TIRANE-Fundjava që po vjen do të ketë në fuqi rregulla të reja për karantinën, por edhe tregjet, furrat e bukës dhe lëvizjen me makina. Nga rregulli i ri përfitojnë pensionistët, të cilët nuk do të dalin më vetëm të shtunën deri në 11:00 sikur ka qenë në dy javët e fundit, por të dyja ditët e fundjavës deri në orën 10:00 paradite.

Gjatë kohës që pensionistët do të lejohet që të dalin, të gjithë të tjerët do të jenë brenda. Ndërkohë që nga ora 11:00 deri në 17:30 në fundjavë, prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç do të lejohen të dalin lirisht, kur pensionistët të jenë rikthyer brenda. 

Që do të thotë se përveç nënave u jepet leje për të dalë të dy prindërve dhe jo më me fëmijë deri në 10-vjeç, por 14 dhe të dyja ditët. Në dy javët e fundit ishin lejuar që të dilnin vetëm nënat me fëmijët deri në 10-vjeç vetëm të dielën, por tashmë fasha është zgjeruar.

Por cfarë do të ndodhë me bizneset? Të shtunën, shkruan kryeministri Edi Rama do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17.30, pra tregjet dhe furrat e bukës do të jenë mbyllur nga e premtja në 17:30. E diela do të jetë mbyllur për të gjitha bizneset. Gjithashtu në fundjavë, të shtunë dhe të diel do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private.

"Të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, pensionistët do të lejohen të dalin lirisht deri në orën 10.00. Të gjithë të tjerët në shtëpi brenda kësaj fashe orare. Të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç do të lejohen të dalin lirisht nga ora 11.00 deri në orën 17.30.

Të shtunën 2 maj do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17.30. Të dielën të gjitha mbyllur. Gjatë të shtunës 2 maj dhe të dielës 3 maj do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private.

Kujdes! Nga sjellja e duhur në distancimin social dhe zbatimi i rregullit bazë të mosgrumbullimit jashtë qelizës familjare gjatë fashës orare të lëvizjes këtë fundjavë, varet ecuria e mëtejshme pozitive e kësaj lufte deri këtu të zhvilluar shkëlqyeshëm, po edhe vendimmarrja jonë për më tej" shkruan Rama.