Si diagnostikohen dhe si trajtohen sëmundjet e zemrës

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Daniela Teferiçi, mjeke kardiologe,

pranë QSUT-së. Ekspertja jonë ka folur për sëmundjet e zemrës. Ajo ka sqaruar se çfarë është sëmundja e zemrës dhe cilët janë faktorët e rrezikut. Doktoresha Daniela Teferiçi ka sqaruar se si diagnostikohen dhe si trajtohen sëmundjet e zemrës dhe çfarë masash duhen marrë për t’i parandaluar këto sëmundje. Gjithashtu ajo ka shpjeguar edhe se cilat janë format klinike që shoqërojnë atakun kardiak. Më pas mjekja u është përgjigjur pyetjeve live të qytetarëve.

Çfarë është sëmundja e zemrës? Nga se shkaktohet ajo?

Duhet të themi sëmundjet e zemrës, sepse zemra ka disa sëmundje, të cilat përmblidhen në termin sëmundjet kardiovaskulare.

Çfarë përmbledh në vetvete termi sëmundje kardiovaskulare?

Përmbledh sëmundjen e enëve të gjakut, të cilat ushqejnë zemrën; përmbledh sëmundjen e muskulit të zemrës; sëmundjen e valvulave të zemrës. Këto sëmundje mund të jenë sëmundje të fituara apo sëmundje të lindura. Pra, është një term shumë i gjerë. Gjithashtu këtu futen edhe sëmundjet e enëve të gjakut periferike dhe sëmundjet e enëve të gjakut të trurit. Por ne do të përqendrohemi te sëmundjet që kanë të bëjnë me zemrën në vetvete.

Sëmundjet kardiovaskulare zënë vendin e parë për sa i përket vdekshmërisë në botë dhe në vendin tonë. Pra, janë gjithmonë shkaktari kryesor në vdekshmërinë në botë. Dhe nga sëmundjet e zemrës, ajo që ka peshën kryesore në këtë vdekshmëri, është sëmundja arterosklerotike e enëve të gjakut që ushqejnë zemrën. Pra, është ajo sëmundje, e cila kur përparon shumë shkakton infarkt akut miokardi, që dihet se është një sëmundje e cila shpeshherë ka një përfundim fatal, kur nuk ndërhyhet në kohë.

Cilët janë faktorët kryesorë që shkaktojnë këtë sëmundje?

Pse disa njerëz zhvillojnë sëmundje arterosklerotike më shumë sesa disa të tjerë dhe si mund ta identifikojmë, pra nga mund ta kuptojmë ne që një individ ka risk më të lartë për të bërë infarkt miokardi sesa dikush tjetër. Janë disa faktorë që quhen faktorët e rrezikut. Fillojmë me faktorin gjenetik. Janë faktorët e modifikueshëm, ku ne mund të ndërhyjmë dhe t’i eliminojmë ose faktorë të pamodifikueshëm, ku ne nuk mundemi që të ndërhyjmë. Dhe një nga faktorët e pamodifikueshëm është faktori gjenetik. Pra, është gjeni i cili mbart në vetvete riskun për të pasur këtë lloj sëmundjeje, pra sëmundjen arterosklerotike të enëve të gjakut që ushqejnë zemrën.

Një faktor tjetër, jo i modifikueshëm, është edhe mosha. Pra, me kalimin e moshës, shanset për të pasur sëmundjen e arterieve koronare rriten. Pra, këta janë dy faktorë, të cilët ne nuk mundemi që t’i modifikojmë.

Gjithashtu, një faktor tjetër është edhe gjinia. Meshkujt janë më të prekur nga kjo sëmundje, janë më të prirë për të pasur sëmundjen e enëve të gjakut të zemrës sesa femrat.

Cilët janë faktorët e modifikueshëm?

Faktorët e modifikueshëm janë ata faktorë, te të cilët ne mund të ndërhyjmë dhe mund t’i përmirësojmë për të parandaluar shfaqjen e sëmundjes apo për ta shtyrë sa më shumë shfaqjen e sëmundjes. Këtu ka shumë rëndësi stili i jetesës. Pra, mënyra e të jetuarit dhe stili i jetesës përmbledh në vetvete mënyrën e të ushqyerit dhe aktivitetin fizik, të cilët janë dy komponentët kryesorë që përbëjnë jetën tonë të përditshme, pra stilin tonë të jetesës.

A duhet patjetër që njerëzit të bëjnë ecje të lirë për 20-30 minuta në ditë, në rast se nuk bëjnë aktivitet fizik?

Duhet minimumi çdo ditë një aktivitet fizik prej 30 minutash dhe 5 ditë në javë nga një orë aktivitet fizik. Në rast se personi nuk ka mundësi të bëjë aktivitet fizik, dhe ecja e lirë që është e vlefshme kur bëhet me një lloj ritmi, është shumë më e mirë sesa jeta sedentare. Ndërkohë, mënyra e të ushqyerit ka të bëjë me sasinë e yndyrave që ne marrim. Dihet që perimet dhe frutat janë më të mirat për shëndetin në përgjithësi dhe për zemrën. Duhani është një faktor rreziku shumë i rëndësishëm. Çdo lloj duhani është i dëmshëm. Një vit pas ndalimit të pirjes së duhanit, përgjysmohet rreziku për të pasur efektin e dëmshëm të tij mbi arteriet koronare.

Do të përmend edhe dy faktorë të tjerë madhorë, të cilët janë: hipertensioni arterial dhe diabeti. Hipertensioni arterial është një faktor shumë i rëndësishëm, i cili ndikon në shfaqjen para kohe të sëmundjes arterosklerotike të zemrës. Çdo individ duhet të dijë sesa e ka tensionin e tij arterial. Shpeshherë ky tension nuk jep simptoma dhe individi nuk e kupton. Ai mund të jetë hipertonik dhe nuk e di, prandaj edhe nuk e kuron.

Pra, është kjo tërësi faktorësh, të cilët quhen faktorët e rrezikut që çojnë në shfaqjen para kohe të sëmundjes arterosklerotike të zemrës.

Cilat janë simptomat?

Dhembja e gjoksit është një simptomë që i alarmon shpeshherë personat. Por, dhembja e gjoksit që ka lidhje me zemrën, ka disa veçori të vetat. Pra, jo çdo dhembje gjoksi ka lidhje me zemrën apo me infarktin e miokardit. Veçoria kryesore e kësaj dhembjeje është dhembja shtrënguese, që zakonisht lokalizohet në qendër të gjoksit, në mes të kraharorit dhe shpeshherë përhapet në shpinë, midis shpatullave. Është një dhembje që shfaqet në sforcim, në lëvizje, fillimisht. Nëse kjo dhembje shfaqet edhe në qetësi, atëherë situata është më e rëndë. Pra, kemi të bëjmë me atë që quhet parainfarkt ose infarkt akut miokardi. Por dhembja mund të shfaqet edhe si mbytje në grykë apo si shtrëngim i nofullës së poshtme apo si dhembje e krahut të majtë. Te femrat, shpeshherë mund të shkaktojë edhe marrje fryme, e cila nuk ka ekzistuar më parë, por vetë femra e kupton se kjo është diçka e re. Ajo lodhet më shpejt, nuk është më aq e fuqishme sa ç’ishte më parë, i merret fryma. Dhe në këtë rast duhet parë nëse kemi të bëjmë me një sëmundje kardiake.

Nga se shkaktohet kjo dhembje?

Dhembja shkaktohet sepse në enët e gjakut që janë sipër zemrës bllokohen dhe si pasojë shkaktohet infarkti akut i miokardit. Bllokimet e arterieve kryesore janë shumë të rëndësishme sepse shkaktojnë infarkt. Ndërsa kur bllokohen enët e tjera të gjakut, në përgjithësi nuk japin simptoma. Kur shfaqen simptomat, atëherë bllokimi i enëve të gjakut ka arritur në masën 70% dhe më shumë.

Flas nga Dibra. Kam një shtrëngim në zemër. Para 5 vitesh kam bërë koronarografinë dhe më thanë që pjesërisht ishte mirë. Tani kam marrje bllokim në frymëmarrje. Para 10 vitesh kam pasur ujë përreth zemrës dhe e kam përtharë. Mjekët më thonë që kam rrahje zemre jashtë radhe. Kam marrë edhe mjekim.

Zonja u ankua për disa shqetësime, të cilat kanë diferenca me njëra-tjetrën. Para 10 vitesh cipa e zemrës së saj ka pasur ujë dhe kjo sëmundje quhet perikardit. Rasti më i zakonshëm që shkakton këtë sëmundje është një gjendje virale, mund të prekë këdo dhe reagon shumë mirë ndaj mjekimit dhe thahet duke mos lënë asnjë pasojë. Zonja tha se ka dhembje gjoksi dhe marrje fryme. Këto janë dy simptoma, të cilat pacientët shpeshherë nuk arrijnë që t’i diferencojnë. Dhembja është tjetër gjë dhe marrja e frymës tjetër. Përderisa zonjës koronarografia i ka rezultuar mirë para 5 vitesh, atëherë shqetësimi i saj nuk ka lidhje me enët e gjakut që ushqejnë zemrën. Kjo nënkupton që këto enë gjaku janë të lira, nuk kanë bllokime. Problemet me frymëmarrjen mund të vijnë nga shumë arsye. Po përmend rastet më të thjeshta, të cilat shkaktojnë probleme me frymëmarrjen: hipertensioni, pra shifrat e larta të tensionit. Arsye tjetër mund të jetë edhe obeziteti. Ka shumë individë që nuk e vlerësojnë peshën e tyre trupore. Obeziteti ose ndryshe siç themi, mbipesha, shkakton vështirësi në frymëmarrje. Vështirësitë në frymëmarrje që shkaktohen nga zemra, mund të identifikohen shumë mirë duke bërë një ekografi të zemrës. Pra, kur marrja e frymës shkaktohet nga zemra, kemi të bëjmë me dëmtim të muskulit të zemrës dhe këtë dëmtim e zbulon ekografia e zemrës. Nëse ekografia tregon që zemra është normale, atëherë ky bllokim frymëmarrjeje nuk ka lidhje me zemrën në vetvete, por janë arsyet e tjera që unë përmenda më parë, shkaktare të këtij problemi. Edhe aritmia ka shumë shkaqe, si hipertensioni, gjëndrrat tiroide, anemia. Por, nëse përcaktohet një mjekim adekuat, atëherë shihet edhe se si përgjigjet organizmi ndaj mjekimit.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja