Si e mbështeti popullsia e Tiranës
qeverinë e Kongresit të Lushnjes

Si e mbështeti popullsia e Tiranës<br />qeverinë e Kongresit të Lushnjes<br>
Tirana është sot, qyteti më i madh dhe më i zhvilluar në vend. Për të arritur deri në caktimin përfundimtar të kryeqendrës së vendit përfaqësuesit e Tiranës kishin dhënë shembuj të shquar atdhedashurie dhe pjekurie politike.

Dëshmi qe veprimtaria e Ismail Ndroqit, përfaqësuesve të saj, Abdi Toptani dhe Myhtesim Këlliçi, të cilët u zgjodhën jo vetëm si delegat të Tiranës për në Kongresin e Lushnjes në janar të vitit 1920, por i pari dhe si anëtar i Këshillit të Lartë dhe i dyti senator në Këshillin Kombëtar.

Veprimtaria e tyre u mbështet dhe nga patriotë të tjerë të shquar të rilindjes kombëtare dhe të perriudhës së pavarësisë si Hasan Prishtina, Sotir Peci etj. Mbështetës u bënë dhe fiset më në zë të Tiranës, të qytetit dhe të fshatit si: Toptani, Petrela, Qorralliu, Karrapici, Alimehmeti, Kaceli, Hobdari, Kora, Mara, Nishku, Tafaj, Lasku, Dema, Ndroqi, Këlliçi, Rreli, Bega, Myderizi etj.

Të ndërgjegjshëm për nderin që iu bë dhe për rolin që duhet të luanin tanimë si kryeqytetas, populli i Tiranës, e mbështeti qeverinë e miratuar nga Kongresi i Lushnjes të kryesuar nga Sulejman Delvina, e frymëzoi dhe e nxiti atë për të vënë në jetë detyrat e këtij Kongresi, i cili vendosi gurët e parë në themelin e parlamentarizmit shqiptar, produkt kushtetues i të cilit ishte Senati, i quajtur ndryshe “Këshilli Kombëtar”, si dhe institucionet më të larta Qeverinë (Kabinetin) dhe Këshillin e Lartë.

Të gjitha organet kushtetuese të zgjedhura prej tij garantonin funksionimin e përkohshëm dhe transitor të shtetit, deri sa të mundësohej mbledhja e Asamblesë Kushtetuese, e cila do të sanksiononte përfundimisht vullnetin mbarëkombëtar mbi formën e organizimit të shtetit, duke shkuar drejt krijimit të një shteti laik dhe të një qeverisje demokratike, kushtetuese dhe moderne për kohën. Organet e zgjedhura prej tij, qeverija dhe Këshilli i Naltë i dhanë vendit një kryeqytet të ri, Tiranën. Që në ditët e para të shpalljes së Tiranës kryeqytet, parlamentit, qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore të sapo formuara, iu vunë në dispozicion përkohësisht, godinat dhe hotelet më të mira private që ofronte qyteti i Tiranës të trashëguara kryesisht nga shekulli i 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të.

Qeverija e re pas hyrjes në Tiranë administronte vetëm një qark të ngushtë në mes të Vjosës dhe të Lumit të Matit,  pasi viset e tjera qenë nën okupacionin e huaj. Akoma në rrethina ishin forca ushtarake pushtuese italiane. Do të varej dhe prej tyre nëse një veprim i tillë do të shpinte në gjakderdhje. Po italianët përballë qendresës së popullit të Tiranës, nuk i zbrazën armët e tyre.  Ata u detyruan të pranonin faktin e kryer.

Në këtë qendrim të përmbajtur të komandës italiane ndikoi në rradhë të parë mbështetja e fuqishme që kishin gjetur vendimet e Kongresit të Lushnjes në masat popullore të vendit dhe në ato tiranase. Këshilli i Ministrave më 12 shkurt vendosi një ditë pas hyrjes në Tiranë, që t’i dërgohej një letër kryekomandantit italian për heqien e shtetrrethimit të qytetit, që të lajmëroheshin prefekturat dhe shtetet e mëdha për fillimin e punës së qeverisë, të përgatiteshin vulat e reja dhe të hartohej një raport për çështjet e administratës.

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës vendosi t’i bëhej e njohur tërë vendit dhe botës së jashtme, ajo që kishte ndodhur në Tiranë, zgjedhja e saj “për kryeqytet të shtetit shqiptar” dhe këtë e bëri të ditur Qarkoreja që iu drejtua të gjitha Prefekturave, më 13 shkurt të vitit 1920 ku ministri i Punëve të Brendshme Ahmet Zogu njoftonte se “Kabineti i zgjedhur nga mbledhja kombëtare e Lushnjes më 11 të këtij muaji arriti në Tiranë dhe filloi nga puna. Tirana u shënua për kryeqytet” Më 15 shkurt qeveria e Tiranës i kërkoi gjeneralit Italian Orlando Freri-t të mos njohë dhe të mos përkrahë Qeverinë e Durrësit. Midis qeverisë dhe autoritetit ushtarak italian të Tiranës filluan bisedimet, pas të cilave italianët njoftuan Qeverinë e Tiranës se mund të administronte dhe qytetin e Durrësit dhe se një forcë e vogël ushtarake mund të merrte në dorë aktet e qeverisë.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Durrësit i dorëzuan qeverisë së re edhe arkivat e saj. Këto veprime të qeverisë u përshëndetën nga i gjithë populli shqiptar në vend dhe mjaft intelektualë të shquar të vendit, të cilët krahas urimeve për fillimin e punës së qeverisë së re në kryeqytetin e sapo zgjedhur, i tërhiqnin vëmendjen që ajo të organizonte mbrojtjen e lirisë së atdheut. Faik Konica në një letër dërguar një ministri të qeverisë së Sulejman Delvinës i theksonte se, “Qeveria e re duhet, pa humbur kohë, t’organizojë një fuqi për të qënë, për të mbrojtur lirin’ e atdheut. Bota s’munt të punojë për ne, në mos punofshim ne vetë” ” Romë, 14 shkurt 1920.

Me mjaft interes ishte letra e ministrit të Punëve të Mbrendshme, që i dërgoi Kryetarit të Lidhjes së Besës të popullit të qytetit Tiranës dhe katundeve më 16.02.1920, ku i falenderonte për mbështetjen e dhënë në mbrojtje të pavarësisë së vendit dhe nevojës për sigurimin e qetësisë, që kishte vendi në situatën tepër të ndërlikuar që po kalonte, duke vlerësuar besën e dhënë për bashkim dhe duke theksuar dhe një herë, caktimin prej qeverisë, të Tiranës si kryeqytet të përkohshëm. Siç shihet caktimi i Tiranës kryeqytet, sipas dokumentit të lë të kuptosh se caktimi përfundimtar i saj do t’i lihej një kohe të mëvonshme.

Qyteti i Tiranës dhe fshati, treguan një gadishmëri të lartë. Gjithë krahinat e trevës : Zall-Herri, Shëngjergji, Kashari, Bastari, Petrela, Priska në shkurt të 1920, lidhën besën të ishin “gati për çdo therori për të shpëtuar atdheun nga copëtimi “, dhe të ndihmonin me gjithë fuqinë e tyre qeverinë e re. Lidhja e besës së krahinave të Zallit(Tiranë), Kasharit(Gropaj), dhe Shëngjergjit i dërgoi Kryesisë së Këshillit të Ministrave një Letër të Komiteteve organizatorë të Lidhjes së Besës me vulat e Pleqve të katundeve përkatës, ku e vinin në dijeni për masat e marra prej tyre në mbrojtjen e pavarësisë së vendit, ruajtjen e rendit dhe qetsisë, mos lejimin e vrasjeve, vjedhjeve që prishnin qetësinë e rendin dhe mbrojtjen e atdheut.

Ata shpreheshin se jepnin mbështetjen e krahinave të tyre për qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes. Gjithashtu iu drejtuan dhe komandës ushtarake italiane që të mbanin paanësinë e premtuar dhe të mos kundërshtonin vullnetin e popullit. Tiranë (Zalli) 21. 02.1920, Kashar(Gropaj) 22.02.1920, Shingjegj 21. 02.1920 dhe më 27 shkurt 1920.  Frymë të lartë treguan tiranasit dhe në asgjësimin e planeve shoviniste të shteteve fqinje ndaj Shqipërisë. Qeveria nxorri një rregullore të përkohshme, për t’i bërë ballë administrimit të gjendjes dhe marrjes së masave për funksionimin e nënprefekturës duke krijuar dhe një komision besëlidhës, i cili do të ruante qetësinë e atjeshme më 7 mars 1920.

Ismail Ndroqi Kryetar i Katundarisë së Tiranës nxorri dhe një Urdhër Dite të nënshkruar dhe nga paria tiranase dhe anëtarët e katundarisë, ku njoftonte se “populli i qytetit të Tiranës dhe katundarisë janë mbledhur në miting dhe kanë protestuar : kundra shpifjeve të bëra ndaj kombit dhe qeverisë, dhe janë të gatshëm të vihen në mbrojtje të pavarësisë dhe sovranitetit të vendit. Në qendër të vemendjes së qeverisë shqiptare përveç mbrojtjes së pavarësisë ishte dhe bashkimi administrativ i qyteteve të tjera të rëndësishme të vendit me qeverinë e Tiranës, një pjesë e të cilave ishte akoma në duart e ushtrive ndëraleate. Përpiekje u bënë për marrjen në dorëzim të Shkodrës, e cila u realizua më 13 mars 1920,  për bashkimin e Gjirokastrës, e cila u realizua më 24 prill 1920, dhe të Korçës e cila hyri nën administrimin e qeverisë kombëtare më 26 maj 1920.

Qeveria e Sulejman Delvinës, e zgjedhur nga Kongresi i Lushnjes, shumë shpejt i paraqiti Këshillit Kombëtar programin politik të saj, që përmbante: mbrojtjen e pavarësisë dhe sovranitetit të plotë të vendit, ruajtjen e tërësisë tokësore, ngritjen e administratës dhe zhvillimin e brendshëm të vendit. Përmbajtja përparimtare e këtij programi krijoi kushte të favorshme për lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri dhe për zhvillime të tjera demokratike në vitet 1920-1924.

Një ngjarje me rëndësi për jetën politike dhe shoqërore të Tiranës të sapo bërë kryeqytet, ishte mbledhja për herë të parë në të e Senatit, si i pari Parlament Kombëtarë, si organi më i lartë legjislativ i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjes. Këshilli kombëtar, i Pari parlament shqiptar i hapi punimet më 27 mars 1920. Në këtë ditë Tirana morri pamje festive. Ja si shkruhej në një gazetë të kohës: “Dyqanet në tërë qytetin qenë mbyllur dhe flamujt kombëtarë valonin …fytyrat e të gjithëve buzëqeshnin dhe shfaqnin një shpresë tek e pritmja”. Mbledhja e parlamentit pati rëndësi shumë të madhe se që në fillim të veprimtarisë së tij u kujdes për hartimin e legjislacionit për funksionimin e shtetit shqiptar.

Krahas problemeve me rëndësi të veçantë deputetët e Tiranës dhe ata demokratë përparimtarë diskutuan dhe mjaft probleme të rëndësishme që kishin të bënin me pozitën politike të Kryeqytetit dhe problemet që shqetësonin popullin e kryeqytetit të Shqipërisë, i cili tashmë po bëhej qendra kryesore politike e vendit duke vënë theksin veçanërisht në marrjen e masave për vënien në jetë të vendimeve të Kongresit të Lushnjes. Për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë, theksohej në mbledhjen e Këshillit Kombëtar më 1920, një e arthme fatbardhë do të ishte vetëm atëhere, kur pushtuesit, do të largoheshin dhe nga Vlora, e cila në sajë të Luftës së Vlorës, bëri që dhe ajo të bashkohej dhe hynte nën administrimin e qeverisë kombëtare.

Për t’i ardhur në ndihmë Katundarisë së kryeqytetit në zbatim të detyrave urgjente që kishte kryeqyteti dhe në mbështetje të vendimit të qeverisë ishte dhe miratimi i rregullores për detyrat e komiserit të qeverisë, që përcaktonte dhe kompetencat. Në fillim të viteve 20,  Tirana e zgjedhur si kryeqyteti i Shqipërisë, shumë shpejt do të pësonte ndryshime të mëdha,  më shumë se çdo qytet tjetër shqiptar. Ajo u bë një arenë ku u shpalosën programet politike të grupimeve të para politike pluraliste,  që më vonë do të krijonin partitë politike dhe opozitën në parlament.

Filloi të zhvillohej ekonomia e tregut, zhvillimi i institucioneve të para me elementë demokratik dhe pluralist, të cilat do të dëshmonin për zhvillimin dhe shkuarjen drejt evropianizimit, fillesat e të cilave gjejnë pasqyrim në ligjishmërinë shqiptare të miratuar në këto vite. Krahas zhvillimeve politike të Tiranës Kryeqytet, iu hap rruga fillimeve të një zhvillimi modern të kryeqytetit në pikëpamje të administrimit, mbështetjes të funksionimit me legjislacion, zhvillimit të planeve urbane, infrastrukturës, të industrisë, të ndërtimeve, të cilat pak nga pak do ta ndryshonin atë, duke i dhënë pamjen e një kryeqyteti.

Në Tiranën Kryeqytet do marrin hov ngritja e një sërë shoqatave qytetare, publikimi i disa gazetave të kryeqytetit, të cilat do të kontribuonin në zhvillimin e kryeqytetit nga pikëpamja politike - sociale dhe do të ndikonin në zhvillimin shoqëror. Fenomen i ri në kryeqytet ishte dhe krijimi i shoqatave të grave shqiptare kryeqytetase të cilat do të luftonin, për emancipimin e saj dhe do të bëheshin zëdhënëse të shumë problemeve sociale dhe zgjidhjeve të tyre etj. Me mjaft vlerë qenë dhe miratami i disa ligjeve, si ligji mbi zgjedhjet e Këshillave të Bashkive miratuar nga Këshilli Kombëtar më 02. 02. 1922 që i jepnin jetë veprimeve të Këshillave bashkiake.

Tashmë që kishte kaluar rreziku më i madh për vendin, largimi i ushtrive pushtuese nga territoret e saj dhe bashkimin e tyre përreth qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjes, krahas problemeve të tjera të rëndësishme për vendin një hapësire gjeti dhe diskutimi dhe sanksionimi përfundimtar i Kryeqytetit, i cili për rrethanat historike të përmendura nuk qe marrë vendimi përfundimtar. Çështja e caktimit të kryeqytetit të përhershëm nuk u mbyll me kaq. Në dhjetor të vitit 1923 u zhvilluan zgjedhjet e dyta të lira, kësaj radhe për Asamblenë Kushtetuese. Një nga temat kryesore dhe të fushatës elektorale ishte dhe përcaktimi në mënyrë përfundimtare i kryeqytetit të Shqipërisë.

Në një broshurë të kohës të shkruar nga Mehdi Frashëri “Kushtet historike që çuan tek ideja, Tirana kryeqytet i Shqipërisë” argumentohej përse Tirana duhet të ishte kryeqytet. Ai theksonte se: „... argumenti i tiranasve që e kanë kryeqytetin lypset të para pëlqehet...“, Ndërsa nga pikëpamja morale e rendiste si vendin më të shëndoshë të Shqipërisë.  Ai mendonte se për zbukurimin e tij, kryeqytetit duhej ti destinohej 10 % e të ardhurave nga doganat dhe të shërbenin me ndërtu qytetin,  dhe Bashkia e Tiranës të organizonte një personel teknik siç duhet. “Shqiptarët në së dëshirojnë të bëhen një komb i ndershëm dhe i përparuar – nënvizonte ai – duhet të heqin dorë nga partikularizmat.”

Mbi këtë çështje u bë dhe një diskutim i gjerë në shtypin e kohës, sidomos në faqet e gazetës “Dajti”, që drejtohej nga Hafiz Ibrahim Dalliu, një nga atdhetarët më të shquar në trevën e Tiranës, në gazetat “Shqiptari i Amerikës”, “Gazeta e Korçës”, “Xhoka”, “Politika”, “Zëri I Popullit”, „Ora e Maleve“, në faqet e të cilave debatuan dhe shkruan personalitete të shquar të kohës si, Jusuf Banka, Myhtesim Këlliçi, Ferit Vokopola, Mithat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Osman Myderrizi etj, duke dhënë mendime përcaktuese që Tirana të mbetej kryeqytet i vendit, apo dhe mendime dhe argumente për qytete të tjerë të diskutuar.

Çështja e caktimit përfundimtar të Kryeqytetit u diskutua në mbledhjen e 68 të Kuvendit Kushtetues, ku një nga çështjet e rendit të ditës përveç bisedimit mbi statutin e shtetit ishte dhe diskutimi mbi çështjen e Kryeqytetit të Shqipërisë. Më datë 31 janar 1925 në orën 2.30 mbasdite u diskutua projekt – statuti i Statutit themeltar i Republikës Shqiptare, Kaptina I Formimi i Shtetit, nga artikulli 1 deri në artikullin 7. Artikulli 6 bënte fjalë për caktimin e Tiranës kryeqytet. Në debatin parlamentar dominuan dy mendime për Kryeqytetin, njëri për qytetin e Elbasanit dhe tjetri për qytetin e Tiranës që vazhdonte të ishte dhe Kryeqyteti i përkohshëm i vendit.

Pas diskutimit të fundit të Ferit Vokopolës një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë dhe një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjes, hartues i himnit të Kongresit të Lushnjës i cili nënvizoi “Unë nga zemra japë votën për Tiranën dhe tue u lutun Zotit që këjo të jetë sa të jetë, kopshti i luleve të fatbardhësis për të dashtunën Shqipni themë: Rroftë Tirana Kryeqytet “,  u hodh në votë nga Kryetari dhe me shumicë të madhe fitoi propozimi që Tirana të vazhdonte të mbetej Kryeqytet i Shqipërisë, duke i dhënë fund kësaj çështjeje shumë të debatuar. Për herë të parë e shohim të përcaktuar kryeqytetin e vendit Tiranën, në ligjin themeltar të shtetit. “Fletorja Zyrtare”n.r.8, 7 mars 1925.

Miratimi i saj është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Festimi dhe përkujtimi i ditës së krijimit të saj nga Kryeqytet i përkohshëm e më pas në vazhdim miratimi përfundimtar dhe cilësimi në kushtetutën shqiptare, shërben si një kujtesë dhe mirënjohje për të gjithë atdhetarët mbarë vendit dhe në veçanti për kontributin e dhënë nga qytetarët e Tiranës, atdhetarinë dhe krenarinë e tyre të dëshmuar në mbrojtje të qytetit dhe shndërrimit të tij në kryeqendrën e vendit. (Prof.Dr. Kaliopi Naska, Pedagoge në Albanian University, Tiranë)


d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë