Si dhe pse manipulohen zgjedhjet?

Si dhe pse manipulohen zgjedhjet?

Foto ilustruese

Tendenca e pushtetit për të manipuluar zgjedhjet është e përbotshme. Diku është më e sofistikuar, në vend tjetër më e hapur. Arsyet mund të jenë të shumta. Humbja e besueshmërisë, legjitimitetit, mbështetjes në popull, por edhe frika e hakmarrjes nga kundërshtarët politikë ose e përfitimeve të mëdha ekonomike që rrjedhin prej tij, janë vetëm disa prej tyre.

“Paradoksi politik më i madh i kohëve tona është ky: ka më shumë zgjedhje se kurrë më parë; megjithatë bota po bëhet gjithnjë e më pak demokratike.” Ky është thelbi i çështjes së trajtuar në librin “Si manipulohen zgjedhjet” të profesorëve Nic Cheeseman dhe Brian Klaas.

I pari Profesor i Demokracisë në Universitetin e Birminghamit dhe i dyti studiues i politikave globale në London Scool of Economics. Nëpërmjet një pune të thelluar kërkimore dhe hulumtuese në terren, ata kanë monitoruar zgjedhjet në 11 vende të Afrikës sub-Sahariane, Lindjen e Mesme, Azinë Juglindore, duke intervistuar më shumë se 500 figura të zgjedhura të këtyre vendeve, që nga kryeministra dhe presidentë, zyrtarë të niveleve të ndryshme, punonjës të ambasadave, por edhe kandidatë të opozitës, rebelë dhe planifikues të grushteve të shteteve, të zhgënjyer nga demokracia.

Veç kësaj, nëpërmjet një qasjeje të thelluar teorike, ata kanë sintetizuar disa prej mënyrave dhe rrugëve të manipulimit të zgjedhjeve, dhe kjo jo vetëm në vendet me demokraci të brishtë ose problematike, por edhe në vende të zhvilluara, kampione të demokracisë, si në rastin e SHBA-ve, ku, sigurisht, tendenca e manipulimit është shumë e sofistikuar, nëpërmjet rrugëve të tërthorta dhe jo të drejtpërdrejta.

Zgjedhjet janë një iluzion apo një mekanizëm i sigurt i ndryshimit të pushtetit? Problemi, sipas autorëve të librit, është se në shumë vende “zgjedhjet, jo vetëm që nuk arrijnë që të rrëzojnë diktatorët dhe despotët, por ato ndonjëherë i ndihmojnë ata që ta mbërthejnë më fort pushtetin”.

Pavarësisht kësaj, ata theksojnë se mesazhi i tyre, nëpërmjet këtij libri, nuk është aspak pesimist. Ata sugjerojnë disa rrugë që autokratët dhe armiqtë e zgjedhjeve të lira e të ndershme mund të sfidohen. Prej tyre, rënia ekonomike do të reduktojë kapacitetin e regjimeve për të mbajtur njerëzit e vetë, një faktor ndërkombëtar më i ashpër dhe më i rreptë në deklaratat e tyre para dhe gjatë zhvillimit të zgjedhjeve, dhe jo vetëm pas tyre, krijimi i një koalicioni të gjerë opozitar etj.

Në libër flitet për gjashtë mënyra të manipulimit të zgjedhjeve, ku çdo një sqarohet me shembuj teorik dhe praktik në kapituj më vetë nga vende të ndryshme të botës, qoftë të zhvilluara, qoftë nga ish-republikat sovjetike, afrikane apo të Lindjes së Mesme.

E para është “gerrymandering”, ku drejtuesit e pushtetit, në mënyrë arbitrare dhe të njëanshme, shtrembërojnë kufijtë e ndarjes së zonave elektorale; e dyta është blerja e votës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet përfitimeve të tjera; e treta është represioni, nëpërmjet variantit përça-e-sundo; e katërta është piratimi digjital i zgjedhjeve, duke dhënë raste e modele ku rezultatet kanë dalë përpara përfundimit të tyre; e pesta është mbushja e kutive të votimit, nëpërmjet futjes së fletë-votimeve false apo i lehtësimit të votimit disa herë të një votuesi dhe e gjashta manipulimi dhe hedhja hy syve e faktorit ndërkombëtarë, i cili, nga ana e tij, bën një sy qorr dhe një vesh shurdh për arsye të ndryshme.

Libri është një ndihmesë e madhe për lexuesin shqiptar, i cili, nga ana e tij, është dëshmitar i këtyre formave manipulative në trajta dhe mënyra të ndryshme. Ai mund t’i vijë në ndihmë studiuesve të shkencave politike, gazetarëve të kronikës dhe të politikës, aktivistëve të shoqërisë civile, monitoruesve zgjedhorë dhe pjesëtarëve të opozitës.

Zgjedhjet janë gjithmonë një çështje mjaft delikate dhe shumë të kontestuara. Ato janë të lidhura ngushtësisht me zhvillimet e demokracisë së një vendi. Ndaj pyetja që mund të ngrejë gjithsekush në fund të leximit të këtij libri, është kjo: çfarë mund të bëhet më shumë për forcimin e demokracisë?

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia