Si e shpëtoi Mons. Prend Bjanku
arkivin e famullisë nga Haxhi Qamili

Si e shpëtoi Mons. Prend Bjanku<br />arkivin e famullisë nga Haxhi Qamili
Arkivi Shna Prendes asht krejt i vorfen per jetë të gjatë qi ka kjo kishë. S’ka mbetë asnji fletë me thanë deri në vjetin 1781, kur Mons. Tomë Marjani filloi rregjistrimin, qi per fat të mirë asht ruejtë e qi do ta pershkruejmë këtu fill.

S’mund të dyshohet se edhe ipeshkvijtë qi erdhën mbas Imzot Skurës të kenë dhanë rrelacjone e të kenë mbajtë shenjime pranë vetes në zyrë të vet. Sigurisht qi Arkivi i Kurjes Arqipeshkvnore ka kenë marrë në Delbnisht, kur kje vendosë atje Selija Arqipeshkvnore e Durrësit nga Imzot Rafael D’Ambrosio dhe mandej asht transportue në Durrës, kur Mons. Pjeter Gjura e rivendosi atje Selinë.
Arkivi i Kurjes në kohë ma të vona ka pasë dy raste në të cilat ka mbarue nji pjesë e mirë e tij.

Kur në vjetin 1914 po versulej tue djegë e tue pjekë sidomos kishat katolike të këtyne vendeve Haxhi Qamili, Mons. Prend Bjanku e pat largue krejt a pjesërisht Arkivin e Kurjes. Më ka tregue me gojë të vet Pjetër Ndoj nga Delbnishti se nji natë pa pritë e thirrka Ipeshkvi dhe i thanka të çonte në Mal të Bardhë të Nikollë Ndre Bardhoku nja dy mushq me shkresa. Këto shkresa sigurisht do të kenë kenë Arkivi, nji pjesë prej të cilit asht edhe sod. Ndoshta nji pjesë e këtij arkivi kje djegë bashkë me Pallatin Arqipekvnuer në vjetin 1914.

Kur mandej në vjetin 1947 kjo seli mbet de facto vakante, Arkivi kje çue prei Pallatit Arqipeshkvnuer të Durrësit, në qelën famullitare të këtij qyteti dhe ndshta nga pakujdesija shumë dokumente kanë mbarue.
Regjistri që do të pershkruejmë, ka shpëtue n’Arkiv të Shna Prendes per arsye se ma vonë në tè u vazhdue rregjistrimi i Pagëzimeve etj.

Ky regjistër format 45x17 cm ka 151 faqe të shkrueme dhe ndahet dy pjesësh. Pjesa e parë me 17 faqe përmban krezmime e ndryshme qi dha Mons. Tomë Marjani prej vjetit 1781 deri 1796. Pjesa e dytë ka 134 faqe dhe përmban rregjistrimet e pagëzimeve prei vjetit 1848 deri 1906; të martesave prej 1849 deri 1903; të vdekjeve prej vjetit 1848 deri 1906. Prei kësi regjistri po nxjerrim disa mbiemna fisesh e shtëpijash ma në shèj, ase qi janë largue prej këndej e s’janë ma këtu në ket vend.
 

Shna Prendja abaci Benediktine e kuvend Fraçeskanësh.
 
Shna Prendja e Kurbinit dikur ka kenë kuvend e Abaci e Urdhinit Benediktin, së paku qysh para gjysmës së shekullit të XV, si shifet në letrën e Papës Kalistit III datue me 18 gusht 1457 ku thohet: “Abatit të Monastirit të Shna Prendes së Kurbinit, të djeçezit të Krujës…” Mbas benediktinësh, porse kur, nuk dihet, në këte kuvend ndejen françeskanët, si thotë edhe Mons. Mark Skura në relacjonin e vjetit 1652-1656: “Mons. Gjon Kolesi banonte Kurbì bashkë me etent e Shën Françeskut dhe me dy meshtarë”.

(Mgr. Giov. Collesio risideva in Corbino insieme coi PP di S. Francesco e due sacerdoti). Mons. Mark Skura, pohon në këte relacjon se “Kisha Kathedrale e Kurbinit me titull e Shna Prendes, dikur Abaci e vjetër”.  (Chiesa Cattedrale di Corbino, sotto il titolo di S. Veneranda antica abazia).

Këte kuvend e vizitojshin Provinçialat françeskanë dhe nji nder ta P. Liborio gjatë vizitës së vet në atë kuvend vdiq këtu në Shna Prende me 6 mars 1725. Ky ishte italjan prej Porta Ferrario. Në këte kohë Arqipeshkevi i Durrësit me ndeje në Shëna Prende ishte Pjetër Skura.
 
SHNA PRENDJA E KURBINIT SELI E IPESHKVIJVE TË ARBËNIS DHE T’ ARQIPESHKVIJVE TË DURRËSIT.
 
Shna Prendja dikur Abaci Benediktinësh, mandej kuvend Françeskanësh e ma në fund famulli, i përkitëte djeçezit të Krujës. Mbasi Kruja kje pushtue prei turqish, djeçezi i saj u kje pshtetë per administrim ipeshkvijve të djeçezeve kufitare. Kur Mons. Gjon Kolesi emnohet me 31 gusht 1615 ipeshkv i djeçezit t’Arbënisë dhe ndimës me të drejtë sukçesjoni i Imzot Nikollë Mekansit, ipeshkev i djeçezit të Shtjefnit me ndeje në Mamël, Selinë e vet ipeshkvnore e vendosi në Shna Prende të Kurbinit, vend maluer i mbrojtun në mes të njij populli besnik.

Mons. Gjon Kolesi e njifte mirë Kurbini, sepse para se të emnohej ipeshkev jetonte si Epruer i Kuvendit françeskan të pranë Kishës së Zojës Nuncjatë (sot shejtnorja e Shna Ndojt të Padovës) Sebastes (Laç) në Kurbì, si shifet në faqen e mbrendshme të murit të balli të Kishës, ku asht shkrue: “ANNO DNI MDCV HOC TEMPLUM RUINAM MINUEBATUR IDCIRCO A RDO P.F. JOANNE COLLESSIO TUNC TEMPORIS IN HOC SACRO MONASTERIO PRAESIDE RESTATURATUM FUIT”.

Mons. Gjon Kolesi rezidencën e re e gjetë të shkatrrueme prej turqish, të cilët kishin marrë deri dyer e dritare dhe në vjetin 1618 e përmirëson, si shifet edhe në rrasën e shkrueme: «1618 F. I. COLESIUS EPUS ALBANENSIS F.F. » e qi gjendet edhe sot në ballin perëndimuer të kësaj ndërtese. Kur Mons. Gjon Kolesi e muer n’administrim djeçezin e Shtjefnit, mbas vdekjes së ipeshkvit të fundit të këtij djeçezi, Mons. Nikollë Mekansi, ky djeçez pershinte edhe djeçezet e Bendës e të Priskës. Këto dy djeçeze kjenë bashkue nen nji ipeshkev të vetëm me urdhën të Papës Klementi IX në vjetin 1304, kurse ipeshkvit te djeçezit të Shtjefnit i kje dhanë në vjetin 1418.

Mbas Mons. Gjon Kolesit erdh në sundimin e djeçezit të Arbënisë Mons. Mark Skura. Kur ky me urdhen të Papës Urbani VIII në vjetin 1640 kje ba arqipeshkëv i Durrësit, ky Arikidjeçez pershinte të gjitha territoret e të gjitha djeçezave sufragane të veta. Disa prej aso djeçezash kjenë zhdukë që në shekullin V nga herezitë e kohës, kurse disa të tjera kjenë zhdukë ma afër këtij shekulli XVII nga islamizimi i plotë ase i pjesshëm i tyne.
 
Arkidjeçezi i Durrësit pershinte në këte kohë këto djeçeze: 1. të Arbnis, 2. të Lezhës, 3. të Krujës, 4. të Shtjefnit, 5. të Vëlonës, 6. të Bendës, 7. të Priskës, 8. të Kanovjes, 9. të Bulidës, 10. të Skampës (Elbasani),11. të Apolonisë, 12. të Amantias, (Ploçë), 13. të Lestronit, 14. të Akroçeraunjës, 15. të Pulkerjpolit (Beratit).

Le të njifemi paksa me këto djeçeze.
DJEÇEZI I PULKERJOPULLIT. Thohet se kje themelue në shek.V, njiohësisht ase pak mbas themelimit të qytetit me këte emën prej Shen Pulkerjes. Historjanët e vjetër s’e tregojnë mirë vendin e këtij qyteti, veçse thonë n’Epir të ri. Nder dokumentat kishtarë nuk gjindet asnji ipeshkev, së paku i ritit latin, të këtij djeçezi.

2. DJEÇEZI I GLABINICËS ase i AKROCERAUNJES. Ky djeçez shtrihej në malet e Himarës. Kje themelue para shek. IX. As për këte djeçez s’dihet të ketë pasë ipeshkvij, së paku të ritit latin. Pat po ipeshkvij skizmatikë. Për kete e per të Pulkerjopullit, thotë Leoni VI Peranduer, mbiemenue ” i Dijshmi”, se i perkitshin si sufraganë Metropolis së Durrësit.

3. DJEÇEZI I LESTRONIT. Emni i këti djeçezi permendet vetëm në Konçilin e Kalçedonis në vjetin 451. N’atë konçil muer pjesë Xenobi, ipeshkvi i Lestronit. Dihet se kje n’Epir të ri dhe sugfragan i Durrësit.
4. DJEÇZI I AMANTJES. Qyteti dhe djeçezi i Amantjes gjindej ndërmjet dy Eiprave, kufizohej me krahinën e Apollonis dhe i bjen të ketë kenë kah jug-lindja e Vlonës. Tashti së voni janë gjetë shejet e njij qytetit ilir në kodrën e fshatit Plloçë, kund 30 km larg qytetit të Vlonës. N’atë qytet e rrethe kanë banue fiset e amantëvet. Nuk dihet se kur kje themelue ky djeçez. Në gjysë të shek. IV hasim në nji ipeshkev të këti djeçezi quejtë Eulal, i cili muer pjesë në Konçilin e Sardikës në vj. 347, por nuk ndigioi të firmojë aktet e këtij Konçili e shkoi mbas semiarjanësh e mbaroi në herezi.

5. DJEÇEZI I APOLONIS. Apolonija asht qyteti arkeologjik i Pojanit e rreth tij shtrihet edhe djeçezi. Ky vend duket të jetë kristjanizue qysh në kohët e para të kristjanizmit. Qyteti i Pojanit kje lagë edhe me gjak martirësh duket në salvimin e fundit të Djoklecjanit. Kur kje themelue djeçezi i Pojanit nuk dihet. Si djeçez del në shesh ndër dokumentat kishtare me ipeshkvin Feliç në vjetin 431. e merr fund me ipeshkvin Euzev në vjetin 451. Pat, sa dihet, tre ipeshkvij.

6. DJEÇEZI I SKAMPËS. Qyteti i Skampës me të tana gjasat ka kenë ku asht sod Elbasani. Në këtë qytet asht gjetë nji gur me shkrime latine ku përmendet Skampa. Nuk dihet kur kje kristjanizue, as kur kje themelue djeçezi i Skampës. Ky djeçez shifet ndër dokumenta kishtarë vetëm në shek. V-VI. Dihet se pat dy ipeshkvij, Artemin në vjetin 458 e Trojin në vjetin 519. Në territorin e Skampës ndoshta asht themelue ma vonë Djeçezi i Arbnis, të cilin Mons. Mark Skura e bjen me qender Elbasanin.

7. DJEÇEZI I BULIDËS. Me të tana giasët ky djeçez shtrihej në Mallakastër kah jugu i Vlonës bri atij të Amantes. Krishtenimi duket se hyni në këtë vend po n’atë kohë kur u përhap neper qytete të përmenduna si Pojani, Durrësi etj. Nder dokumenta kishtarë gjinden vetëm dy ipeshkvij të këtij djeçezi, ma i fundit në vjetin 458.

8. DJEÇEZI I KANOVJES. Gjindet kah jugu i qytetit të Durrësit, larg si, thotë Plini lib.3 kreu 23, 78000 hapa. Si për qytet ashtu edhe për djeçezin e tij s’dihet kur u themelue. Nder dokumenta del në shesh ky djeçez vetëm në mbarim të shek. XIV. Sa dihet pat 7 ipeshkvij, ma i fundit në vjetin 1529. Në vjetin 1641 kishte 7 meshtarë e 700 katolikë. Ma vonë ky djeçez u kje nda djeçezeve kufitare.

9. DJEÇEZI I PRISKËS. Gjindej mes djeçezave të Bendës e Kanovjes. Nuk dijmë tjetër veçse në vjetin 1304 kje bashkue me djeçezin e Bendës nen nji ipeshkev të vetëm. Mandej bashkë me Benden i kje aneksue djeçezit të Shtjefnit. Në vjetin 1404. Emni Priskë ekziston gjithnji e asht katund.

10. DJEÇEZI I BENDËS. Mons. Mark Skura thotë se ky djeçez shtrihej kah jugu i Durrësit e kah perëndimi kishte djeçezin e Kanovjes. Gjeografët e vjetër qytetin e Bendës e bijnë jo larg nga Mamli i sodshem. Në vjetin 1304 i kje aneksue me urdhën të Papës Bonifacit IX, djeçezit të Priskës e në vjetin 1404 bashkë me Prisken i kjenë aneksue djeçezit të Shtjefnit. Pas, sa dihet, nji ipeshkev të vetin bashkë me Prisken dy të tjerë deri në vjetin 1404, kur kje bashkue me atë të Shtjefnit.

11. DJEÇEZI I SHTJEFNIT.  Mbas pershkrimit t’errtë e të ngatërrueshëm të kufijve të djeçezit të Shtjefnit nga Farlati, ky djeçez shtrihej kah lindje e djeçezave të Bendës e atë Kanovjes, ndër male e larg detit. Jemi të mendimit se djeçezi i Shtjefnit, asht po ai i Lisit në krahinë të Matës, të cilin e përmendë Mons. Mark Skura, por qi Farlati s’e xen kurrë në gojë. Mbas të gjitha gjasavet Farlati e ngatrron Lisin  me Lezhën, e prandaj ban fjalë në veçanti për te.

Djeçezi i Shtjefnit shifet nder dokumente në vjetin 879. Në vjetin 1418 Marini ipeshkvi i Shtjefnit merr në sundim të vet djeçezet e bashkueme që në vjetin 1404 të Bendës e të Priskës. Rendi i ipeshkvijve të djeçezit të Shtjefnit merr fund me Nikollë Mekansin (Mejkashin) qi u emnue ipeshkev i këtij djeçezi në vjetin 1592 dhe mbas vdekjes së këtij, djeçezi i Shtjefnit bashkë me djeçezet e aneksueme ma parë, i kje dhanë Mons. Gjon Kolesit, Ipeshkvit të Arbënisë, me të cilen në vjetin 1640 i kaluen Arqipeshkvit të Durrësit me personin e Mons. Mark Skurës nji herë ipeshkëv i Arbënis e mandej Arqipeshkev i Durrësit. Sa dihet djeçezi i Shtjefnit pat 11 ipeshkvij.

12. DJEÇEZI I VLONËS. Ky djeçez shtrihej rreth qytetit të sodshëm Vlonë. Ky vend, me të gjitha gjasët ka kenë kristjanizue që në kohët e para të krishtenimit. Ndër dokumenta kishtarë del në shesh si djeçez në gjysë të shek. V. Rendin e ipeshkvijve të Vlonës e çilë Naxari në vjetin 458 dhe e mbyllë Marjani në vjetin 1399. Këtu u martirizue Shën Donakti në kohën e Dioklecjanit.

13. DJEÇEZI I KRUJËS. Ky djeçez shtrihej rreth qytetit të sodshem Krujë. Kje themelue në shek. XIII, jo fort ma vonë nga themelimi i këtij qyteti si thohet nga Topijajt. I pari ipeshkev i këtij qyteti qi shifet nder dokumenta asht Rromani në vjetin 1286, ma i fundit kje Isidori në vjetin 1694. Por mbas ramjes së Krujës në vjetin 1478 nën pushtimin turk, ky djeçez kje administrue prei ipeshkvijsh kufitarë. Mbas këso kohe kjenë emnue po ipeshkvij per këte djeçez, por as s’mujten të rrijnë apo s’mujten as të vinë ndopak në këtë djeçez.

14. DJEÇEZI I ARBËNISË. Ky djeçez duket se në fillim shtrihej n’Elbasan e rrethe. Simbas Mons. Mark Skurës, pershinte krahinat e Krrabës, të Zaranikës, të Çermenikës, Polisit, të Bërzhesdës e deri n’ Okshtun afër Dibres. Mons. Marin Bici e çon deri afër Kosovës. Sigurisht qi ky djeçez pat mbrrijtë deri nder male të Lezhës e të Mirditës, vende qi duket se përpara i pat pasë djeçezi i Krujës. Si kufijt e këtij djeçezi ashtu edhe të djeçezave të tjera qi pamë sypri, kanë kenë krejt të ngatrruem edhe per Mons. Mark Skuren, qi kur i merr nen sundim këto djeçeza i viziton me kujdes. Nder dokumentat kishtarë del në shesh si djeçez vetëm në vjetin 1166 me ipeshkvin e parë Lazrin. Vazhdon deri në vjetin 1640, kur Mons. Mark Skuren i aneksohet Arkidjeçezit të Durrësit. Sa dihet pat 24 ipeshkvij.

15. DJEÇEZI I LEZHËS. Simbas Farlatit , ky djeçez ka kenë qysh në kohë të hershme sufragan i Arkidjeçezit Metropolitan të Durrësit. Kur ndonji dokument konçistrerjal e quen djeçezin e Lezhës sufragan të Tivarit, Farlati e ndreqë tue thanë edhe se kurr s’ka kenë ky djeçez sufragan i Tivarit, por gjithmonë i Durrësit. Kishte me kenë çudi qi djeçezi i Arbënisë, qi asht ma afër Durrësit, të jetë kenë sufragan i Tivarit, kurse djeçezi i Lezhës që ka ndërmjet me Durrësin, Arbënin, të ketë kenë sufragan i Durrësit.

