Si e ndikoi 'sulmi' i Edi Ramës, renditjen e partive aleate në listën e PD-së!

Si e ndikoi 'sulmi' i Edi Ramës, renditjen e partive aleate në listën e PD-së!

Kryeministri Edi Rama

E hëna e 8 marsit ishte e ethshme në kampin opozitar. Nën ankthin e listave nuk ishin vetëm kandidatët demokratë, të cilët kanë 8 vite që sorollaten rrugëve të opozitarizmit, po edhe kandidatët e partive aleate me PD-në. Askush nuk kishte garanci se në çfarë renditje do e kishte emrin në listë.

Aleatët ishin edhe më skeptikë duke parë se kryedemokrati Luzlim Basha ishte nën presionin e fortë të të tijve për t’u dhënë më shumë hapësirë demokratëve. Dhe vërtetë që Basha nuk dinte kujt t’ia prishte e kujt t’ia ndreqte. Kishte shumë borxhe politike për të larë, duke nisur nga ata që iu bindën marrëzisë së tij për të djegur mandatet, e deri tek aleatët që i qëndruan besnikë në atë marrëzi.

Kur vjen puna për t’u bërë deputetë, të gjithë janë “o Mete për vete”, ndaj aty bien skrupujt dhe fjalët e dhëna jo doemos mbahen.

Por, teksa në kampin opozitar gëlonin ethet e renditjes në listë, paralelisht në të njëjtën kohë kryeministri Rama po bënte një takim të drejtpërdrejtë me kandidatë për deputetë të ardhur nga diaspora. Një temë interesante sidomos vitet e fundit ku opozita e ka bërë çështje dite largimin e njerëzve.

Ndërkohë që kryeministri Rama bëri një përmbledhje shteruese të zhvillimeve demografike të largimeve dhe kthimeve në Shqipëri, në një moment të caktuar, si një shkreptimë në qiell të pastër, bëri një parantezë të çuditshme duke nisur një “sulm” tallës me nota sarkastike ndaj të gjithë kryetarëve të partive të vogla që i janë bashkëngjitur koalicionit me PD-në.

Faktikisht, në pamje të parë, ai “sulm” ishte pa pikë kuptimi dhe nuk kishte lidhje fare me temën mbi të cilën po zhvillohej aktiviteti mbi diasporën. Por, ai “sulm” ishte enkas për të dhënë efekte tek kampi demokrat.

Duket se presioni i demokratëve po jepte efekt mbi Lulzim Bashën për të pasur në listën e sigurt emra demokratësh në dëm të partive aleate, por “sulmi” i Ramës mbi kryetarët e partive aleate prishi skenarët.

Po çfarë tha konkretisht Rama për secilin prej tyre?

Për Agron Dukën e PAA: “Agron Duka do të mbahet mend si i vetmi kryetar partie pas 1912, që nuk e nxori asnjë ditë nga garazhi partinë e tij Agrare, që ja justifikon emrin vetëm me faktin që ai vetë jeton me taxhinë e SHQUP, në pritje që Luli ta ribëjë pakëz ministër Bujqësie, meqë Agroni si gjeli i Agrares, përfaqëson aq shumë gjela e pula”.

Për Fatmir Mediun e PR: “Fatmir Mediu, që vulën e PR të Sabri Godos, e mban në xhep si certifikatë besnikërie ndaj pronarëve, por në fakt të vetmen certifikatë prone që ka arritur të sigurojë për ta është hipoteka e vendit të tij si deputet i përjetshëm në pronën SHQUP”.

Për Vangjel Dulen: Vangjel Dule, i të drejtave dhe lirive të njeriut, që në televizor është balli i lartë i minoritetit grek, ndërsa në KÇK është fundshpina e ulët e sekserit të Çamërisë”.

Për Shpëtim Idrizin: “Tym Idrizi i doganave, që televizionin e ka për luftë gjakatare me grekun, ndërsa deputetllëkun për të shitur vende pëllumbash në zyrat e shtetit”.

Për Dash Shehin e LZHK: “Dash Shehi, që ka 100 vjet që i jep të djathtës frymën liberale të rakisë, që flet më lirshëm se vetë autori, i cili arsyen më të fortë për të vazhduar të jetë deputet ka kafenenë e Parlamentit, ku ka kaluar më shumë kohë se të gjitha banakieret e marra së bashku dhe ka zbrazur më shumë uiski se gjithë zona e Partizanit të panjohur, që nga koha e rënies së komunizmit”.

Për Nard Ndokën: “Pa harruar Nard Ndokën, i vetmi profil filozofik në atë grumbullim, që as humoristi me humorin më të zi nuk do ja servirte një populli, duke i shpikur kaq shumë në numër”.

Më e bukura nis vetëm pak minuta pas këtij “sulmi”. Katër personazhet: Mediu, Idrizi, Dule dhe Duka, e kuptuan lojën që po luhej dhe iu përgjigjën “flakë për flakë” kryeministrit në rrjetet sociale, kurse Shehi dhe Ndoka e neglizhuan këtë zhvillim duke mos iu përgjigjur atij.

Ata që reaguan patën edhe një “luftë” brenda llojit se cili prej tyre do të kishte përgjigjen më të fortë e më therëse. Po si ishin përgjigjet e tyre karshi Ramës?

“O robo, nuk habitem më, kështu burri je, me një “R”…, e niste i pari përgjigjen Duka. “Babloku makiavelist…”, ia priste i dyti Idrizi. Vijonte i treti Dule, i cili kishte rrëmuar në arkivat e vitit 2012 për të gjetur një fjalim pozitiv të Ramës për Dulen, të cilin e citonte në ligjëratë të drejtë pa koment. Në ora 18:08, teksa demokratët po mblidheshin në SHQUP për të miratuar listën, nxitoi edhe Mediu të kapte ritmin e kolegëve të tij, duke u treguar më agresiv: “Edi Rama, njeriu që shkatërroi vendin…”, ishte lajtmotivi i Mediut.

Në varësi të këtyre përgjigjeve, në darkë vonë u përcaktua edhe renditja në listën përfundimtare të Partisë Demokratike.

Agron Duka mori numrin 2 të renditjes në qarkun Durrës, që konsiderohet vend i sigurt për të fituar.

Fatmir Mediu mori numrin 7 të renditjes në qarkun Tiranë, që konsiderohet vend i sigurt për të fituar.

Shpëtim Idrizi mori numrin 9 të renditjes në qarkun Tiranë, që konsiderohet vend i sigurt për të fituar.

Vangjel Dule mori numrin 11 të renditjes në qarkun Tiranë, që konsiderohet vend i sigurt për të fituar. Kujtoj që në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Demokratike mori 11 deputetë.

Po çfarë ndodhi me dy personazhet e tjerë, Shehi dhe Ndoka, të cilët nuk reaguan?

Dashamir Shehi mori numrin 13 të renditjes në qarkun Tiranë që, po të marrim si referencë zgjedhjet e shkuara, konsiderohet vend me risk për të fituar.

Nard Ndoka mori numrin 8 të renditjes në qarkun Shkodër, që konsiderohet vend i sigurt humbësi.

Si konkluzion, kryeministri Rama u dha një dorë të mirë ndihme kryetarëve të partive aleate me PD-në, duke ndikuar me “sulmin” e tij ndaj tyre, në përcaktimin e renditjes në listën përfundimtare. Pa atë “sulm”, nuk do kishte asnjë shans që ata të kishin ato pozicione aq komode, duke u djegur shpresat demokratëve me më shumë peshë elektorale, të cilët ngelën në zonën e akullt të listës.

Ajo që vlen të diskutohet këtu është nëse Lulzim Basha ishte [pjesë] apo [viktimë] e kësaj loje politike?! Unë e di, por nuk po e zbuloj.

B.K./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin