Ky fakt ngacmues i zbardhur përmes një varg dokumentesh e dëshmish të kohës në librin e historianit britanik Joseph Swire “Shqipëria- ngritja e një mbretërie”, botuar në shqip nga Dituria, nxit kureshtjen dhe të fton për lexim në këto ditë kur çështja e Çamërisë po gjen një trajtim të ri.
Ndërsa trajton çështjet e vitit 1925 Swire, i kushton një fragment shumë interesant çëshjes së shqiptarëve të Greqisë dhe angazhimeve të shtetit shqiptarë në atë çështje në nëntor-dhjetor 1925.
“Çështja e pakicave shqiptare myslimane në Greqi u rihap në Gjenevë me një njoftim të qeverisë shqiptare se ajo kishte marrë informacion që delegatët grekë dhe turq të nënkomisionit të Epirit, duke vepruar në bashkëpunim me autoritetet greke, kishin vendosur të shkëmbenin 5.000 shqiptarë myslimanë të Çamërisë me 5.000 grekë nga Stambolli dhe kishin kërkuar anije për të dërguar grupin e parë prej 800 vetash në destinacion. Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes u informua që publiku shqiptar ishte jashtëzakonisht i revoltuar dhe kërcënonte për veprime hakmarrëse kundër pakicës greke në Shqipëri…”, - shkruan Swire duke vijuar më tej me ngjarjet që pasuan revoltën e palës shqiptare dhe zbutjen e situatës deri në frenimin e këtij plani djallëzor, pas ndërhyrjeve të qeverisë shqiptare deri në strukturat më të larta ndërkombëtare të kohës.
“Shqipëria- ngritja e një mbretërie” e Joseph Sëire shkruar në vitin 1929, i mbështetur në një pasuri të lakmueshme dokumentare dhe bibliografike, përveç një informacioni të gjerë dhe shpesh të panjohur për lexuesin shqiptar shquhet për përpjekjen e sinqertë (veçanërisht e dobishme për kohën kur u shkrua) në nxjerrjen në shesh të padrejtësive historike.
Më poshtë e sjellim të plotë fragmentin e tij kushtuar këtij momenti të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me Greqinë dhe çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.
Ad.Pe.
Nga Joseph Swire
Gjatë nëntorit dhe dhjetorit 1925 çështja e diskutueshme e pakicave të saj në Greqi pushtoi sërish vëmendjen e Shqipërisë.
Emërimi nga Lidhja i anëtarëve asnjanës të Komisionit të Përbashkët si delegatë të mandatuar prej saj nuk i përmirësoi shumë punët, sepse grekët iu përmbajtën politikës së tyre të mëparshme dhe në shumë raste i pengonin shqiptarët t’u drejtoheshin delegatëve. Megjithatë, në raportin e tyre për Këshillin e Lidhjes së Kombeve, me datë 3.8.25 (O. J., shtator 1925, 1218), këta të fundit bënë disa pohime interesante. Ata shkruanin:
“Sipas statistikave të dhëna nga agjenti ynë nga Epiri, popullsia myslimane e kësaj province [Epiri] më 11 korrik 1925 arrinte në 20.160 banorë, që zinin 2.511 shtëpi dhe ishin të shpërndarë nëpër 63 qytete dhe fshatra, ndërkohë që në të njëjtën datë 2.993 veta kishin qenë shpallur të shkëmbyeshëm dhe janë larguar nga territori (850 nga Preveza dhe 1.182 nga Janina, në qershor dhe korrik 1924; 561 nga Parga dhe 400 nga Konica, në prill 1925)...
Rezultati i përgjithshëm i dëshmive dhe i informacionit të siguruar në këtë mënyrë konfirmon përshtypjet e mëparshme në lidhje me kompleksitetin e problemit të mbrojtjes së pakicës myslimane me prejardhje shqiptare në Greqi. Përveç vështirësive që lindin nga konflikti i interesave - që rezulton nga fakti se qeveria greke shpreson të largojë sa më shumë myslimanë që të jetë e mundur me sistemin e shkëmbimit dhe që popullsia me prejardhje shqiptare ka të drejtë të qëndrojë në shtëpitë e veta duke gëzuar plotësisht pronën e vet - ka disa pengesa të karakterit teknik që shërbejnë për ta ndërlikuar funksionimin e organizimit të Komisionit të Përbashkët dhe, a fortiori, edhe punën e agjentit tonë.
Me gjithë dëshirën e shprehur nga një pjesë e madhe e popullsisë për të qëndruar në vend, shpejt për ne u bë krejtësisht e qartë që, në kundërshtim me supozimet teorike, personat në fjalë nuk kishin asnjë ide për prejardhjen e tyre” (që është shumë e natyrshme, sepse ata ishin fshatarë autoktonë, analfabetë) “dhe, po të pyeteshin për këtë çështje, zakonisht mjaftoheshin të shpallnin besimin e tyre mysliman. Veç kësaj, masat të cilave u nënshtrohet ende prona e tyre - dhe, më në veçanti, prona e tyre e patundshme - duket se, në një përpjesëtim të lartë të rasteve, ndikojnë mbi deklaratat e personave në fjalë, shumë prej të cilëve e konsiderojnë emigrimin në Turqi në kuadrin e shkëmbimit si një mjet për të marrë tokë; në raste të tilla ata nuk e përmendin prejardhjen e vet shqiptare ose shkojnë deri atje sa të pretendojnë për ndonjë prejardhje tjetër.”