Me sa kuptojmë Farlati e ka ngatërrue e quejtë nji djeçez qi me siguri ka kenë sufragan i Arkidjeçezit të Durrësit. Mons. Mark Skura  flet gjanë e gjatë për djeçezin e Lisit në Mat, kurse Farlati, si thamë ma sypri as qi e xen në gojë ndonjiherë Djeçezin e Lisit në krahinë të Matës. Këte e të tjera çashtje me randësi të djeçezave qi shkurtimisht u munduem të pershkruejmë, do të shoshiten gianë e gjatë në rreshtimin e Historisë së Arkidjeçezit të Durrësit. Me të gjitha gjasat Lezha ka kenë kristjanizue që në shekujt e parë t’epokës kristjane pak a shumë njikohsisht me qytetet e lashta e të randsishme.

Nder kokumenta kishtarë del si djeçez në vjetin 592 e megjithë perjudhat edhe të gjata pa ipeshkev, ky djeçez vazhdoi e asht edhe sod. Qi njifen, pat 43 ipeshkvij deri n’ipeshkvin e sodshem Mons. Nikollë Troshanin, tue pershi në këtë numër edhe dy Vikar-kapitullarët qi kjenë para ipeshkvit të fundit, naltpermendë.

16. ARKIDJEÇEZI I DURRËSIT. Arkidjeçezi i Durrësit n’e parë pershinte rrethet e këtij qyteti, ashtu krahinën e Shjakut e t’Ishmit e mbrrinte deri në Fushë të Krujës d.m.th deri në Blaj. Mund të thomi se Fen e Krishtit në këte djeçeze e predikoi vetë aposyulli i popujve Shen Pali. Ipeshkvi i parë i këti djeçezi kje Shën Çezari kah vjeti 58. Sa dihet pat tre ipeshkvij me Luken në vjetin 449 e mbrapa Durrësi àsht Arkidjeçez. Mbas ramjes së qytetit të Durrësit nën pushtimin turk (1501), kjenë emnue vazhdimisht ipeshkvij të Durrësit, por per kund rreth njij shekulli e gjysë nuk muejten të hyjnë në Arkidjeçez. Kohën e Vizitës së Mons. Marin Bicit Arqipeshkvit të Tivarit, Durrësi kishte Vikar me Famulli në Kavajë dhe pikërisht Dom Ndre Lopeci, të cilit Mons.

Marin Bici i tregon se ka gjetë kaq meshtarë të padijshëm në çështje të ceremonive, sa àsht i detyruem m’e ngarkue këte t’u mësonte sjelljet fetare në meshë etj. Tue dhanë urdhën qi n’emën të tij t’u a pezullonte thënjen e meshës po s’erdhen mbrenda 15 ditësh qi të jenë thirrë. Në lidhje me apostazin e krahinës metropolitane të Durrësit, Mons. Mark Skura në nji rrelacjon që i ep Selis Apostullike në vjetin 1656 nder të tjera thotë:

„Janë kthye në muhamedanizëm tash pesëdhetë vjet e këndej e sot as e qindta s’janë të krishterë dhe dyshohet se mbrenda dhetë vjetësh s’ardhmëm kanë me e mohue fèn edhe këta si tjerët“.
Selija Arqipeshkvnore e Durrësit ndei në Shna Prende deri në vjetin 1859, vjetë në të cilin Imzot Rafael D’Ambrosio e vendosi në Delbnisht, katund i vogël i Kurbinit per të kenë me afer komunikacjonit. Kjo Seli ndei në Delbnisht deri në vjetin 1937, kur Mons.

Pjetër Gjura e rivendosi në selinë e vjetër në qytetin e Durrësit, prei kah kishte kenë largue para 436 vjetësh. Sa dihet djeçezi e mandej arkidjeçezi i Durrësit pat tre ipeshkvij e 58 arqipeshkvij; këtyne shtoju dy Vikarë Kapitullarët e fundit Dom Luigj Gashin (1955-1957) dhe Dom Zef Bicin, i cili që nga vjeti 1957 e sundon këte Arkidjeçez, tue bajtë Selinë prei Miloti, ku e kishte mbajtë Mons. Pjeter Dema që nga vjeti 1949 dhe e që e çoi në Tiranë.
Papa Gjon Pali II dhe Imzot Frano Ilia

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç