përgjigjja e tij nuk ishte më e daktilografuar. Ishte një shkrim dore i imët, miniaturë e pazbërthyeshme, që tregonte se me shëndetin e tij diçka e rëndësishme kishte ndodhur. Kur u ktheva e mora vesh se kishte pësuar një aksident të heshtur kardiovaskular. Por shenjat e vuajtjes i kishin kaluar dhe gjallërinë ia shtonte sidomos ngjyra e shëndetshme e fytyrës. ”E kam trashëgim nga moma” , thoshte përherë.
Në korrik të vitit 2001, me rastin e 86-vjetorit të lindjes botova në gazetën Shekulli” shkrimin Shuteriqi, dimri i qetë i patriarkut, i cili hidhte pak a shumë një vështrim diakronik në jetën e tij. Tashmë unë e kisha skicuar tekstin në dorë të parë. Sigurisht, as i thashë e as më pyeti. Dhe nuk më pyeti ndonjëherë. Shkova e ia dhashë gazetën me shkrimin, duke e uruar për ditëlindjen, por gjithsesi te Shuteriqët ishte një atmosferë e zymtë. Në shtëpi mbretëronte një heshtje vrastare. Herë të tjera e mbushnin me zërat e tyre Livia dhe Juni, fëmijët e të birit që ka emigruar në Kanada, i detyruar ta braktiste këtë vend si shumë shqiptarë të tjerë, në kushtet e papunësisë që ishte krijuar. Në ditar ai kishte shkruar: « Sot në aerodrom përcollëm Piron e Mirën me dy fëmijët e tyre, Livian e Junin për në Kanada, ku venë të vendosen. Ishte dita më e zezë e jetës sime. A do t’i shoh unë më fëmijët e mi që ikën ? […] Paçin jetë të gjatë, qofshin të lumtur. Shqipërinë mos e harrofshin » .
Në korridor, në palltombajtëse rrinte varur një top i vogël futbolli, futur në një rrjetë. « Aty do ta lëmë që kur të vijë ta gjejë », tha ndër të tjera Shuteriqi, duke patur parasysh nipin dhe një psherëtimë e gjatë i doli nga kraharori.
Pas kësaj takimet tona u bënë më të rralla edhe për arsyet e mia shëndetësore. Një ditë shtatori të vitit 2002, Shuteriqi me të shoqen më bënë një vizitë në shtëpi. Të vinte për vizitë Shuteriqi, ishte ngjarje. Si përherë ai e mbushi kohën me rrëfime, një përzierje midis filozofisë dhe praktikës jetësore që duke e dëgjuar, harroje vuajtjet dhe pezmatimet. Ai është rrëfimtari më i mahnitshëm që kam takuar gjer më tani. Në një moment ai filloi të fliste frëgjisht dhe dukej sikur këndonte. E fliste aq bukur e aq rrjedhshëm, sa kishe dëshirë që ajo bisedë të ishte pa kufi.
Unë iu ktheva sërish tekstit, duke e pasuruar me ndonjë fakt të ri dhe mendoja se ai po merrte formën e vërtetë. Mbase ishte maji i vitit 2003 kur Shuteriqët më ftuan të pinim kafe në një lokal afër shtëpisë së tyre. Ishte mëngjes i ngrohtë, ditë me diell, qiell i kaltër. U ulëm në një tryezë jashtë. Profesori, - edhe unë i drejtohesha si shumë të tjerë, - i dha frymë jetësore bisedës. Rrëfeu disa gjëra për Francën. Mes të tjerash shpjegoi se Avni Rustemi e qëlloi Esat pashë Toptanin duke dalë nga hoteli Kontinental, një nga hotelet më luksoze dhe më të shtrenjta të Parisit të asaj kohe, në të djathtë, para hyrjes kryesore (por që unë në libër përmend emrin e një hoteli tjetër, dhe nuk e kuptoj si ka ndodhur ai lapsus). Kur takoheshe me Shuteriqin duhej të ishe gjithmonë e përgatitur me mjetet e shkrimit. Çdokush përfitonte nga ato që tregonte. Thuajse për çdo emër të përveçëm ose ndodhi, ai kishte pika referimi që e pasuronin bisedën si në një enciklopedi të vërtetë. Pas këtij takimi unë nuk e pashë më. Në korrik ai luftoi tri ose katër javë për mbijetesë, por më në fund iu dorëzua vdekjes më 21 të atij muaji, kur  kishte  fare afër festën e emrit më 26 korrik. Lajmin për vdekjen e tij unë e mora vesh në Mallakastër ku kisha vajtur të kaloja të nxehtët e padurueshëm të asaj vere. Ishte një lajm që përmbante një kumt shumë të hidhur. Protagonisti i librit tim nuk rronte më. E kam vështirë t’i përshkruaj ato çaste të rënda. Ky akt i largimit absolut të Dhimitër S. Shuteriqit nga jeta, i dha tekstit arkitekturën e tij përfundimtare. Befas figura e tij përftoi njëlloj përmase legjendare me formën ishte, që e sublimon udhëtimi drejt përjetësisë. Dhe tërë materiali iu nënshtrua një gjykimi të ri. Të flasësh për vështirësitë e një pune të tillë, është e pavlefshme, sepse kjo gjë kuptohet vetë. Libri me titull Dhimitër S. Shuteriqi u botua më 2010 nga Akademia e Shkencave, duke e nderuar emrin e tij si akademik.
 
***
Jeta e Shuteriqit është një histori ku mpleksen, përpjekje, kontradikta absurde, kënaqësi të punës krijuese, qëndrime që ishin edhe në kundërshtim me bindjet e tij intelektuale, por që të zhvendosura në realitetet e reja historike marrin tjetër kuptim. Detyrimisht ato janë parë të lidhura ngushtë me kohën që i prodhoi.  Dhimitër S. Shuteriqi është një rast i veçantë. Nga të gjitha figurat e kulturës shqipe, ai i jetoi intensivisht disa periudha historike të Shqipërisë: mbretërinë, kohën e luftës partizane, socializmin stalinist dhe fillimet e demokracisë si një episod politik dhe shoqëror mjaft i trazuar. Por Shuteriqi shihte përtej kohëve, në të ardhmen, me një shpirt të jashtëzakoshëm pune, që e bëri të realizonte një opus operandi të plotë në kohën e mungesës së plotërisë. Të ngjizura në disa dhjetëvjeçarë me një strukturë piramidale, librat kryesorë të tij janë : poezi, prozë, studime për letërsinë dhe folklorin, studime kulturore dhe historike, skenarë për filma artistikë si dhe publicistikë. Sigurisht që lexuesi nuk e njeh tërë veprën letrare dhe shkencore të tij, sepse ajo ka një shtrirje të gjerë e të thellë, por ai e dallon pasurinë stilistike të saj, duke lexuar vetëm pak faqe nga dy apo tre libra letrarë,  si bie fjala Kangët e rinis së parë, 1935; Gurnecka,1957:  Një mal me këngë, 1975;  Sytë e Simonidës, 1998 dhe 2009 (postume), apo e kupton  vlerën e kërkimeve identitare kulturore e historike, duke shfletuar librat  Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800,  1965, 1976, 1978 dhe  2005 ( postume); Nëpër shekujt letrarë, 1973; Moti i Madh, 2006 (postume), të cilët duhet të jenë si një triologji e pandashme për çdo bibliotekë të vogël shtëpiake, pa përmendur pastaj libra të tjerë që formojnë pak a shumë një katedrale balzakiane si Metrika shqipe , 1947;  Folklora shqipe , 1947, 1949;  Letërsi e re shqipe, antologji e komentuar , 1950;  Çlirimtarët, 1952, 1954;  Histori e Letërsisë Shqipe, 1955, 1959, 1983, Kënga dhe pushka, 1963; Maratonomaku ynë, 1977;  Te Qafa e Botës, 1986;  Kroje kam et, 1997 etj. Dhe në qoftë se lexuesi është shumë i kursyer në kohë, mund t’i kushtohet fillimisht tregimeve madhështore Ditët e sprasme të Gjorg Golemit, 1957, dhe Zot e rob, 1961 në librin me tregime Kënga dhe pushka.
Emri i Shuteriqit është nderues për letrat shqipe. Janë afro gjashtëdhjetë vjet veprimtari me interesa të shumanshme, të cilat përbëjnë një fond vlerash të patundshme në ndërtesën e kulturës kombëtare. I pajisur me frymë iluministe, i vendosur denjësisht në kampin e fitimtarëve, ai me të zbritur nga mali, u përpoq të realizonte veçanërisht ëndrrën e madhe për arsimimin e brezave. Ai u hyri punëve të mëdha që u mishëruan në vepra përgjithësuese për interpretimin e  dokumenteve të shqipes së shkruar; për studimet më të rëndësishme për letërsinë me një jetëshkrim diakronik të saj, duke filluar me letërsinë e vjetër shqipe; dosje dokumente për Skënderbeun; për historinë e Aranitëve; fjalor parabuzukian, naimjan etj.  Sot mund të thuhet me bindje se pa emrin e tij nuk mund përfytyrohet dot historia e traditës sonë kulturore.
Shuteriqi e nisi rrugën si poet, por poezia nuk do të bëhej traseja kryesore në udhën e tij krijuese. Dhuntia krijuese do të shpërthente në prozë, e cila thuri dalngadalë kurorën e fitores së tij si një ndër individualitetet dhe stilistët e papërsëritshëm të letërsisë shqipe. Tematika e gjerë shoqërore dhe sidomos ajo historike, ku lartësohen karaktere të papërsëritshëm epiko-dramatikë, që herë-herë shkojnë deri në realizime figurash monumentale si Gjorg Golemi, Dhaskal Todri, Marin Barleti, Ismail Qemali, Isa Boletini e të tjerë, përbën anën më të ndritshme të Shuteriqit prozator.
I pajisur me dije dhe kulturë klasike materialiste, që u farkëtua në një nga universitetet më të njohura të Francës dhe Europës, i udhëhequr nga pasioni i studiuesit, njohës i procesit dialektik të zhvillimit kulturor, ai është një rast i rrallë, fat për kulturën e një kombi. Në vetëdijen e Shuteriqit gjuha dhe letërsia shqipe, janë vështruar si një tërësi historike e shoqërore në vazhdim, si scripta continua, prandaj plotësimi i ndërtesës që ka ngritur ai, duhet të quhet një veprim i natyrshëm. Sepse kolonat e mëdha të kësaj letërsie me emrat Naim Frashëri, De Rada, Kristoforidhi, Çajupi, Noli, Mjeda e Migjeni, janë gdhendur deri në  lartësitë e merituara nga pena e tij e palodhur. Vërtet që futja në ditët tona të disa emrave si Fishta, Kuteli, Konica dhe e ndonjë tjetri e ka pasuruar përfytyrimin e brezave për letërsinë, por ata aty kanë qenë, të përmendur në brengën e tij të madhe jetësore për detyrimin ndaj tyre.
Libri Tekstet Shqipe dhe shkrimi i shqipes në Vitet 879-1800,  botimi i fundit është një rrugëtim i vetmuar dhe i heshtur në botën e dëshmive për formimin e etnokulturës shqipe, një fond i  qëndrueshëm albanologjik. Njohës i qytetërimeve dhe kulturave të njerëzimit, duke e vështruar kulturën shqipe në marrëdhënie me kulturat e tjera në hapësirën ballkanike, europiane e më gjerë, duke e ushqyer kujtesën tonë intelektuale për periudhën letrare e paraletrare të gjuhës sonë, ai mund të quhet me të drejtë jo vetëm kërkues, por edhe sjellës i burimeve kulturore. Do të mjaftonte vetëm ky libër për t’i dhënë kurorën e mirënjohjes së kombit. Por vepra e Shuteriqit është e madhe. Ajo mbetet referencë e saktë për shumë fusha të kulturës e sidomos për autorët e mëdhenj të letërsisë shqipe; për Mesjetën; për Rilindjen Kombëtare;  për Arbëreshët; për folklorin shqiptar brenda dhe jashtë atdheut.
 
***
Puna me librin dhe dokumentin është pjesa më e rëndësishme e veprimtarisë së  Shuteriqit. Kur njihesh me fondin e librave të bibliotekës së tij, kur shfleton ato me shënime pune apo me kushtime, kur sheh nëpër rafte libra që ishin të “ndaluar” për kohën, autorë të huaj apo shqiptarë që nuk i donte regjimi, kur lexon korrespondencën që flet kryesisht për libra dhe dokumente të zbuluara, kur njihesh me punën e tij nëpër biblioteka të tjera apo nëpër arkiva, kur lexon shkresa që vërtetojnë se i ka dhuruar disa herë libra Bibliotekës Kombëtare, Shuteriqi merr një shugurim tjetër postume, atë të njeriut të lidhur ngushtë me librin. Do të ishte mirë që nga instancat përkatëse të mendohet që, emri i tij të përjetësohet me institucionin qendror të librit, me Bibliotekën Kombëtare, e cila duhet të mbajë emrin «Biblioteka Dhimitër S. Shuteriqi ». (Kjo është thënë e rithënë disa herë). Sami Frashëri në librin monumental Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë? që duhet të jetë libri numër Një i çdo biblioteke të shqiptarëve, shkruan: “Në ka një gjë, për të cilënë Shqipëtarëtë duhet të kujdesenë më të teprë, ajo pa ndryshim është Diturija” .
Askush si Shuteriqi nuk e kaloi nëpër duar librin, ai është ndër të rrallët që punoi me aq përkushtim për kulturën shqipe. Me këtë veprim ne do të kryejmë një detyrim të madh atdhetar ndaj këtij punëtori të palodhur të kulturës, por edhe do të tregojmë se vlerësimi i personaliteteve të mëdha është çështje kombëtare dhe aspak çështje e ngushtë partish. Kombi dhe kultura qëndrojnë mbi partitë, mbi grupet dhe individët. Kombi dhe kultura e tij janë të përjetshme.
 
 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Augustin Palokaj: Fillimi i ri apo vazhdimi i të vjetrit në BE

Augustin Palokaj: Fillimi i ri apo vazhdimi i të vjetrit në BE