Kësaj Mehdi Frashëri, që kishte zëvendësuar Blinishtin në Gjenevë, i shtoi: “Nuk duhet harruar që, kur një individ pyetet për kombësinë e tij dhe ka pas vetes një xhandar të armatosur, përgjigja e tij do të ndikohet nga ky xhandar. Në këto kushte ai do të jetë i gatshëm ta shpallë veten hotentot, po t’ia kërkojnë këtë.”
Në udhëzimet e veta plotësuese të datës 3.8.25 për nënkomisionin e Epirit, Komisioni i Përbashkët shkruante:
“1. Fakti që një person ka lindur apo paraardhësit e tij në linjë atërore kanë lindur në një vend të përfshirë në njërin prej rajoneve të përcaktuara më poshtë, ndonëse duhet konsideruar si një supozim në favor të prejardhjes shqiptare të këtij personi, nuk përbën provë, në qoftë se nuk mbështetet nga faktorë të tjerë të numëruar në udhëzimet që tashmë janë dhënë. Mungesa e njërit prej të gjithë faktorëve të tillë përbën një supozim për të kundërtën, pesha e të cilit duhet të gjykohet nga nënkomisioni.
2. Rajonet të cilave u referohet pika 1 janë si më poshtë:
a) Territori që përfshihet në kufijtë politikë të Shqipërisë sikurse janë përcaktuar tani.
b) Provinca e Epirit, me përjashtim të qyteteve të Janinës dhe Prevezës dhe të çdo rajoni tjetër në të cilat është e njohur përgjithësisht se popullsia me prejardhje joshqiptare është vendosur si rezultat i imigrimit.”
Çështja e pakicave shqiptare myslimane në Greqi u rihap në Gjenevë me një njoftim të qeverisë shqiptare se ajo kishte marrë informacion që delegatët grekë dhe turq të nënkomisionit të Epirit, duke vepruar në bashkëpunim me autoritetet greke, kishin vendosur të shkëmbenin 5.000 shqiptarë myslimanë të Çamërisë me 5.000 grekë nga Stambolli dhe kishin kërkuar anije për të dërguar grupin e parë prej 800 vetash në destinacion. Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes u informua që publiku shqiptar ishte jashtëzakonisht i revoltuar dhe kërcënonte për veprime hakmarrëse kundër pakicës greke në Shqipëri.
Më 7 dhjetor, Mehdi Frashëri i shkroi (O. J., shkurt 1926) Sekretarit të Përgjithshëm se qeveria shqiptare kishte qenë e detyruar të njoftonte përfaqësuesin grek në Tiranë që, nëse qeveria greke këmbëngulte në qëllimet e saj për dëbuar shqiptarët myslimanë nga Çamëria, ajo do të dëbonte pakicën greke si hakmarrje; qeveria greke ishte përgjigjur që, nëse do të ndodhte kjo, Greqia do të merrte masat e përshtatshme. Frashëri i kërkoi Lidhjes të ndërhynte pa vonesë, duke vërejtur me të drejtë: “Jetojmë në shekullin e njëzetë dhe feja nuk duhet të ngatërrohet me racën sikurse ndodhte në Mesjetë.”
Për fat, kishte nisur një ndryshim në politikën e Greqisë ndaj Shqipërisë. Me sa duket, Greqia kishte filluar ta kuptonte që për atë vetë kërcënimi sllav nuk ishte më pak i rrezikshëm se sa për Shqipërinë dhe se ishte në përfitim të saj të vendoste marrëdhënie të përzemërta me fqinjën e saj të vogël, aq më tepër kur në Greqi kishte kaq shumë njerëz që ishin shqiptarë nga raca, prejardhja, gjuha dhe ndjenjat. Ky ndryshim në qëndrim u pasqyrua jo vetëm në Gjenevë, por edhe në shtypin grek dhe në fund të vitit 1925 Eleftheron Vima, në një artikull të posaçëm, tërhiqte vëmendjen për trajtimin e mirë të elementit të krishterë në Shqipëri nga qeveria e Ahmet Zogut (T. 9.3.26). Veç kësaj, në pranverë 1926, gjenerali Pangallos bëri një deklaratë në të cilën mendimin e dikurshëm që të gjithë shqiptarët ortodoksë ishin grekë e quajti “një ide të gabuar dhe të kapërcyer” dhe shtoi: “Meqenëse kjo teori e ka shtuar shpejtësinë në perëndim të saj dhe ka arritur thellësitë e bezdisë, unë kam vendosur t’i shkrij shoqatat verioepirote, që kanë prekur, për t’u shprehur kështu cakun e errësimit mendor.” Ai, me një cinizëm humoristik, vazhdoi: “Gjithkush i njeh shërbimet që i kanë bërë verioepirotët idesë greke, por superpatriotizmi është po aq i rrezikshëm, sa ç’është i dobishëm patriotizmi” (T. 9.3.26).
Greqia mori një qëndrim të zbutur në lidhje me shqiptarët myslimanë që ajo kishte parashikuar t’i largonte dhe pranoi të mos kërkonte më largimin e tyre, ndërsa Komisioni i Përbashkët raportonte më 9 mars 1926 se myslimanët në Epir nuk do t’i nënshtroheshin më shkëmbimit, me përjashtim të rasteve të izoluara. Ky mirëkuptim u pasua nga përfundimi në pranverë, në Tiranë, i Traktatit të Ekstradimit dhe i një konvente për kombësinë e banorëve të të dy vendeve, që u përfundua midis qeverisë greke dhe një delegacioni shqiptar të dërguar në Athinë për këtë qëllim. Gjithashtu nisën bisedimet për përfundimin e konventave për tregtinë dhe lundrimin, çështjet konsullore, tranzitin, komunikacionet telegrafike dhe postare dhe çështje të tjera, por rrëzimi i gjeneralit Pangallos i ndërpreu dhe ato u realizuan në mënyrë përfundimtare dhe të kënaqshme vetëm në tetor.
Gjatë fillimit të verës së vitit 1926, Patriarkana e Stambollit, me kërkesë të Greqisë, dërgoi në Tiranë mitropolitin e Trabzonit, imzot Krizantemosin, për të rregulluar me qeverinë shqiptare disa çështje që kishin mbetur të pazgjidhura në lidhje me njohjen e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Misioni i tij rezultoi plotësisht i suksesshëm dhe çështjet e mbetura u zgjidhën duke i kënaqur të gjitha palët.
Qeveria shqiptare ishte vënë në pozitë shumë të vështirë nga fluksi i refugjatëve që vinin si nga Serbia Jugore, edhe nga Azia e Vogël. Këta të fundit ose ishin larguar nga shtypja jugosllave dhe qenë penguar të emigronin drejtpërdrejt në Shqipëri, ose kishin qenë përfshirë në shkëmbimin greko-turk të popullsive dhe, pa plaçkë e katandi dhe të dëshpëruar, po ktheheshin dalëngadalë drejt tokës së tyre amtare.
Gjatë vitit 1925, koloneli Stërling hartoi një skemë të peshuar me kujdes, që siguronte vendosjen e tyre në vend dhe më 14 dhjetor Mehdi Frashëri i kërkoi zyrtarisht Lidhjes dhënien e një huaje prej 120.000 sterlinash, që skema të mund të zbatohej. Përderisa një hua shumë më e madhe, për të njëjtin qëllim, i qe dhënë Greqisë, Shqipëria i kishte të gjitha arsyet të priste që kërkesa e saj të plotësohej (N. E. 14.1.26; 11.2.26; 2.9.26). Qeveria shqiptare parashikonte të jepte tokën, huaja do të shpenzohej nën drejtimin e Lidhjes për sigurimin e shtëpive, bagëtisë, farërave e kështu me radhë deri në të korrat e para. Qeveria ofronte vetë tokën si sigurim; mendohej që pas tri vjetësh të ardhurat e taksave dhe të rentës do të jepnin një interes të përshtatshëm mbi shumën e livruar, së bashku me një përqindje për një fond amortizimi. Lidhja ua referoi kërkesën ekspertëve të saj financiarë dhe, me sa duket, puna ngeli me kaq. Do të ishte me interes një shpjegim për ngurrimin e Lidhjes për t’i dhënë ndihmë financiare Shqipërisë.
Por ndërkohë qeveria shqiptare e mori problemin në dorë dhe në janar 1926 u krijua në Tiranë një komision qendror për të kontrolluar fondet - e siguruara nga nënshkrimet vullnetare, nga shoqatat filantropike dhe nga burime të tjera - dhe komitetet lokale që deri në atë kohë kishin funksionuar në mënyrë të pavarur dhe pa shumë sukses. Gjithashtu u vendos t’i jepeshin çdo familjeje pesë akra tokë, një shumë parash për blerjen e veglave bujqësore dhe material për ndërtimin e shtëpive.
Në lidhje me këtë veprimtari, duhet përmendur ndihma e dhënë nga ledi Karnavon - nëna e të ndjerit deputet kolonel Obri Herbert - dhe nga zonja R. V. Penington. Ledi Karnavoni ishte angazhuar për mirëqenien e refugjatëve qysh nga viti 1924 dhe, veç kësaj, kishte organizuar një mision mjekësor me qendër në Vlorë, për të luftuar fatkeqësinë e malaries. Ajo ndërtoi një fshat për refugjatët - të quajtur Herbert - që është gati i pavarur, dhe pajisi një spital në Vlorë, duke siguruar një administratore dhe një infermiere angleze. Zonja Penington punoi si anëtare nderi në komisionin qendror për sistemimin e refugjatëve.
Fragment nga libri “Shqipëria- ngritja e një mbretërie”
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)