Si bëhet regjistrimi i pemëve dhe i pasurive natyrore

Në emisionin “Këndi i Ekspertit”, në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në Rubrikën “Prona Ime” ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj, drejtues i Studios Ligjore “Bylis”. Eksperti ynë është ndalur në këtë emision për të sqaruar se bëhet regjistrimi i pemëve dhe i pasurive natyrore. Begaj

se çfarë rregullash duhet që të ndiqen nga qytetarët dhe dokumentet që duhen për regjistrimin. Më pas Gjergji Begaj u është përgjigjur pyetjeve live të qytetarëve në Report TV.

Sot do të flasim për nenin 62 “Regjistrimi i pemëve dhe i pasurive natyrore”. Ky nen ka tri pika:

1. Çdo pemë në tokë shtetërore apo private, duhet regjistruar në zyrën kadastrale të vendit ku ndodhet. Pronari duhet të paraqitet me një hartë dhe me një inventar të detajuar të pemëve që gjenden në pronën e tij. Për pemët në parqe publike dhe në pyje, rolin e pronarit e kryen autoriteti shtetëror sipas legjislacionit përkatës.

2. Pas paraqitjes së hartës, inventarit të pemëve dhe një kërkese, drejtoria vendore përkundrejt pagesës pajis pronarin me sasinë e nevojshme të matrikujve, të cilat ai është i detyruar që t’i vendosë në çdo pemë.

3. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat e detajuara për këtë proces, si edhe për pasqyrimin në hartat kadastrale të pasurive natyrore si male, lumenj, liqene, basene, puse nafte e për çdo pasuri tjetër natyrore.

Si duhet vepruar për regjistrimin e pemëve dhe të pasurive natyrore, gjithnjë duke u mbështetur në këto tri pika kryesore të nenit 62?

Jo vetëm toka si pasuri duhet regjistruar, por tashmë duhen regjistruar edhe pemët. Ky nen është riparë ose ndoshta edhe është futur si nen i ri në ligjin e ri të Kadastrës. Kjo është një gjë shumë e mirë sepse tanimë edhe pemët kanë rëndësinë e tyre. Ashtu siç është toka pronë private dhe nuk duhet prekur, dhe personat që e cenojnë atë dënohen sipas Kodit Penal, edhe pemët kanë rëndësinë e tyre dhe duhen ruajtur nga ligji. Çdo pemë që ndodhet në tokë shtetërore ose në tokë private duhet që të regjistrohet në një regjistër të veçantë të Kadastrës. D.m.th. një fermer, i cili ka një sasi pemësh në fermën e vet, është i detyruar që për këto pemë të deklarojë numrin e saktë të tyre dhe llojin e saktë të tyre, si p.sh. mollë, bajame etj., sipas zërit kadastral përkatës. Kadastra është e detyruar që fermerin ta pajisë me një matrikull, i cili është një shirit që i vendoset pemës. Çdo pemë duhet që të ketë matrikullin e vet dhe agronomi, i cili i bën proceset e tij të kontrollit e të shërbimit, duhet që të ketë numrin e pemës me matrikull të caktuar. Pra, ka një kartelë ashtu siç është kartela e pronës.

Në cilën hartë regjistrohen pemët dhe pasuritë natyrore?

Këto janë nene që po përpunohen nga Kadastra dhe normalisht, duhet pritur që formulari apo kartela e veçantë ku do të regjistrohen pemët, do të dalë më vonë. Për momentin nuk e kemi. Por Kadastra natyrisht që do ta përpunojë shpejt këtë nen dhe do të nxjerrë materialin e duhur, i cili do t’u vihet në dispozicion fermerëve.

Çfarë rregullash duhet që të ndiqen nga qytetarët dhe nga institucionet shtetërore për sa u përket pemëve dhe pasurive natyrore?

Siç thashë edhe më lart, përveç regjistrimit të pronës private siç është trualli, toka bujqësore, pyjet etj., ka ardhur koha që të regjistrohen edhe pasuritë e tjera si pemët, lumenjtë, liqenet, basenet etj., dhe këto të kenë një kartelë më vete, pse jo edhe një certifikatë më vete, në të ardhmen. Kështu ato do të jenë pasuri që kanë vlerë, por tashmë e regjistruar me një dokumentacion të rregullt ligjor në Kadastër. Pikërisht tani, është neni 62 i Ligjit për Kadastrën, ai që do të bëjë të mundur regjistrimin dhe mbrojtjen e pemëve dhe të pasurive të tjera natyrore.

Çfarë dokumentesh duhen për të bërë regjistrimin e pasurive natyrore dhe çfarë duhet të kenë kujdes personat e interesuar?

Kjo më tepër bëhet për fermerët sepse shteti i ka të rregulluara dhe të mbrojtura pronat e veta brenda institucioneve të tij. Fermeri duhet të ketë një hartë të saktë, të cilën duhet ta realizojë me ndihmën e një specialisti topograf. Në hartë përcaktohet numri i pemëve dhe koordinatat e tyre. Pastaj me këtë hartë, fermeri paraqitet në zyrën e Kadastrës. Kadastra bën regjistrimin dhe e pajis fermerin me matrikull për çdo pemë. Gjithashtu në Kadastër do të jetë edhe një regjistër i veçantë, i cili për momentin nuk ekziston, ku do të regjistrohen të gjitha pasuritë natyrore.

Jam nga Tirana. Kam një parcelë ullishte, të cilën e disponoj me certifikatë pronësie. Si duhet të veproj tani, për të bërë matrikullimin e pemëve?

Zotëria duhet që të ndjekë të njëjtat procedura, të cilat unë i thashë edhe më parë. Pra, ai duhet të evidentojë numrin e saktë të pemëve ullinj që ai ka në zotërim. Mirë është që ai të bëjë një matje, e cila duhet realizuar nga një specialist topograf, në mënyrë që të përcaktohet saktë vendndodhja e pemëve. Ndodh që një pemë edhe të digjet apo të kalbet, sepse pema nuk është pasuri e patundshme, është diçka që lëvizet nga vendi dhe mund ta mbjellësh edhe diku tjetër. Prandaj e theksoj që është shumë e rëndësishme përcaktimi i saktë i vendndodhjes së tyre me GPS, që të dihet saktë se ku është e vendosur pema. Pemët janë njëlloj si numri i apartamenteve. Kështu edhe pemët duhet të kenë numrin e caktuar që t’i vihet pastaj edhe matrikulli. Në kohën kur një pemë nuk ekziston më për një arsye të caktuar, qytetari duhet që të bëjë çregjistrimin e saj në Kadastër. Në bazë të numrit të pemëve, më pas qytetari edhe do të paguajë taksa apo do të subvencionohet, sipas ligjeve që do të miratohen në të ardhhmen. Në rastin konkret, zotëria e ka shumë të lehtë procedurën sepse ka edhe certifikatën e pronësisë. Pra thjeshtë ai duhet që të marrë një specialist topograf, të bëjë një rilevim të parcelës që ka në zotërim, duke përcaktuar numrin e saktë të pemëve dhe për çdo pemë të përcaktojë koordinatat e saj të sakta. Pastaj këtë plan rilevimi duhet që ta paraqesë në zyrat e Kadastrës.

Jam nga Saranda, nga Bashkia Finiq. Kam një ndërtesë, të cilën e kam ndërtuar para 10-15 vitesh. Kisha bërë 3 kate, e kisha me shtesë ndërtimi të paguar. Tokën e kam blerë nga komuna e asaj kohe. E kisha me leje ndërtimi, sipas rregullave. Tek ALUIZNI më thanë që kisha një kat pa leje, ndërsa 3 të tjerët me leje. Deri tani nuk kam e marrë lejen e legalizimit.

Zotëri ka marrë leje për të ndërtuar 3 kate, ka blerë edhe tokën, pra ka vepruar drejt. Por, gabimi në këtë rast është se zotëria ka shkelur lejen e ndërtimit. Ky është një veprim që e kanë bërë edhe shumë qytetarë të tjerë. Mirëpo, kur shkojnë për të regjistruar lejen, rezulton se kanë shkelur kushtet e lejes së dhënë. Kështu që nuk mund të bëhet akti i kolaudimit sepse ndërtesa ka dalë nga leja e origjinës. Këto raste penalizohen, pra qytetarët gjobiten nga bashkitë përkatëse. Ligji i legalizimit ka filluar të zbatohet që në vitin 2006. Qytetarit i lind e drejta që të gjithë procedurën për banesën që ka ndërtuar, ta kalojë te zyra e legalizimeve, në mënyrë që t’i njihet edhe shtesa pa leje që ka bërë. Por, procedura do të fillojë nga origjina tashmë, pra fillon që nga themelet. Leja që ka marrë nuk mund t’i regjistrohet dhe e gjithë godina do të kalojë në procesin e legalizimit. Ky është problemi që ka zotëria. Tashmë nuk ka më punë tek ish-komuna, por do të vazhdojë procedurën me zyrën e legalizimeve. Specialistët e zyrës së legalizimeve do të bëjnë matjet nga e para. Zotëria duhet që të paraqisë projektin dhe dokumentet që ka. Por i gjithë procesi do të kalojë nëpërmjet zyrës së legalizimeve.

Me këtë rast duha të theksoj që të gjithë ata qytetarë, të cilët marrin leje ndërtimi nga bashkitë e tyre, të tregohen të kujdesshëm dhe të zbatojnë me korrektësi projektin që ka bërë arkitekti dhe që është miratuar nga bashkia. Nuk duhet që të kalojnë asnjë centimetër jashtë atij projekti sepse në momentin kur bëhet kontrolli nga specialistët e bashkisë dhe konstatohen shkelje të lejes së ndërtimit, do t’u krijohen probleme të tilla dhe, për rrjedhojë, edhe penalitete.

Kam një pronë afër Rinasit, ku kalon treni. E kam mbjellë. Pronën e kam timen, por paulonat që kam mbjellë i kam të paregjistruara. Çfarë duhet të bëj?

Zotëria është në kohë. Në qoftë se i ka këto pemë apo bimë, të cilat përdoren për mobilie, të vazhdojë procedurën për regjistrimin e tyre. Tashmë neni përkatës dhe Ligji për Kadastrën është bërë funksional. Pas regjistrimit të tyre, zotërisë i lind e drejta që në të ardhmen të kërkojë edhe shpërblim nga shteti, pasi prona e tij ndodhet në linjën e hekurudhës Vorë-Rinas që do të ndërtohet. Kjo do të jetë një linjë hekurudhore e shpejtësisë së lartë dhe shpronësimet për realizimin e këtij projekti të ri sapo kanë filluar. Gjithashtu është miratuar edhe fillimi i punës për realizimin e këtij projekti. Prandaj zotëria brenda afatit të duhur kohor për të bërë regjistrimin e pemëve të tij. Gjithashtu i sugjeroj që t’i fotografojë pemët sepse në të ardhmen mund të dëmshpërblehet jo vetëm për tokën, por edhe për pemët.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?