TIRANE - Gazeta “IL Progresso” së cilës i referohet “Dielli” i datës 5 qershor 1924 shkruante: Telegramet nga Beogradi thonë se një kryengritje plasi në Shkodër. Dy deputetë mbi krye të 2000 kryengritësish u atakuan me forcat e Gravurës. Të dielën në mëngjes pas 24 orë lufte pa pushim kryengritësit zaptuan Shkodrën. Kryengritësit kanë 2000 vetë e 4 topa të malit dhe disa mitraloza, kurse forcat e Gravurës nuk numërojnë më shumë se 700 veta të armatosur lehtësisht dhe pa topa.
Kryengritësit të shtunën mbrëma nisën të bombardojnë qytetin duke bërë bombardime të gjithë natën dhe veç kundër Prefekturës ku prefekti kishte mbledhë 300 xhandarë për mbrojtje. Rënia e prefekturës u shoqërua me 6 të vrarë Kapiten Ferid Frashri Qarkomanati i Xhandarmërisë, 3 xhandarë dhe 2 ushtarë(“Ora e Maleve , 12.06.1924)
PSE GJELOSH MARKU E VRAU FERIT FRASHRIN
Ferit Frashri ishte një oficer karriere (xhandarmërie) i devotshëm. Ishte baza e pushtetit presidencial të Ahmet Zogut në Prefekturën e Shkodrës. Në ditët e stuhishme kur ndizej flakë pakënaqësia dhe urrejtja e popullit opozitar, kur Shkodra manifestonte hapur kryengritjen dhe kërkohej hapur zaptimi i zyrave të shtetit dhe që të përzieheshin nga qyteti mbështetësit e Ahmet Zogut, kapiten Ferid Frashri ishte një mburojë statike e që nuk lëvizte vendit por qëndronte me guxim si Taraboshi mes rrebesheve të motit.
Camillo Libardi në kujtimet e tij historike, Ferit Frashrin e përshkruan si një titan: “I tillë ishte gjoksi i Kapitenit të xhandarmërisë së Shkodrës, burrë trim, ushtar me kalitje të fortë, shqiptar i vërtetë i bindur i bindur se përpara së gjithash duhej të kryente detyrën e tij e në asnjë mënyrë të mos hante fjalën e dhënë dhe për një gjë të tillë ishte betuar përpara qeverisë, njeriut me dorëhekurt të saj.
Një farë fis i afërm i Melek Frashrit, që kishte lënë kokën në Krujë për Ahmetin, gjë të cilin e bëri edhe Feriti në Shkodër. Ndërsa Gjelosh Marku ishte nga Shala dhe zinte vend nderi në almanakun e plis-bardhëve të vjetër të Dukagjinit, i fiksuar në kujtesën e kohës, si portret interesant, plot hire mashkullore, sy gace, mustaqet shllungë me plis të bardhë të rrumbullaket e perçë në but të kokës si dikur motit.
I shtrënguar ne kacaturre, gjithmonë i heshtur dhe në pozita nderimi të dokeve stërgjyshore. Trim i patrembur kur e donte puna me ruajtun erzin personal, nderin e krahinës e të vatanit. Për fjalën(e dhënë) që del nga del shpirti, vetëm vdekja e anullonte dhe shuante si premtim. Bujarinë e kishte në gjak, tërvesën e shtronte trimërisht deng (bukë, djathë, mish, venë, raki, tlyen e bulmet), pasi kishte shtëpinë si mali me dushk e me barë, plot gjë e mall të siguruar me djersën e ballit dhe shikën e dorës.
Kullës së tij me çardak druri i gëzoheshin trentë mbi shkorsë, kur çonte Zoti e binte ndonjë mik të njohur e të panjohur qoftë, shtegtarin që sillte drumi në shteg të oborrit. I vobekti e lypsari, i kamuni, kryepariket e bajraksit respektoheshin e gostiteshin fort ma mirë se bima shpirtit (djemtë dhe çikat e tij). Gjelosh Marku në ngjarjet me kulmore të fillim shekullit të XX u gjend krah për krah me Mehmet Shpendin, Lush Prelën, Avdi Kolën, Çun Nikën, Marsh Delinë e burra të tjerë të Dukagjinit me 1910 e 1911 kundër turqve dhe 1915 kundër malazezve.
Ky trim i paepur, antizogist i betuar, gjatë klimës së paqëndrueshme politike të viteve njëzet qe mbështetës i forcave të Fan Nolit, doli kaçak kundër qeverisë, qe protagonist i qëndresës së armatosur kundër forcave qeveritare me 16 maj 1923 në Shkallën e Thethit dhe më pas afër Urës së Shalës. Ai ka qenë një bashkëluftëtarët më të ngushtë Kapiten Ndokë Gjeloshin, përkrahës i kandidaturës së Luigj Gurakuqit, si përfaqësues i opozitës në vitin 1923.
Ishte ndër të parët zjarrmëtarë që rrethoi Nënprefekturën e Dukagjinit në mbrëmjen e 29 majit 1924 dhe dëbimin e autoriteteve qeveritare nga Dukagjini. Marshoi gjithë entuziazëm së bashku me qindra dukagjinas të tjerë përkrahës të opozitës, vihet në mbështetje të forcave të Ushtrisë Kombëtare të komanduara nga Kolonel Rexhep Shala në sulmin mbi prefekturën e Shkodrës, natën e 31 majit 1924, sulm i furishëm që vazhdoj pa ndërprerje për plot 12 ore resht.
Me 8 qershor 1924 mori pjesë përbërje te detashmenteve vullnetare të Kapiten Ndokë Gjeloshit e Toger Vas Kirit ne sektorin Gjader Kodrat e Lezhës mbi forcat qeveritare të Nënprefekturës Lezhë, aksion që zgjati 4 orë ku pati 13 të vdekur e 6 të plagosur. Pas pushtimit të Lezhës sipas urdhrit të Komandës se veprimeve luftarake u stacionua së bashku me vullnetaret e therë duke pritur veprimet e mëtejshme të Pararojës Ushtrisë Kombëtare nën komandën e Kapiten Ndokë Gjeloshit, e cila hyri në mënyrë spektakolare në Tiranë. Gjatë këtij inkursioni përtej Miloti mbeti vrarë edhe Kolë Sejdia i Shalës.
(Në foto Kryengritësit dhe populli i Shkodrës duke festuar marrjen e prefekturës)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)